Berisha-LaCivita-Dodik Chris LaCivita dhe James Blair, dy prej njerëzve kryesorë të operacionit politik të Donald Trumpit, udhëtuan në Republikën Srpska përpara zgjedhjeve dhe u paguan me qindra mijëra dollarë secili për të këshilluar qeverinë e kontrolluar nga forca e Milorad Dodikut, sipas “The New York Times”. Zbulimi ka sjellë reagimin e Trumpit dhe ka rikthyer vëmendjen te aktiviteti ndërkombëtar i LaCivita-s, i cili më parë është shfaqur në Australi dhe në Shqipëri, ku drejtoi fushatën e Sali Berishës. Chris LaCivita, “sherifi” i Sali Berishës duket se është ne telashe. Trump njoftoi pak më herët se do ta flakë nga dera strategun e fushatës, për shkak se ai ka ndihmuar Dodik në zgjedhjet e fundit në Bosnje.
Ishte një investigim i “The New York Times” ai që zbuloi se si depërtoi makineria e Dodik deri në SHBA.
Gazeta amerikane zbuloi se LaCivita dhe James Blair, ndërsa mbanin role kyçe në operacionin politik të Trumpit për zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, udhëtuan në Ballkan për të ndihmuar qeverinë e Republikës Srpska përpara zgjedhjeve të së dielës.
Sipas katër personave të njohur me udhëtimin, të cituar nga gazeta amerikane, LaCivita dhe Blair kaluan disa nga ditët përpara votimit në Republikën Srpska, entitetin me shumicë serbe të Bosnje-Hercegovinës. Punët e “pista” në Ballkan i kushtojnë shumë LaCivita-s, Trump përgatit shkarkimin e ish-strategut të Berishës! 7 Tetor, 19:02 Dy burime të tjera i thanë NYT-së se secili prej tyre mori qindra mijëra dollarë përmes një studioje ligjore me seli në Uashington, të kontraktuar nga qeveria e Republikës Srpska për këshillim mbi çështjet e votimit.
Sipas burimeve, puna ishte formalisht për qeverinë dhe jo për partinë nacionaliste që e kontrollon atë. Megjithatë, “The New York Times” vëren se në praktikë qeveria dhe partia janë thuajse e njëjta strukturë politike.
Udhëtimi merr një peshë tjetër për shkak të roleve që LaCivita dhe Blair vazhdojnë të mbajnë në SHBA.
LaCivita ishte bashkëmenaxher i fushatës presidenciale të Trumpit në vitin 2024 dhe është këshilltar i lartë i MAGA Inc., super-PAC-u i mbështetur nga Trumpi që po përgatit shpenzime të mëdha për kandidatët republikanë. Blair, ish-drejtori politik i fushatës presidenciale, drejton MAGA Inc. pasi u largua nga posti i zëvendësshefit të stafit në Shtëpinë e Bardhë.
Në fund të gushtit, kjo strukturë kishte rreth 415 milionë dollarë në dispozicion për betejën elektorale.
Pra, ndërsa Trump po udhëtonte nëpër SHBA për të ndihmuar republikanët përpara zgjedhjeve të mesmandatit, dy prej njerëzve të tij kryesorë politikë ndodheshin në Bosnje-Hercegovinë duke kryer një punë tjetër të paguar.
Zëdhënësi i MAGA Inc., Alex Pfeiffer, nuk komentoi udhëtimin në Ballkan, por deklaroi për NYT se LaCivita dhe Blair kishin vazhduar të punonin për operacionin amerikan edhe gjatë qëndrimit jashtë vendit. Sipas tij, të shtunën në mëngjes ata zhvilluan një telefonatë me ekipin për të analizuar të dhënat e fundit të sondazheve.
Publikimi i investigimit solli reagimin e Trumpit, ndërsa aktivitetet private të dy këshilltarëve u vendosën nën vëmendje për shkak të pozicioneve që ata mbajnë në makinerinë e tij politike.
Milionat e Republikës Srpska në Uashington
LaCivita dhe Blair nuk janë të vetmit njerëz të lidhur me Trumpin që kanë marrë para nga Republika Srpska.
