Duke nisur nga sot, kam vendosur t'i përgjigjem publikisht profesorit Edvin Prifti, sa herë që ai publikon interpretime të gabuara ose të njëanshme të literaturës shkencore. Ky status i drejtohet pikërisht atij.
Po e nis me një pikë ku jam dakord me Prof. Priftin.
Jam thellësisht i zhgënjyer që Dr. Anthony Fauci nuk pranoi të dëshmonte para Kongresit Amerikan dhe e gjykoj këtë veprim një gabim të rëndë. Në vend që të qartësonte shumë pikëpyetje dhe të përballej me pyetjet që kishte përgatitur Komisioni i Kongresit, Dr. Fauci zgjodhi t'u jepte oksigjen teorive konspirative, të cilat këto ditë kanë marrë një hov të paprecedentë.
Pavarësisht kësaj dhe pavarësisht rolit të Dr. Faucit, asgjë nuk ndryshon në qëndrimet e mia të kaluara apo të sotme. Ato nuk bazohen te veprimtaria, sjellja dhe njohuritë e individëve të veçantë, por tek institucionet. Këto të fundit, kur u përkasin vendeve dhe shoqërive të konsoliduara, janë shumë më të besueshme.
Individët mund të gabojnë, gënjejnë, fshehin dhe në fund të zhgënjejnë. Institucionet serioze të vendeve demokratike, pavarësisht mangësive që mund të kenë, kanë edhe mekanizma korrigjues shumë më të fortë se çdo individ.
Këtu nis edhe problemi me analizën e Prof. Priftit.
Ai zgjedh vetëm atë pjesë të historisë që i shërben narrativës së tij dhe ndalet aty. Në shkencë kjo quhet cherry-picking dhe Prof. Prifti si kërkues shkencor me përvojë e kupton shumë mirë këtë term. Në shqip kjo përkthehet "përzgjedhje selektive e provave".
Po, Fauci mori një informacion paraprak nga Prof. Drew Weissman lidhur me një eksperiment në minj dhe Prof. Prifti e raporton këtë në statusin e sotëm. Eksperimenti i Prof. Weissman tregonte se te disa minj injektimi i ARN-së shoqërohej me ndryshime inflamatore (pezmatim).
Kujdes!
Ndryshime inflamatore, për më tepër në minjtë e laboratorit! Jo sterilitet! As edhe ndonjë sëmundje apo çrregullim!
Sidoqoftë, historia nuk mbaron aty, pavarësisht se Prof. Prifti dhe, ndoshta edhe website-t ku merr informacion Prof. Prifti, e kanë lënë me kaq.
Dr. Fauci kërkoi menjëherë verifikim nga FDA. Ekspertët e FDA-së rishikuan studimet e toksicitetit të paraqitura nga Pfizer dhe Moderna dhe nuk gjetën asnjë problem. Më pas u analizuan të dhënat e mbi 2.000 grave shtatzëna të vaksinuara ndërkohë dhe në ndjekje të vazhdueshme. Sërish nuk u gjet asnjë problem dhe, mbi këtë bazë, Dr. Fauci bëri deklaratën publike se nuk ka shenja shqetësuese (red flags) për gratë shtatzëna të vaksinuara.
Pse Prof. Prifti nuk e përmend këtë pjesë?
Ose sepse nuk është në dijeni, ose sepse ajo nuk i shërben përfundimit që ai dëshiron të arrijë me deklaratën e tij.
Kjo nuk është mënyra se si lexohet shkenca, me syze me një xham. Ose prano dhe raporto të gjitha provat, ose nuk ke të drejtë të pretendosh se po bën analizë shkencore.
Nga ana ime, do të vazhdoj të denoncoj çdo manipulim, pavarësisht se nga kush vjen. Edhe kur gabon Fauci. Edhe kur gabon FDA. Edhe kur gabon OBSH. Edhe kur gabon Prifti.
Por me të njëjtin standard do të denoncoj edhe ata që manipulojnë shkencën duke fshehur gjysmën e provave për t'u shërbyer bindjeve të tyre.
Sepse detyra jonë nuk është të fitojmë një debat.
Detyra jonë është të mos keqinformojmë qytetarin dhe të mos e lëmë atë të bëhet pre e mashtrimeve./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

