Lajme Zone
“Sani” i JET Bank përfaqësohet nga “Wolf Theiss”; studio ligjore që shfaqet pas investimeve më të mëdha në Shqipëri
PolitikëPamfleti

“Sani” i JET Bank përfaqësohet nga “Wolf Theiss”; studio ligjore që shfaqet pas investimeve më të mëdha në Shqipëri

Në Tiranë drejtohet nga Sokol Nako, ish-ministër dhe ish-zyrtar i lartë i qeverisë. Dy juristë të saj, Xhet Hushi dhe Kristaq Profkola, rezultojnë njëkohësisht të autorizuar nga Sani Sanilevich për kompaninë e tij shqiptare dhe përfaqësues të strukturës franceze që kontrollon operatorin e Duty Free në Rinas. “Pamfleti” po investigon studion juridike që prej vitesh punon në pikën ku investitorët e mëdhenj takohen me institucionet shqiptare.

Foto ilustruese/ Nga “Sani” i JET Bank te 4iG, bankat, energjia, koncesionet dhe fijet që çojnë te kompanitë e inceneratorëve, emëruesi i përbashkët është “Wolf Theiss”, studioja ligjore dhe juristët e së cilës shfaqen në disa prej marrëveshjeve më të mëdha në Shqipëri Prej më shumë se dy dekadash, Wolf Theiss këshillon dhe përfaqëson kompani të përfshira në disa prej transaksioneve më të mëdha të zhvilluara në Shqipëri. Studioja ka punuar për 4iG në blerjen e ALBtelecom dhe ONE, për SNAM në marrëveshjen me Albgaz, për banka ndërkombëtare në emetimet e Eurobondit shqiptar dhe për investitorë të përfshirë në projekte të mëdha infrastrukturore. Në Tiranë drejtohet nga Sokol Nako, ish-ministër dhe ish-zyrtar i lartë i qeverisë. Dy juristë të saj, Xhet Hushi dhe Kristaq Profkola, rezultojnë njëkohësisht të autorizuar nga Sani Sanilevich për kompaninë e tij shqiptare dhe përfaqësues të strukturës franceze që kontrollon operatorin e Duty Free në Rinas. “Pamfleti” po investigon studion juridike që prej vitesh punon në pikën ku investitorët e mëdhenj takohen me institucionet shqiptare.

Wolf Theiss është një studio ndërkombëtare avokatie me qendër në Vjenë. E themeluar në Austri, firma është zgjeruar në Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore dhe sot ka qindra juristë në 13 vende. Ajo punon kryesisht për kompani të mëdha, banka, fonde investimi dhe grupe ndërkombëtare në blerje kompanish, financime, investime, projekte infrastrukturore dhe procedura rregullatore.

Wolf Theiss merret me strukturën juridike të biznesit të madh. Shërbimet e saj përfshijnë krijimin dhe organizimin e kompanive, strukturimin e pronësisë, hartimin dhe negocimin e kontratave, financimin, procedurat e konkurrencës, licencat, lejet, marrëdhëniet me autoritetet rregullatore dhe përfaqësimin e klientëve përballë institucioneve.

Në Shqipëri punon prej vitit 2004. Gjatë këtyre viteve, Wolf Theiss ka këshilluar kompani dhe institucione të përfshira në transaksione të mëdha në telekomunikacione, banka, energji, infrastrukturë, turizëm dhe financat publike. Publiku ka njohur emrat e kompanive dhe projekteve. Studioja që hartoi kontratat, strukturoi marrëveshjet dhe ndoqi procedurat ka marrë shumë më pak vëmendje.

Në korrik 2025, Sanilevich autorizoi Xhet Hushin, Kristaq Profkolën dhe Dajana Markun për të vepruar në emër të kompanisë së tij shqiptare, “SeaSun Albania Capital”. Prokura u jep kompetenca për procedurat në Qendrën Kombëtare të Biznesit, regjistrimin e pronarit përfitues, ndryshimin e të dhënave të shoqërisë dhe veprime të tjera korporative.

Xhet Hushi dhe Kristaq Profkola janë juristë të Wolf Theiss.

