Qeveria planifikon të forcojnë kontrollin teknik periodik dhe inspektimet në rrugë, pasi Strategjia Kombëtare për Sigurinë Rrugore vëren se “një numër i konsiderueshëm i mjeteve” nuk u nënshtrohen kontrolleve vjetore.
Masat janë pjesë e planit të veprimit të strategjisë dhe synojnë të rrisin verifikimin e gjendjes teknike të automjeteve që qarkullojnë në rrjetin rrugor.
Dokumenti parashikon përmirësimin e sistemit të kontrollit teknik periodik dhe forcimin e kontrolleve të kryera në rrugë nga Policia Rrugore dhe Task-Forca. Për periudhën 2028–2029 parashikohen inspektime të përbashkëta dhe monitorimi i përqindjes së automjeteve që rezultojnë me mangësi teknike.
Strategjia kërkon gjithashtu përafrimin e procedurave shqiptare me kërkesat e Bashkimit Evropian për kontrollet teknike periodike dhe inspektimet rrugore.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor do të monitorojë “përqindjen e automjeteve që marrin rezultat negativ në kontrollin teknik”, sipas dokumentit.
Masat përfshijnë edhe automjetet e specializuara, përfshirë mjetet që transportojnë mallra të rrezikshme.
Në një masë të veçantë për transportin e rëndë, plani parashikon krijimin e “4 vendeve të sigurta për kontrollin e mjeteve të rënda”, ku do të verifikohen pesha dhe shpejtësia.
Autoriteti Rrugor Shqiptar do të jetë përgjegjës për caktimin dhe rregullimin e këtyre pikave, në bashkëpunim me Policinë Rrugore dhe Task-Forcën. Strategjia e lidh kontrollin e peshës së mjeteve të rënda me “mbrojtjen e investimeve publike”, përmirësimin e sigurisë rrugore, transportin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e mjedisit./ Monitor Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

