Policia ka zbardhur ngjarjen e rëndë ndodhur sot në Kukës, ku u plagosën me thikë tre të mitur. Policia bën me dije se më datë 23.10.2026, rreth orës 13:35, në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, jashtë ambienteve të një bilardoje, dyshohet se, pas një konflikti për motive të dobëta, i mituri me inicialet A. G., 16 vjeç, ka goditur me mjet prerës (bixhak) tre të mitur, 16 vjeç, banues në Has dhe shokë klase me autorin e dyshuar.
Të dëmtuarit janë transportuar në Spitalin Rajonal Kukës për të marrë ndihmë mjekësore, ku dy prej tyre janë transportuar në Prizren për ndihmë mjekësore më të specializuar.
Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe shoqëruar autorin e dyshuar për veprime të mëtejshme procedurale.
Në vijim të veprimeve, u kap dhe u shoqërua për veprime të mëtejshme procedurale edhe një 16-vjeçar, i dyshuar si përkrahës i autorit të plagosjes.
Në cilësinë e provës materiale, është sekuestruar mjeti prerës (bixhak).
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit. Top Channel