Të njëjtët dy emra figurojnë edhe në dokumentet e strukturës së Duty Free në Aeroportin e Rinasit. Hushi dhe Profkola, së bashku me juristen Blerta Nesho, përfaqësojnë kompaninë franceze që zotëron “Lagardère Travel Retail Albania”, operatorin e Duty Free.

Nga kjo pikë, kërkimi çoi te aktiviteti shumë më i gjerë i Wolf Theiss në Shqipëri. Studioja ka punuar në telekomunikacione, banka, energji, koncesione, financime ndërkombëtare dhe projekte infrastrukturore. Në krye të zyrës shqiptare është Sokol Nako, një jurist që përpara se të përfaqësonte investitorët e mëdhenj kishte kaluar vite brenda vetë administratës shtetërore.

Nako ka qenë pjesë e qeverive socialiste të fillimviteve 2000. Ai ka mbajtur postin e ministrit të Transportit në qeverinë e Ilir Metës, më pas atë të ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Shtetit për Integrimin Europian.

Pas largimit nga qeveria, Nako kaloi te Deloitte Albania, ku drejtoi fushën juridike dhe fiskale. Në vitin 2007 u bë partner i Wolf Theiss.

Edhe historia e Wolf Theiss në Shqipëri lidhet me dy prej emrave më të mëdhenj të shërbimeve profesionale ndërkombëtare. Zyra e Tiranës kishte funksionuar më parë nën ombrellën e Allen & Overy. Në vitin 2004 ajo kaloi te Wolf Theiss. Tre vjet më vonë, firma integroi aktivitetin juridik të Deloitte Albania.

Në të njëjtin vit, Sokol Nako kaloi nga Deloitte te Wolf Theiss.

Sot ai drejton zyrën e Tiranës. Wolf Theiss e prezanton Nakon si jurist të specializuar në investime të huaja, banka, financë, energji, infrastrukturë, telekomunikacione, taksa dhe blerje e bashkime kompanish. Profili i tij përmend gjithashtu punën në zhvillimin e legjislacionit shqiptar në fushën financiare, fiskale dhe korporative. Nako këshilloi qeverinë shqiptare për hartimin e legjislacionit të ri.

Ky rol duhet parë përballë klientëve që Wolf Theiss përfaqëson.

Studioja punon për kompani private në sektorë ku vendimet e shtetit kanë ndikim të drejtpërdrejtë. Telekomunikacionet kërkojnë licenca dhe miratime rregullatore. Bankat funksionojnë nën mbikëqyrjen e Bankës së Shqipërisë. Energjia lidhet me licenca, kompani shtetërore dhe kontrata publike. Projektet infrastrukturore dhe turistike kalojnë nëpër leje dhe vendime administrative.

Për këtë arsye, “Pamfleti” do të verifikojë konkretisht se në cilat nisma ligjore dhe rregullatore ka punuar Wolf Theiss ose drejtuesi i saj shqiptar dhe cilët klientë të studios kanë operuar në sektorët e prekur nga këto ndryshime.

Një nga transaksionet më të mëdha ku Wolf Theiss ka pasur rol të dokumentuar është hyrja e grupit hungarez 4iG në tregun shqiptar të telekomunikacioneve.

Wolf Theiss këshilloi 4iG në blerjen e shumicës së aksioneve të ALBtelecom. Firma këshilloi grupin edhe në blerjen e ONE Communications dhe në procedurat që përfunduan me bashkimin e dy operatorëve në ONE Albania. Vetë Wolf Theiss e ka cilësuar procesin si një nga bashkimet më të mëdha dhe më komplekse të realizuara në Shqipëri.

Në ekipin që punoi për këto transaksione ishin Sokol Nako, Kristaq Profkola dhe Xhet Hushi. Operacioni rajonal u drejtua edhe nga Richard Clegg, partner i Wolf Theiss në Sofje.

Richard Clegg del më vonë në një dosje tjetër. Regjistri tregtar bullgar e regjistron si person kontakti të “EM Capital Group”, kompani ku pronarë përfitues figuronin Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri të dosjes së inceneratorëve. Wolf Theiss ka punuar edhe në sektorin e gazit. Studioja këshilloi kompaninë italiane SNAM në marrëveshjen me kompaninë shtetërore shqiptare Albgaz sha. për krijimin e një strukture të përbashkët për operimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së gazit.

Në listat e klientëve dhe punëve të publikuara për Wolf Theiss figurojnë edhe Eagle Hills Properties, Salillari, Gjoka Construction, Marina Projects Limited dhe 4iG, krahas bankave dhe institucioneve të mëdha financiare.

Fakti që këto kompani përdorin të njëjtën studio juridike dokumenton shtrirjen e Wolf Theiss në një numër të madh transaksionesh dhe sektorësh strategjikë të ekonomisë shqiptare.

Studioja ka punuar edhe në operacionet e financimit të shtetit.

Wolf Theiss ka shërbyer si këshilltare juridike lokale për bankat ndërkombëtare që organizuan disa emetime të Eurobondit shqiptar. Në vitin 2021, kur Shqipëria emetoi 650 milionë euro borxh në tregjet ndërkombëtare, studioja këshilloi bankat drejtuese të transaksionit.

Në prill 2026, Sokol Nako dhe Kristaq Profkola këshilluan Morgan Stanley në emetimin ndërkombëtar prej 150 milionë eurosh të obligacioneve të BKT.

Wolf Theiss ka punuar kështu si në transaksione mes kompanive private, ashtu edhe në operacione që lidhen drejtpërdrejt me financimin e shtetit shqiptar.

Xhet Hushi figuron edhe në dokumentet e projektit të Marinës së Vlorës. Kompania britanike Marina Projects Limited përfaqësohej përmes tij në strukturën e shoqërisë koncesionare. Marina Projects ishte pjesë e strukturës fillestare të projektit për ndërtimin dhe operimin e marinës dhe figuron gjithashtu si klient i Wolf Theiss.

Xhet Hushi del te Marina e Vlorës, te 4iG, te SeaSun Albania Capital e Sanilevich dhe te struktura e Duty Free. Kristaq Profkola figuron gjithashtu në disa prej këtyre transaksioneve.

Përsëritja e të njëjtëve juristë në projekte dhe kompani të ndryshme tregon rolin që Wolf Theiss ka marrë në hyrjen dhe strukturimin juridik të investitorëve të mëdhenj në Shqipëri.

Në verën e vitit 2025, në këtë hartë hyri edhe Sani Sanilevich.

Biznesmeni izraelit krijoi “SeaSun Albania Capital”, ku rezulton pronar i vetëm. Objekti i kompanisë përfshin ndërtime civile dhe industriale, struktura turistike, infrastrukturë dhe aktivitete të tjera zhvillimi.

Për veprimet korporative në Shqipëri, Sanilevich autorizoi Xhet Hushin, Kristaq Profkolën dhe Dajana Markun. Hushi dhe Profkola kishin ndërkohë edhe një mandat tjetër: përfaqësimin e kompanisë franceze që kontrollon “Lagardère Travel Retail Albania”.

“Lagardère Travel Retail Albania” operon Duty Free në Rinas dhe e ka zgjeruar aktivitetin edhe në Portin e Durrësit.

Në procedurat shqiptare, kompania franceze përfaqësohet nga Kristaq Profkola, Xhet Hushi dhe Blerta Nesho.

Dy nga njerëzit që Sanilevich autorizoi për kompaninë e tij shqiptare përfaqësojnë pra edhe kompaninë mëmë të operatorit të Duty Free.

“SeaSun Albania Capital” ka selinë në Rrugën “Dhaskal Tod’hri”, nr. 35, Tiranë. Në të njëjtën adresë është regjistruar prej vitesh “Albanian Distribution & Development”, kompania e Agim Zeqos, e cila më parë mbante emrin “Albanian Drink Distribution”.

“Albanian Drink Distribution” figuron në listën e klientëve të Wolf Theiss.

