Lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë po përshkallëzohet. Administrata e presidentit Donald Trump ka vendosur kufizime të reja ndaj një sërë produktesh kanadeze, përfshirë alkoolin, produktet e qumështit dhe motoçikletat. Masat e reja u shpallën përmes një serie urdhrash ekzekutivë dhe pritet të hyjnë në fuqi më 29 shtator. Shtëpia e Bardhë argumenton se Kanadaja po diskriminon produktet amerikane, pasi vendos kufizime ndaj tyre që nuk aplikohen në të njëjtën mënyrë për mallrat nga vende të tjera.
Mes produkteve që do të ndalohen nga importi në SHBA janë disa produkte të qumështit, melasa e kallamit të sheqerit, birra joalkoolike, birra e prodhuar nga malti, si dhe një sërë produktesh vere, rumi dhe vodka. Në listë janë edhe motoçikletat dhe mopedët.
Për disa produkte të tjera, Uashingtoni ka vendosur rritje të tarifave të importit. Masat prekin lloje të ndryshme djathi, lëkurë dhe lëkura të papërpunuara, letër, disa lloje mobiljesh dhe dyshekësh, metale si alumini dhe hekuri, varka me motor, karroca golfi, pjesë për pajisje peshkimi dhe centrale.
Vendimi amerikan vjen pasi Kanadaja ka vendosur kundër-tarifa ndaj mallrave amerikane. Masat kanadeze prekin produkte si çeliku, veshjet dhe mobiljet dhe kanë hyrë në fuqi pas mesnatës.
Kryeministri kanadez Mark Carney tha se largimi i vendit nga SHBA-ja si partneri kryesor tregtar do të ketë një kosto, por sipas tij, kostoja e mosreagimit do të ishte edhe më e madhe.
Kanadaja është veçanërisht e ekspozuar ndaj përplasjes tregtare, pasi më shumë se dy të tretat e eksporteve të saj shkojnë drejt Shteteve të Bashkuara. Edhe SHBA-ja ka lidhje të forta tregtare me fqinjin e saj verior, i cili është partneri i dytë më i madh tregtar i Uashingtonit pas Meksikës.
Bizneset në të dyja anët e kufirit kanë shprehur shqetësim për pasojat e luftës tregtare. Frika kryesore është se tarifat dhe kufizimet e reja do të rrisin çmimet dhe do të ulin numrin e konsumatorëve.
Ekspertja e tregtisë Deborah Elms tha se masat e reja mund të kenë ndikim të fortë te bizneset kanadeze që varen nga blerësit amerikanë. Megjithatë, vlerësimet e para sugjerojnë se mallrat e prekura nga ndalimet kanë një vlerë rreth 1 miliard dollarë.
Përplasja mes dy vendeve mund të zgjerohet edhe më tej. Presidenti Trump ka paralajmëruar kompaninë kanadeze të avionëve Bombardier se nuk do të jetë më në gjendje të shesë produktet e saj në SHBA nëse nuk zhvendos prodhimin në territorin amerikan.
Ndërkohë, në Kanada ka nisur prej muajsh një bojkot i produkteve amerikane, veçanërisht i alkoolit. Në disa dyqane, produktet amerikane janë hequr nga raftet, ndërsa konsumatorët janë nxitur të zgjedhin produkte vendase.
SHBA-ja dhe Kanadaja kanë qenë prej dekadash aleatë të ngushtë dhe partnerë të rëndësishëm ekonomikë. Megjithatë, negociatat e fundit tregtare dështuan në fund të gushtit dhe deri tani nuk është planifikuar një raund i ri bisedimesh.
Me tarifat dhe kufizimet e reja që po hyjnë në fuqi, presioni mbi të dyja qeveritë për të gjetur një marrëveshje tregtare po rritet, ndërsa pasojat pritet të ndihen si nga bizneset, ashtu edhe nga konsumatorët në të dyja vendet. Top Channel