Sipas dokumenteve të depozituara në Departamentin amerikan të Drejtësisë dhe të analizuara nga “The New York Times”, lobistë dhe operatorë me lidhje me Trumpin dhe aleatët e tij republikanë kanë marrë më shumë se 4 milionë dollarë nga qeveria e Republikës Srpska që nga fillimi i vitit të kaluar.
Kjo fushatë ndikimi shënoi një fitore të rëndësishme kur administrata Trump hoqi sanksionet amerikane ndaj Milorad Dodikut, familjes dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Shtetet e Bashkuara i kishin vendosur fillimisht sanksione Dodikut në ditët e fundit të administratës Obama. Ato mbetën në fuqi gjatë mandatit të parë të Trumpit dhe u zgjeruan gjatë administratës Biden.
Uashingtoni e kishte sanksionuar Dodikun për veprimet që minonin Marrëveshjen e Dejtonit, e cila në vitin 1995 i dha fund luftës së përgjakshme në Bosnje-Hercegovinë.
Marrëveshja krijoi arkitekturën e sotme politike të vendit, me Republikën Srpska si një prej dy entiteteve të Bosnje-Hercegovinës dhe me një presidencë trepalëshe të përbërë nga një përfaqësues serb, një boshnjak dhe një kroat.
Dodik ka dominuar politikën e Republikës Srpska për dekada. Dikur i konsideruar një politikan më i moderuar, ai u afrua gjithnjë e më shumë me nacionalizmin serb dhe Moskën, duke krijuar një marrëdhënie të drejtpërdrejtë politike me Vladimir Putinin.
Ai u dënua gjithashtu nga drejtësia e Bosnje-Hercegovinës për mosbindje ndaj autoritetit ndërkombëtar që mbikëqyr Marrëveshjen e Dejtonit. Vendimi solli largimin e tij nga posti i presidentit të Republikës Srpska dhe ndalimin për të mbajtur poste publike.
Megjithatë, largimi formal nga posti nuk i dha fund ndikimit të tij.
Pas zgjedhjeve të së dielës, Dodik doli në skenë për të shpallur fitoren e forcës së tij politike. Në fjalimin e tij ai falënderoi Vladimir Putinin për mbështetjen dhe vlerësoi fitoren e Trumpit në vitin 2024 si një zhvillim që kishte krijuar një mjedis politik më të favorshëm.
Mbështetja e njerëzve të lidhur me Trumpin dhe heqja e sanksioneve amerikane e kanë ndihmuar Dodikun të përballojë presionin e brendshëm dhe ndërkombëtar, tha për NYT Adnan Cerimagic, analist i European Stability Initiative.
Sipas tij, kjo jo vetëm i dha Dodikut legjitimitet përballë elektoratit të vet, por e forcoi edhe kundër kritikëve brenda dhe jashtë Republikës Srpska.
Nga Trump Jr. te ish-guvernatori Blagojevich
Rrjeti i lidhjeve të Republikës Srpska në SHBA shkon përtej LaCivita-s dhe Blair.
Donald Trump Jr. vizitoi Republikën Srpska në prill si i ftuar i djalit të Milorad Dodikut, një udhëtim që u interpretua në rajon si sinjal i afrimit me rrethin e presidentit amerikan.
Zeljka Cvijanovic, eksponente e partisë së Dodikut dhe përfaqësuese serbe në presidencën e Bosnje-Hercegovinës, u takua gjithashtu në Shtëpinë e Bardhë me Susie Ëiles, shefen e stafit të Trumpit.
Sipas dy burimeve të cituara nga NYT, takimin e organizoi Alex Garcia, një lobist që kishte punuar në fushatën presidenciale të Trumpit në vitin 2024 nën drejtimin politik të Blair.
Kompania e Garcia-s u regjistrua në shkurt për të përfaqësuar Republikën Srpska kundrejt një pagese prej 35 mijë dollarësh në muaj.
Një tjetër emër është Rod Blagojevich, ish-guvernatori i Illinois me origjinë familjare serbe. Sipas dokumenteve të lobimit të cituara nga gazeta, kompania e tij ka marrë 1.325 milionë dollarë nga Republika Srpska që prej marsit të vitit të kaluar.
“Serbia dhe Srpska e duan Trumpin”, deklaroi Blagojevich për NYT, duke shtuar se të qenit pro Trumpit përbën një avantazh të madh politik në Republikën Srpska.
