Shtetet e Bashkuara dhe Irani mund të jenë pranë një përparimi diplomatik për t’i dhënë fund luftës, pasi Teherani ka shfaqur gatishmëri për të diskutuar edhe çështje që lidhen me programin e tij bërthamor, të cilat deri më tani i kishte mbajtur jashtë negociatave. Lajmi raportohet nga Bloomberg, duke iu referuar burimeve diplomatike. Sipas një diplomati, Irani po shqyrton propozimet për aktivitetet e tij bërthamore, të përcjella nga Katari, i cili po luan rolin e ndërmjetësit kryesor në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje. Në kuadër të këtyre zhvillimeve, presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me emirin e Katarit, ku në fokus kanë qenë përpjekjet për uljen e tensioneve dhe gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin. Trump ka deklaruar vazhdimisht se një nga objektivat kryesorë të luftës ishte pengimi i Iranit për të siguruar armë bërthamore. Megjithatë, që prej nisjes së konfliktit, mbetet ende e paqartë se në çfarë gjendjeje ndodhet programi bërthamor iranian dhe sa larg janë zhvilluar aktivitetet e tij. Teherani ka këmbëngulur vazhdimisht se programi i tij bërthamor shërben për qëllime paqësore. Megjithatë, gatishmëria për të ofruar më shumë transparencë mbi këto aktivitete mund të përbëjë një hap të rëndësishëm drejt një marrëveshjeje dhe përfundimit të luftës. Edhe Reuters dhe The New York Times kanë raportuar më herët se Irani ishte i gatshëm të bënte kompromis për çështjen bërthamore, duke rritur shpresat për një zgjidhje diplomatike.
Ndërkohë, zyrtarët e Katarit kanë zhvilluar kontakte në Doha dhe Teheran, në përpjekje për të finalizuar një marrëveshje të mundshme. Sipas raportimit, ndërmjetësit synojnë të shfrytëzojnë këtë moment përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA, të planifikuara për të martën. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

