Një i moshuar është përplasur nga një ambulancë mbrëmjen e së premtes në Korçë, në afërsi të bibliotekës së qytetit. Sipas policisë, i moshuari po kalonte rrugën me biçikletë kur është përplasur nga ambulanca.
Pas aksidentit, drejtuesi i ambulancës ka transportuar vetë të dëmtuarin në spital. I moshuari ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe, sipas informacioneve paraprake, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Drejtuesi i ambulancës, rreth 44 vjeç, i është nënshtruar testit të alkoolit dhe ka rezultuar nën efektin e tij. Policia e ka arrestuar për drejtimin e mjetit në gjendje të dehur dhe për shkaktimin e aksidentit, ndërsa vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

