Lista Studentore në Serbi ka prezantuar një program të ri për ndryshimin e kushteve të punës dhe të drejtave sociale, ku një nga propozimet kryesore është java katërditore e punës, pa ulje të pagës. Sipas planit, punonjësit do të punonin 32 orë në javë, ndërsa do të përfitonin të njëjtën pagë. Ky model nuk do të ishte i detyrueshëm për të gjithë punëdhënësit, por do të zbatohej nga ata që vendosin ta adoptojnë. Programi parashikon gjithashtu kufizimin e kontratave me afat të caktuar në maksimumi 12 muaj, pas së cilës punëtorët do të mund të përfitonin kontrata të përhershme. Synohet edhe forcimi i mbrojtjes nga largimet e padrejta nga puna dhe presioni për ndërprerjen e kontratave. LEXO edhe...Marta Kos takon përfaqësuesit e Listës së Studentëve në Bruksel: Serbia ka mundësi për një fillim të ri Një tjetër pjesë e propozimeve lidhet me rritjen e pagesave shtesë për punën në kushte të veçanta. Lista Studentore kërkon kompensim minimal prej 150% për punën gjatë festave zyrtare, 110% të dielave dhe 50% për punën gjatë natës ose jashtë orarit. Shtesa parashikohen edhe për punën me ndërrime dhe atë në terren. Në paketën e masave përfshihen edhe përmirësime në të drejtat prindërore. Gratë e punësuara para shtatzënisë do të përfitonin pushimin e lehonisë pavarësisht llojit të kontratës, ndërsa për baballarët propozohet pushim tre-mujor pas lindjes së fëmijës. Për pushimin mjekësor gjatë 30 ditëve të para kërkohet kompensim prej të paktën 75% të pagës. Programi synon gjithashtu të forcojë të drejtat e punonjësve jashtë orarit zyrtar, duke u njohur të drejtën për të mos iu përgjigjur kërkesave të punës pas përfundimit të ditës së punës. Masa të tjera lidhen me mbrojtjen e punëtorëve të angazhuar përmes platformave digjitale dhe agjencive të punësimit. Ndryshime propozohen edhe në sistemin e pensioneve, përmes indeksimit dy herë në vit, rritjes së të ardhurave për pensionistët me pensione të ulëta dhe krijimit të një pensioni social për personat mbi 65 vjeç që nuk plotësojnë kushtet për pension kontributiv. Megjithatë, këto janë propozime të Listës Studentore dhe nuk përbëjnë ende ndryshime të miratuara ligjore. Për t'u zbatuar, ato do të kërkonin ndryshime në legjislacionin serb. P.J/ReportTv.al serbi Lista Studentore Komento Komente Sondazhi i ditës: Cilin mbështesni në përplasjen politike që u hap? Ramën 54.7% Veliajn 23.6% Asnjërin 21.7% Vota total: 598 Sondazhi i ditës: Cilin mbështesni në përplasjen politike që u hap?

