Qeveria amerikane ka tërhequr përkohësisht nënshkrimin e një marrëveshjeje financimi mes grupit hungarez 4iG dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare të Zhvillimit të SHBA-së (DFC). Marrëveshja do të nënshkruhej të martën në mëngjes në Budapest, në selinë e 4iG, por ceremonia u anulua në minutat e fundit. Të ftuarit morën një mesazh nga drejtori ekzekutiv i kompanisë, Gellért Jászai, që kontrollon One Albania, ku njoftoheshin për anulimin, ndërsa sipas tij nënshkrimi pritet të zhvillohet në fund të shtatorit. Sipas mediave hungareze, përfshirë HVG, delegacioni amerikan është larguar tashmë nga Hungaria.
Vendimi vjen pas një vizite të Jászait në Uashington në fillim të gushtit, ku ai zhvilloi takime me partnerë strategjikë amerikanë të kompanisë dhe zyrtarë qeveritarë. Bisedimet u përqendruan në zgjerimin e bashkëpunimit të 4iG në sektorët e hapësirës, mbrojtjes, energjisë dhe zhvillimit të infrastrukturës dixhitale, si dhe në mundësitë për investime rajonale. Gjatë vizitës, Jászai u takua edhe me drejtues të DFC-së, mes tyre Conor Coleman, drejtor kryesor i investimeve, dhe Christopher P. Vincze, anëtar i bordit të drejtorëve të korporatës.
Shtyrja e marrëveshjes financiare ndodh në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet mes 4iG dhe shtetit hungarez. Pak para anulimit të ceremonisë, qeveria e Hungarisë njoftoi se do të nisë një shqyrtim të plotë të marrëdhënies me grupin, duke përfshirë kontratat e lidhura me shtetin. Për momentin nuk është bërë e ditur nëse ky shqyrtim është arsyeja e drejtpërdrejtë e shtyrjes së marrëveshjes me DFC-në amerikane, ndërsa kompania ka sinjalizuar se nënshkrimi mund të zhvillohet në fund të shtatorit.

