Lajme Zone
"SERENIGHTS FESTIVAL", NATA E DYTË E SERENATAVE NË KORÇË
KulturëCNA

"SERENIGHTS FESTIVAL", NATA E DYTË E SERENATAVE NË KORÇË

Korça vijon të këndojë nën tingujt e serenatave. Pas mbrëmjes së parë, “Serenights Festival” rikthehet këtë të premte me natën e dytë të edicionit të tij të tretë, duke sjellë muzikë, emocione dhe atmosferë festive në një tjetër hapësirë karakteristike të qytetit. Këtë mbrëmje, skena zhvendoset në Sheshin e Mitropolisë, ku artistë dhe instrumentistë do të bashkohen për një program të veçantë muzik

Korça vijon të këndojë nën tingujt e serenatave. Pas mbrëmjes së parë, “Serenights Festival” rikthehet këtë të premte me natën e dytë të edicionit të tij të tretë, duke sjellë muzikë, emocione dhe atmosferë festive në një tjetër hapësirë karakteristike të qytetit. Këtë mbrëmje, skena zhvendoset në Sheshin e Mitropolisë, ku artistë dhe instrumentistë do të bashkohen për një program të veçantë muzikor. Në programin e kësaj mbrëmje janë përfshirë Mihallaq Andrea, i njohur si Mjeshtër i Madh, Ermira Kola, Tomi Kondakçi, Flavia Zere, Erika Ahmet, Ester Troja, si dhe Panajot e Boni Hamzallari, të cilët do të interpretojnë për të pranishmit.

Pjesë e programit do të jenë edhe instrumentistë të ndryshëm, të cilët do të plotësojnë atmosferën muzikore me tingujt e trompës, saksofonit, baterisë, basit, pianos, keyboard-it dhe kitarës. Në skenë do të ngjiten Rajkard Bardhi, Brikel Guga, Aleks Zizi, Emil Zaharia, Geri Hasani, Xheni Kupi dhe Nuçiel Doko. Me natën e dytë, “Serenights Festival” vijon rrugëtimin e tij muzikor në Korçë, duke e zhvendosur atmosferën nga një hapësirë në tjetrën dhe duke sjellë serenatat më pranë qytetarëve dhe vizitorëve. Pas mbrëmjes së sotme në Sheshin e Mitropolisë, festivali do të vijojë të shtunën në Pazarin e Vjetër, me një program të pasur artistik, ndërsa të dielën do të përmbyllet në Rrugicën e Mitropolisë. Katër netë, katër vende dhe një dashuri e përbashkët për muzikën, nën moton: “Korça këndon. Serenata bashkon.”/ CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.