Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar kandidaturën e Eric P. Wendt për postin e ambasadorit të SHBA-së në Shqipëri, duke i hapur rrugën emërimit të tij zyrtar në Tiranë. Kandidatura e Wendt u votua në seancën plenare të Senatit me 50 vota pro dhe 44 kundër, pas mbështetjes së marrë më herët në Komitetin për Marrëdhëniet me Jashtë. Pas miratimit nga Senati, procedura pritet të përmbyllet me nënshkrimin e Presidentit amerikan Donald Trump, i cili është hapi i fundit për formalizimin e emërimit të tij si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Pas përfundimit të procedurave, Wendt pritet të udhëtojë drejt Tiranës, ku do të nisë zyrtarisht detyrën pas dorëzimit të letrave kredenciale te Presidenti i Republikës së Shqipërisë. KLIKO LIVE Eric Wendt do të jetë pasuesi i ambasadores Yuri Kim, e cila përfi mandatin e saj në Shqipëri në vitin 2023. Që prej asaj kohe, Ambasada amerikane në Tiranë është drejtuar nga të ngarkuar me punë, ndërsa procesi për emërimin e një ambasadori të ri u zgjat për shkak të procedurave të konfirmimit në Senat.
Kush është Eric P. Wendt?
Eric P. Wendt është një ish-oficer i lartë i ushtrisë amerikane, me mbi tre dekada shërbim ushtarak, pjesën më të madhe të karrierës së tij në forcat speciale amerikane “Green Beret”.
Ai ka shërbyer si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe ka mbajtur role të rëndësishme në fushën e sigurisë në Lindjen e Mesme dhe në rajonin e Paqësorit.
Gjatë karrierës së tij, Wendt ka qenë koordinator i sigurisë së SHBA-së për Autoritetin Izraelito-Palestinez gjatë viteve 2017–2019, si dhe shef shtabi në Komandën e Paqësorit të Shteteve të Bashkuara.
Ai është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara dhe ka përfunduar studime pasuniversitare në sigurinë kombëtare në Naval Postgraduate School. Wendt flet disa gjuhë të huaja, përfshirë arabishten dhe koreanishten.
Ky nuk është propozimi i parë i tij për një post ambasadorial. Gjatë mandatit të parë të Donald Trump, Wendt ishte propozuar për ambasador në Katar, por kandidatura e tij nuk u finalizua nga Senati amerikan. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