Në të njëjtën adresë janë regjistruar edhe biznese të tjera të lidhura me Agim Zeqon, me aktivitet në tregtinë e pijeve, kafesë dhe produkteve të duhanit. Blerta Nesho, juristja që përfaqëson strukturën franceze të Duty Free, ka përfaqësuar më herët disa prej këtyre kompanive në procedura për marka tregtare.

Një tjetër element i rëndësishëm vjen nga vetë klientët e Wolf Theiss. Legal 500 publikon një vlerësim për ekipin shqiptar ku evidentohen marrëdhëniet e krijuara me autoritetet rregullatore dhe njohja e procedurave që ndihmon klientët gjatë negociatave dhe çështjeve rregullatore.

Kjo marrëdhënie ka peshë konkrete në sektorët ku punon studioja.

Telekomunikacionet varen nga licencat dhe autoritetet rregullatore. Bankat nga Banka e Shqipërisë dhe kuadri financiar. Energjia nga licencat, kontratat dhe ndërmarrjet shtetërore. Ndërtimi dhe turizmi nga lejet e zhvillimit, lejet e ndërtimit dhe vendimet administrative.

Investigimi vazhdon edhe në Bullgari.

Atje, partneri i Wolf Theiss Richard Clegg figuron në regjistrin tregtar si person kontakti i “EM Capital Group”, kompanisë ku si pronarë përfitues ishin regjistruar Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Më pas në EM Capital hyn David Julian White. White merr më vonë pronësinë e “Denebola Investments” dhe “7S Group”, dy kompani të përmendura në dokumentet e denoncuara publikisht për marrëdhënien mes EM Capital dhe Wolf Theiss. Regjistrat bullgarë dokumentojnë gjithashtu një lidhje të mëparshme mes Richard Clegg dhe David White përmes kompanisë Loren Networks.

Për më shumë se 20 vjet, Wolf Theiss ka këshilluar aktorë të përfshirë në privatizime, telekomunikacione, banka, energji, koncesione, investime të huaja dhe financime të shtetit shqiptar. Klientët dhe projektet e saj kanë qenë vazhdimisht pjesë e lajmit. Studio që ka hartuar marrëveshje, ka strukturuar transaksione dhe ka përfaqësuar këta klientë pranë institucioneve ka mbetur shumë më pak e ekspozuar.

“Dosja Wolf Theiss” nis pikërisht aty: te dokumentet që tregojnë se kush ka kaluar nëpër këtë studio, çfarë projektesh ka marrë përsipër dhe cilët njerëz të saj përsëriten në transaksionet më të rëndësishme të biznesit të madh në Shqipëri. (vijon) /Pamfleti

© Copyright Pamfleti

Ky artikull është material ekskluziv i Pamfleti dhe mbrohet nga e drejta e autorit, në përputhje me Ligjin Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.

Ripublikimi i plotë ose i pjesshëm i këtij shkrimi nga media të tjera lejohet vetëm duke cituar qartësisht Pamfleti si burim dhe duke vendosur në fund të materialit linkun e artikullit origjinal.

Çdo përdorim, kopjim apo ripublikim pa respektuar këto kushte përbën shkelje të së drejtës së autorit dhe mund të sjellë përgjegjësi ligjore sipas legjislacionit në fuqi. Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Ekonomi Këmbimi valutor 9 Shtator 2026! Mësoni me sa shiten e blihen monedhat e huaja sot 9 Shtator 2026, 07:1507:15Ekonomi Punët e mirëpaguara “grumbullohen” në Tiranë/ INSTAT zbulon hendekun e madh me qarqet 8 Shtator 2026, 08:2408:24Ekonomi Euro e dobët përballë lekut, mësoni me sa këmbehen monedhat e huaja sot 8 Shtator 2026, 07:1907:19Ekonomi Këmbimi valutor 7 Shtator 2026! Mësoni me sa shiten e blihen monedhat e huaja sot 7 Shtator 2026, 07:1907:19Ekonomi Nafta dhe ushqimet më lirë në Greqi, radhë të gjata në Kapshticë 6 Shtator 2026, 17:1017:10Ekonomi Euro e dobët përballë lekut, mësoni me sa këmbehen monedhat e huaja sot 6 Shtator 2026, 07:2107:21Ekonomi