Deputetët e opozitës edhe gjatë protestës së djeshme u përballën me refuzimin e studentëve. Por numri një i PD doktor Berisha është i mendimit se ato incidente u prodhuan prej të paguare të qeverisë. “Në qoftë se ju quani studentë disa eksponentë që i morën shpirtin Flamingove, gaboni. Ata janë rrezik për çdo lëvizje. Ata janë zjarrfikës të paguar profesionistë. Kështu që nuk kanë asgjë të përbashkët me protestën. Kurse, ata që thonë se kjo protestë ishte e popullit, dje populli siç e patë ishte populli demokrat. Dhe ka qenë dhe do të jetë populli demokrat në mbështetje të studentëve, në mbrojtje të tyre”, tha Berisha.
Lideri demokrat në bashkëbisedimin e përjavshëm u pyet nëse mund të arrijë PD një bashkëpunim me partitë e tjera si Lëvizja Bashkë, Mundësia, Shqipëria Bëhet, për kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale.
“Partia Demokratike është e sinqertë, është e hapur dhe absolutisht e gatshme për kompromise dhe ujdi me këto forca politike për kandidatë të përbashkët në mbarë vendin dhe për një betejë të përbashkët në rrëzimin e Edi Ramës në Tiranë dhe kudo në Shqipëri. Dhe unë prapë shfrytëzoj këtë moment, t’u bëj thirrje drejtuesve të këtyre partive të lënë me një anë kundërshtitë dhe të bashkohemi për të shpëtuar Shqipërinë nga një e keqe e madhe që s’e ka pasur ndonjëherë. Çdo hezitim shkon në favor të Edi Ramës”, shtoi Berisha.
Kreu i PD nuk shikon ndonjë shqetësim nëse studentët krijojnë një front apo parti politike sic ndodhin në serbi: “A ka ngjashmëri me skenarin serb, në qoftë se e duan një këshillë miqësore paraprake? Jo, absolutisht! Thjesht miqësore, unë u them se nuk ka ngjashmëri. Lista studentore në Serbi përballej me një numër prej 30 e sa partish opozitare të vockla që shkonin maksimumi mos gabohem gjer në 7-8%. Pra, nuk kishte në Serbi një parti opozitare siç është Partia Demokratike”.
Studentët, tha Berisha, kanë shumë të drejtë të ndërmarrin çdo hap, vetëm të mos besojnë në atë që nuk është reale. Top Channel

