Në Gurin e Kamjes në Pogradec u përkujtua 114-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së zonës, përmes një aktiviteti që mblodhi përfaqësues të institucioneve, Shoqatës Gora, banorë dhe vizitorë të shumtë, të cilët nderuan sakrificën e luftëtarëve që çliruan juglindjen nga pushtuesit osmanë më 28 Korrik 1912. Sipas historianëve, në këtë datë kapedani i Gorës, Kajo Babjeni bëri bashkë 800 luftëtarë nga krahina e Mokrës, Gorës dhe Oparit, ku rrethuan Pogradecin e pushtuar nga xhonturqit, duke bërë që trupat osmane të dorëzoheshin pa bërë rezistencë. Pas kësaj fitoreje, Kajo Babjeni ngriti flamurin kuqezi pikërisht në këtë gur madhështor, që sot është monument natyror.
Në ceremoninë përkujtimore ish-kryetari i Shoqatës Gora, Arben Rroko e cilësoi këtë festë tashmë një traditë të konsoliduar, duke vlerësuar rëndësinë historike. Festa e Gurit të Kamjes nuk është vetëm një aktivitet përkujtimor, por edhe një ditë pelegrinazhi, për të gjithë ata që vizitojnë këtë monument natyror e historik. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: pogradec shoqata Gora
