Lajme Zone
Sara Gezdari, shqiptarja që kërkon të përfaqësojë konservatorët në garën për bashkinë e Londrës
PolitikëPolitiko

Sara Gezdari, shqiptarja që kërkon të përfaqësojë konservatorët në garën për bashkinë e Londrës

Sara Gezdari, me origjinë shqiptare, është në garë për të përfaqësuar Partinë Konservatore në zgjedhjet për kryebashkiakun e Londrës në vitin 2028. Ajo përballet në këtë garë me Sir James Cleverly dhe Festus Akinbusoye, ndërsa anëtarët e partisë po votojnë për të zgjedhur kandidatin që do të garojë përballë rivalëve politikë. Në një intervistë për median britanike “City AM”, Gezdari ka rrëfyer për

Sara Gezdari, me origjinë shqiptare, është në garë për të përfaqësuar Partinë Konservatore në zgjedhjet për kryebashkiakun e Londrës në vitin 2028. Ajo përballet në këtë garë me Sir James Cleverly dhe Festus Akinbusoye, ndërsa anëtarët e partisë po votojnë për të zgjedhur kandidatin që do të garojë përballë rivalëve politikë.

Në një intervistë për median britanike “City AM”, Gezdari ka rrëfyer përvojën e saj të fëmijërisë në Shqipërinë komuniste, duke thënë se dëshiron t’i kthejë Britanisë atë që ky vend i ka dhënë pas një fëmijërie të shoqëruar me frikë të vazhdueshme.

Ajo kujton se gjatë fundit të viteve ’80, së bashku me familjen, detyrohej të priste në radhë për racionet e bukës dhe qumështit. Sipas rrëfimit të saj, në rrugë shoqërohej edhe nga një person që e ruante, për shkak të frikës se mund të rrëmbehej dhe të shitej për prostitucion apo trafikim organesh.

Gezdari ia atribuon këto përvoja sistemit socialist, të cilin e përshkruan si një ideologji mediokriteti, ku njerëzit mezi arrijnë të mbijetojnë.

Pasi u largua në Itali gjatë adoleshencës, ajo studioi shkenca politike dhe nisi të ndërtonte bindjet e saj politike. Margaret Thatcher u bë një prej figurave që ndikuan në formimin e saj ideologjik, për shkak të qëndrimeve për tregun e lirë, sipërmarrjen private, shtetin e së drejtës dhe faktin që një grua drejtonte qeverinë britanike.

“Për këtë arsye erdha në Londër”, është shprehur Gezdari për “City AM”, duke treguar se nuk e shihte të natyrshme të ndiqte një karrierë politike në Itali.

Kritikat ndaj Sadiq Khan dhe premtimet për Londrën

Aktualisht e angazhuar në një kompani këshillimi për investimet, Gezdari ka qenë prej vitesh aktiviste e konservatorëve në jugperëndim të Londrës. Ajo e konsideron veten jo aq një kandidate në disavantazh, sa një alternativë të paparashikueshme në garën brenda partisë.

Gjatë intervistës, ajo ka kritikuar kryebashkiakun aktual të Londrës, Sadiq Khan, duke e akuzuar se përqendrohet te ekspozimi publik dhe aktivitetet me personazhe të famshëm, ndërsa nuk mban përgjegjësi për dështimet e drejtimit të tij.

Si shembuj, Gezdari përmend qëndrimin e Khan për bandat e abuzimit seksual, çështjen e gjobave të vendosura në mënyrë të paligjshme për shpejtësinë dhe kundërshtimin e kontratës së Palantir me Policinë Metropolitane.

Ajo ka kundërshtuar gjithashtu shpenzimet që i konsideron të panevojshme, duke kritikuar emërimin e disa zëvendëskryebashkiakëve dhe punën e ish-“Night Czar”, Amy Lamé. Sipas saj, këmbësorizimi i Oxford Street nuk duhej të ishte prioritet, në një kohë kur disa ura të Londrës kanë nevojë për riparime dhe disa prej tyre janë të mbyllura.

Ura Hammersmith dhe investimet private

Një prej çështjeve ku Gezdari kërkon të përqendrojë vëmendjen është rihapja e urës Hammersmith, riparimi i së cilës vlerësohet rreth 300 milionë paund.

Ajo ka vënë në kontrast këtë kosto me 144 milionë paundët e parashikuara për këmbësorizimin e Oxford Street. Si zgjidhje, Gezdari propozon përfshirjen e sponsorëve dhe investimeve private në zonën përreth urës, me synimin për ta rikthyer atë në funksion edhe për automjetet.

Kandidatura e saj mbështet idenë e përfshirjes më të madhe të biznesit në zhvillimin e infrastrukturës. Ajo mbështet gjithashtu projektin për zgjatjen e linjës Bakerloo të metrosë së Londrës, por nuk ka dhënë ende një qëndrim përfundimtar mbi mënyrën se si duhet të përdoren të ardhurat shtesë nga taksat lokale.

Gezdari është shprehur kundër vendosjes së një takse për qëndrimet gjatë natës në Londër, ndërsa ka propozuar lehtësime të taksave për bizneset.

Kundër zgjerimit të aeroportit Heathrow

Një tjetër çështje ku ajo nuk ndan të njëjtin qëndrim me drejtuesit konservatorë është zgjerimi i aeroportit Heathrow me një pistë të tretë.

Pavarësisht argumenteve ekonomike në favor të projektit, Gezdari është shprehur se mbetet kundër tij për shkak të ndikimit mjedisor dhe ndotjes akustike.

“Jam shumë e parehatshme me Heathrow. Duhet të shoh se si do të duken planet e reja”, ka deklaruar ajo për “City AM”.

Gezdari synon të jetë pjesë e vendimmarrjes për projektet madhore që prekin kryeqytetin britanik, por përpara kësaj duhet të sigurojë mbështetjen e anëtarëve të Partisë Konservatore, të cilët po votojnë gjatë këtij muaji për kandidatin që do të përfaqësojë partinë në zgjedhjet lokale të vitit 2028.

Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024, ajo kandidoi për Liberal Demokratët në Richmond Park, zonë ku kjo parti ka mbështetje të konsiderueshme, por nuk arriti të fitonte mandati. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm