Lajme Zone
Serbia, konsullatë në Shkodër/ Marjana Koçeku: Kujt i shërben? Nuk është në përputhje me interesat kombëtare dhe aspiratat euroatlantike të Shqipërisë
PolitikëBalkanWeb
Ky artikull është pjesë e një historie me 5 burime — Krahaso mbulimin →

Serbia, konsullatë në Shkodër/ Marjana Koçeku: Kujt i shërben? Nuk është në përputhje me interesat kombëtare dhe aspiratat euroatlantike të Shqipërisë

Marjana Koçeku nëpërmjet një statusi në Facebook ka reaguar pas njoftimit të lajmit nga ministri i Jashtëm serb, Marko Djuriç, se Serbia dhe Shqipëria arritën një marrëveshje në parim për hapjen e zyrave konsullore në Shkodër dhe Bujanoc.

Marjana Koçeku nëpërmjet një statusi në Facebook ka reaguar pas njoftimit të lajmit nga ministri i Jashtëm serb, Marko Djuriç, se Serbia dhe Shqipëria arritën një marrëveshje në parim për hapjen e zyrave konsullore në Shkodër dhe Bujanoc. Ajo theksoi se hapja e një konsullate serbe në Shkodër është shumë e çuditëshme, ndërsa shtron pyetjen se “kujt i shërben?” Koçeku shton se nëse ky lajm është i vërtetë atëherë ministri i jashtëm Hoxha, duhet t’i japë përgjigje sa më parë pyetje. REAGIMI I PLOTË- Mediat serbe këto ditë kanë fillu me përhapë nji lajm që shpresoj nuk asht i vërtetë. Ministri i Jashtëm i Shqipnisë, z. Ferit Hoxha, dhe homologu i tij serb, z. Marko Gjuriq, paskan hy në bisedime për hapjen e nji konsullate serbe në Shkodër, mbas kërkesës dhe nevojës së kahershme për hapjen e konsullatës shqiptare në Bujanoc, ku gjysma e popullsisë atje asht shqiptare.

Këtë e ka konfirmu vetë ministri serb për mediat, tue deklaru se, në parim, palët kanë ra dakord për këtë projekt diplomatik. Ndërkohë, në njoftimin zyrtar të Ambasadës Shqiptare në Beograd përmendet vetëm hapja e konsullatës shqiptare në Bujanoc, ndërsa nuk ka asnji referencë për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër. Që të hapet konsullata shqiptare në Bujanoc ka shumë arsye dhe asht e nevojshme, por hapja e nji konsullate serbe në Shkodër asht e çuditshme.

Çfarë kërkon konsullata serbe pikërisht në Shkodër? Kujt i shërben ajo konsullatë? Këtyne dhe shumë pyetjeve të tjera ministri jonë i jashtëm z. Hoxha duhet me iu dhanë përgjigje sa ma parë, nëse ky lajm asht i vërtetë.

Sipas Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore dhe praktikës ndërkombëtare, hapja e konsullatave lidhet zakonisht me ekzistencën e nji komuniteti të konsiderueshëm të shtetasve të shtetit dërgues, me interesa të rëndësishme ekonomike, tregtare apo kulturore, si edhe me nevojën për ofrimin e shërbimeve konsullore, për shkak të fluksit të udhëtimeve apo shkëmbimeve. Në rastin e Shkodrës, të paktën në të dhanat publike, këto elemente nuk rezultojnë me qenë të pranishme në përmasa që me e justifiku hapjen e nji konsullate serbe.

Në censusin e vitit 2023, në tanë qarkun e Shkodrës rezultojnë vetëm 54 persona të vetëdeklaruem si serbë, ndërsa 106 janë të deklaruem si malazezë. Po ashtu, 90 janë të deklaruem boshnjakë, 20 maqedonas dhe 26 bullgarë. Në total, në tanë qarkun e Shkodres janë 296 persona të komuniteteve sllavishtfolëse, ma pak se 0.2% e popullsisë, prej të cilëve vetëm 54 janë serbë.

Kjo don me thanë se hapja e konsullatës serbe në Shkodër nuk bazohet aspak në nevoja reale të komunitetit. Përkundrazi, e ban krejt të arsyeshëm dyshimin se kena të bajmë me nji lëvizje me interes gjeopolitik nga ana e Serbisë.

Megjithatë, para se me ndërmarrë hapa të tillë, Serbia ka ende çështje të rëndësishme të pazgjidhuna me Kosovën, sidomos në dritën e deklaratës së fundit të ministres serbe Paunoviq kundër Kosovës, e cila ngjalli reagime dhe shqetësim. Do kishte qenë e udhës që edhe autoritetet shqiptare të kishin mbajtë nji qëndrim ma të fortë. Por kjo nuk ka ndodhë dhe më bajnë jashtë mase përshtypje politikat e buta kundrejt Serbisë.

Përvoja historike na ka mësu se çdo zhvillim në marrëdhëniet me Serbinë duhet me u trajtu me kujdes dhe me vlerësim të plotë të pasojave. Pikërisht për këtë arsye, çdo ndërmarrje e tillë diplomatike meriton transparencë, debat publik dhe nji analizë të kujdesshme në funksion të interesit kombëtar.

Hapja e nji konsullate serbe në Shkodër nuk kishte me u shërby aspak interesave të shqiptarëve, por vetëm interesave të Serbisë, tue ia forcu edhe ma tej pozitat në rajon. Kjo nuk asht në përputhje as me interesat tona kombëtare, as me aspiratat euroatlantike të Shqipnisë.

Serbia nuk mund të konsiderohet nji partnere e afërt politike përderisa vazhdon me mbajtë qëndrime dhe me ndjekë politika që shpesh bien ndesh me interesat e shqiptarëve dhe të Kosovës. Prandaj, Shqipnia duhet me e trajtu me kujdes çdo hap që mundet me ndiku në balancat politike të rajonit, tue u udhëheqë gjithmonë nga interesi kombëtar, mbështetja për Kosovën dhe aspiratat tona identitare për të ardhmen. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Marjana Koçeku