Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka komentuar sot deklaratën e bërë nga presidenti Zelensky, se Ukraina nuk e njihte pavarësinë e Kosovës, pasi ajo ishte e njëanshme. Berisha shprehu keqardhjen për qëndrimin e kreut të shtetit ukrainas dhe e cilësoi deklaratën si “të papranueshme”. “Sot kemi një deklaratë në të cilën ne shprehim keqardhje për deklaratën e presidentit Zelenski në Beograd për pavarësinë e Kosovës, të cilin ai u shpreh se është e njëanshme. Kjo deklaratë e presidentit Zelenski vjen në kundërshtim të hapur me vendimet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, me planin e Ahtisarit të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Vjen në kundërshtim të hapur me vendimet e vendeve kryesore anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Vjen në kundërshtim të hapur me të drejtën dhe ligjin ndërkombëtar, të interpretuara ato me kërkesë të Beogradit nga Gjykata Ndërkombëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila është shprehur për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës. Por nga ana tjetër, deklarata është dhe në një aspekt tjetër jashtë çdo konteksti historik.
Shqiptarët janë një komb mik me kombin ukrainas dhe në Shqipëri dhe në Kosovë, ata janë solidarizuar plotësisht me luftën heroike të popullit të Ukrainës nën udhëheqjen e presidentit Zelensky kundër agresionit barbar rus.
Kurse Serbia gjer para pak kohëve ishte Kali i Trojës i Kremlinit në Ballkan. Është Rusia e vogël, e cila në mënyrë të pamohueshme shërbeu dhe vazhdon në një farë mënyre të shërbejë si prapavijë e fuqishme e Rusisë në Ballkan. Edhe në këtë kuadër deklarata e presidentit Zelenski është jashtë çdo konteksti, dhe mendoj unë, interesi për vendin e tij. Ndaj dhe Partia Demokratike e cilëson atë një deklaratë krejtësisht pa vend, krejtësisht të papranueshme dhe do të thosha një deklaratë fatkeqe në një vend që s’duhej bërë kurrë dhe për pavarësinë e Kosovës.”, tha ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Berisha
