Lajme Zone
Shkarkimi i Vlora Hysenit, mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare i thirrur nga Presidenti Begaj
PolitikëTop Channel

Shkarkimi i Vlora Hysenit, mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare i thirrur nga Presidenti Begaj

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka mbledhur sot Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në orën 08:30, në Pallatin e Brigadave.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka mbledhur sot Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në orën 08:30, në Pallatin e Brigadave. Mbledhja vjen pas zhvillimeve të fundit që lidhen me ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa e “arrestit në shtëpi”.

Në fokus të diskutimeve pritet të jetë situata e sigurisë kombëtare, siguria e informacionit të klasifikuar dhe zhvillimet e fundit në Shërbimin Informativ të Shtetit. Në tryezë pritet të jetë edhe çështja e drejtimit të ri të SHISH, të cilin pas largimit të Hysenit do ta zerë drejtori i komanduar në SHISH Elvis Lila.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare kryesohet nga Presidenti i Republikës dhe përfshin drejtuesit e institucioneve kryesore të shtetit dhe të sigurisë.

Në mbledhje pritet të marrin pjesë Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, Ministri i Brendshëm Ervin Demo, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha, si edhe drejtues të institucioneve të sigurisë, përfshirë SHISH-in, Policinë e Shtetit dhe Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Sipas përcaktimeve ligjore, Këshilli i Sigurisë Kombëtare është organ këshillimor i Presidentit të Republikës për çështjet e sigurisë kombëtare. Në varësi të rendit të ditës dhe çështjeve që do të diskutohen, Presidenti mund të ftojë edhe drejtues apo përfaqësues të tjerë institucionesh.

Hera e fundit kur është mbledhur ky Këshill ishte në Qershor 2023 ku u diskutua “Gjendja e sigurisë kibernetike dhe masat e marra për forcimin e mbrojtjes kibernetike në Republikën e Shqipërisë”.

Gjatë kohës kur President ishte Ilir Meta, ky i fundit kishte ftuar kryetarin e atëhershëm të opozitës, Lulzim Basha i cili ju përgjigj pozitivisht kësaj ftese. Top Channel