Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë të Opozitës, i është drejtuar me një letër Këshillit të Europës dhe Kongresit të Autoriteteve Vendore, lidhur me procesin e riorganizimit territorial dhe ndryshimin e kufijve të bashkive. Në letër, shoqata ngre shqetësimin se procesi për riorganizimin territorial po zhvillohet në mënyrë të njëanshme, pa respektuar konsultimin me qytetarët dhe pa marrë në konsideratë qëndrimet e këshilltarëve vendorë, bëhet me dije në një njoftim të zyrës së shtypit të PD. Shoqata ngre shqetësimin se 15 bashki rrezikojnë të shkrihen ose të ndryshojnë kufijtë, ndërsa komunitetet e prekura nuk janë përfshirë, sipas saj, në mënyrë të mjaftueshme në procesin e riorganizimit. Në letrën drejtuar institucioneve europiane, shoqata kërkon reagimin dhe ndërhyrjen e tyre përpara se ndryshimet të miratohen në Kuvend. Ajo argumenton se ndryshimi i kufijve të njësive të qeverisjes vendore duhet të shoqërohet me konsultim real me komunitetet dhe respektimin e parimeve të Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Vendore. Shoqata e Bashkive të Djathta thotë se i ka përcjellë institucioneve europiane edhe materiale që, sipas saj, dëshmojnë anashkalimin e qytetarëve dhe këshilltarëve vendorë në 15 bashkitë e prekura nga riorganizimi. Sipas saj, çështja nuk lidhet vetëm me interesat e komuniteteve të prekura, por edhe me respektimin e standardeve europiane të demokracisë lokale dhe detyrimeve ndërkombëtare të Shqipërisë. Shoqata paralajmëron se miratimi i ndryshimeve pa një proces të plotë konsultimi do të cenonte, sipas saj, interesat e komuniteteve vendore dhe besueshmërinë e vendit në zbatimin e parimeve europiane të vetëqeverisjes lokale.