Në këtë rrjet lidhjesh dhe parash hyri edhe LaCivita, ndërkohë që vazhdonte të ishte një prej strategëve të rëndësishëm të operacionit politik të Trumpit në SHBA.
Para Bosnjës, Australia dhe Shqipëria
Republika Srpska nuk është angazhimi i parë politik i Chris LaCivita-s jashtë Shteteve të Bashkuara pas fitores së Trumpit.
Në pranverën e vitit 2025, një regjistrim i fshehtë i publikuar nga CORRECTIV dhe Centre for Climate Reporting e kapi duke folur për një udhëtim në Australi.
“Isha në Australi dy javë më parë duke ndihmuar Partinë Liberale atje”, deklaronte LaCivita në regjistrim.
Australia ndodhej në prag të zgjedhjeve federale dhe opozita konservatore drejtohej nga Peter Dutton. Në bisedën e regjistruar, LaCivita fliste për problemet strukturore të Liberalëve dhe vështirësitë që lidheshin me drejtimin e Duttonit.
Zgjedhjet e 3 majit përfunduan me një humbje të rëndë të Koalicionit përballë laburistëve të kryeministrit Anthony Albanese. Vetë Dutton humbi edhe vendin e tij në parlament.
Pas publikimit të regjistrimit, Liberalët mohuan se LaCivita kishte punuar për fushatën e tyre, ndërsa strategu amerikan deklaroi se aktiviteti i tij në Australi lidhej me interesa biznesi. Por në regjistrim ai vetë kishte thënë se kishte qenë atje duke “ndihmuar Partinë Liberale”.
Pak më pas, LaCivita u shfaq në Shqipëri.
Këtu roli i tij ishte publik. Sali Berisha e angazhoi si strateg të fushatës së Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. LaCivita erdhi disa herë në Tiranë, u shfaq në aktivitetet e opozitës dhe mori rol të drejtpërdrejtë në strategjinë elektorale të Berishës.
Dokumentet financiare të fushatës treguan më pas edhe përmasën e marrëdhënies financiare: kompania e LaCivita-s mori mbi 1.6 milionë dollarë nga Partia Demokratike.
Në të njëjtën periudhë, PD angazhoi edhe emra të tjerë amerikanë dhe nënshkroi një marrëveshje të veçantë me kompaninë “Continental Strategy”, me një vlerë që mund të arrinte në 6 milionë dollarë.
Kontrata, e firmosur nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, përfi nën vëmendjen e SPAK, i cili nisi verifikime lidhur me financimin dhe burimin e parave.
Marrëveshja me “Continental Strategy” është e ndarë nga pagesat që PD i bëri kompanisë së LaCivita-s, por të dyja i përkasin së njëjtës periudhë kur opozita shqiptare investoi miliona dollarë në konsulentë, strategji dhe lidhje në Shtetet e Bashkuara.
Pas Australisë dhe Shqipërisë, investigimi i “The New York Times” e vendos tani LaCivita-n në Republikën Srpska. Ndryshimi është se këtë herë angazhimi i tij jashtë SHBA-së ka prodhuar pasoja politike edhe në Uashington, duke detyruar Trumpin të kërkojë shpjegime nga një prej njerëzve që e ndihmoi të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë. /Pamfletila civita berisha dodik Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota AfD-ja bën thirrje për ndërprerjen e mbështetjes për Ukrainën 7 Tetor 2026, 19:5619:56Rajoni dhe Bota U arrestua për spiunazh, gjykata gjermane lë në burg ish-shefin e inteligjencës 7 Tetor 2026, 19:3419:34Rajoni dhe Bota Incidenti në bazën amerikane në Britani, Irani mohon përfshirjen: Pretendime të fabrikuara 7 Tetor 2026, 18:3518:35Rajoni dhe Bota Skandal pas skandali, ambasadorët e Trump që po trazojnë diplomacinë amerikane 7 Tetor 2026, 18:1518:15Rajoni dhe Bota Protestat e dhunshme në Francë, Le Pen del në mbrojtje të policisë: Vandalët duhet të ndëshkohen 7 Tetor 2026, 17:2217:22Rajoni dhe Bota A janë operacionet e fshehta ruse “lufta e re kundër terrorizmit”? 7 Tetor 2026, 17:1517:15Rajoni dhe Bota

