Lajme Zone
Samiti si shpërqendrim i përkohshëm nga konfliktet e ardhshme midis fuqive të mëdha
PolitikëPamfleti

Samiti si shpërqendrim i përkohshëm nga konfliktet e ardhshme midis fuqive të mëdha

Ky samit mes fuqive të mëdha ka ngjallur shqetësim te shtetet e mesme dhe aleatët e tyre. Disa prej tyre, herë në heshtje dhe herë hapur, druhen se mund të arrihen marrëveshje të fshehta që ndajnë botën në zona influence, duke anashkaluar interesat e vendeve më të vogla.

Putin, Xi dhe Trump / Pas buzëqeshjeve dhe shtrëngimeve të duarve mes Trumpit, Xi Jinpingut dhe Putinit, rivaliteti mes fuqive të mëdha vazhdon të zhvillohet nëpërmjet luftërave me ndërmjetës. Ukraina mbetet fronti kryesor, ndërsa Lindja e Mesme është shndërruar në një tjetër arenë të përplasjes mes Uashingtonit dhe kundërshtarëve të tij… Takimi i së enjtes në Kinë mes presidentit amerikan Donald Trump, presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit rus Vladimir Putin, ku u diskutuan çështje të sigurisë globale, u shoqërua me buzëqeshje dhe shtrëngime duarsh. “Po bëjmë vërtet histori!”, deklaroi presidenti amerikan.

Ky samit mes fuqive të mëdha ka ngjallur shqetësim te shtetet e mesme dhe aleatët e tyre. Disa prej tyre, herë në heshtje dhe herë hapur, druhen se mund të arrihen marrëveshje të fshehta që ndajnë botën në zona influence, duke anashkaluar interesat e vendeve më të vogla.

Por realiteti i marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe Rusisë është shumë më konfliktual sesa sugjerojnë skenat diplomatike dhe diskutimet për një “Jaltë të re”. Ndërsa diplomacia lulëzon në tryezat e samiteve, Amerika dhe rivalët e saj po përplasen nëpërmjet luftërave me ndërmjetës në mbarë botën.

Luftërat me ndërmjetës janë një traditë e vjetër gjeopolitike. Ato u japin fuqive të mëdha mundësinë të dobësojnë kundërshtarin pa u përfshirë në një përballje të drejtpërdrejtë ushtarake, e cila mund të marrë përmasa shumë më të rrezikshme.

Në thelb, bëhet fjalë për një formë konsumimi të tërthortë të kundërshtarit. Gjen një vend që po lufton kundër armikut tënd dhe i siguron, hapur ose fshehurazi, armët, paratë dhe mjetet e tjera për t'i shkaktuar sa më shumë dëme.

Gjatë Luftës së Ftohtë, luftërat me ndërmjetës ishin shumë të përhapura. Uashingtoni dhe Moska përpiqeshin të fitonin terren, duke shmangur një përplasje bërthamore. Bashkimi Sovjetik i shkaktoi dëme të rënda fuqisë dhe burimeve amerikane, duke furnizuar Vietnamin e Veriut me raketa kundërajrore vdekjeprurëse dhe pajisje të tjera ushtarake.

Në vitet 1980, Amerika ia ktheu të njëjtën monedhë Moskës, duke ndihmuar kryengritësit afganë të luftonin dhe në fund të dëbonin forcat sovjetike nga Afganistani. Doktrina Regan, që premtonte mbështetje amerikane për luftëtarët antikomunistë, synonte të zmbrapste ndikimin komunist në disa fronte përmes luftërave me ndërmjetës: në Afganistan, Nikaragua dhe Angola.

Sot, Trump do të preferonte me siguri marrëdhënie të mira me Xi Jinpingun dhe Putinin. Udhëheqësit amerikanë dhe kinezë flasin për dëshirën e tyre për një “stabilitet strategjik konstruktiv”. Por atmosfera e favorshme diplomatike mund të jetë mashtruese, sepse një epokë e re luftërash me ndërmjetës është tashmë në zhvillim.

Dhe fronti kryesor mbetet Ukraina. Pas pushtimit rus në shkurt të vitit 2022, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë derdhën armë, para dhe informacione të inteligjencës në këtë vend, për ta ndihmuar të mbrohej, por edhe për të shfrytëzuar mundësinë e artë për të dobësuar ushtrinë ruse.

“Ne duam ta shohim Rusinë të dobësuar!”, deklaronte atëherë sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin. Kjo mbështetje i ka ndihmuar forcat ukrainase të vrasin qindra mijëra ushtarakë rusë. Ajo ka bërë të mundur gjithashtu sipas raportimeve, sulme ukrainase me dronë dhe raketa brenda territorit rus.

Lufta me ndërmjetës ka vazhduar edhe nën presidencën e Trumpit, ndonëse ai shpreson qartazi që t’i japë fund asaj. Ndërprerjet periodike të shërbimit satelitor Starlink dhe të mbështetjes amerikane me inteligjencë, tregojnë se sa jetike është ndihma e Uashingtonit për vazhdimin e rezistencës së Kievit.

Nga ana tjetër, Rusia është mbështetur fuqishëm te Kina, Irani dhe Koreja e Veriut. Këto vende druhen se një humbje ruse mund t'i linte të izoluara dhe të ekspozuara ndaj presionit ndërkombëtar. Ukraina është shndërruar kështu në një luftë globale me ndërmjetës, ku përballen dy koalicione të mëdha dhe kundërshtare.

Zhvillimet në Lindjen e Mesme, u kanë dhënë Moskës dhe Pekinit një mundësi tjetër për të dobësuar Shtetet e Bashkuara. Rusia u ka ofruar huthinjve në Jemen informacione për identifikimin e objektivave dhe ndihmë të tjera.

Edhe Kina është bërë një prej furnizuesve të rëndësishëm ushtarakë të tyre. Kohët e fundit,

të dyja fuqitë kanë ndihmuar gjithashtu Iranin të përballojë presionin ushtarak. Tregtia strategjike me Kinën ka mbështetur industrinë iraniane të raketave, të dëmtuar rëndë nga sulmet.

Kompani kineze i kanë siguruar Teheranit të dhëna satelitore që janë përdorur në sulme vdekjeprurëse me raketa kundër forcave amerikane. Uashingtoni thotë se edhe Moska i ka dhënë Iranit informacione për identifikimin e objektivave, të përdorura në sulmet ndaj bazave dhe objekteve amerikane të inteligjencës në Gjirin Persik.

Sigurisht, kjo qasje rrezikon të përshkallëzojë tensionet me Uashingtonin. Ajo sjell edhe rritjen e çmimeve të energjisë, gjë që i leverdis Moskës, por rëndon Pekinin. Megjithatë, përfitimi strategjik është i vërtetë.

Krizat e zgjatura në Lindjen e Mesme u sjellin Kinës dhe Rusisë një përfitim të drejtpërdrejtë: shpërqendrimin e Amerikës. Sa më shumë raketa Patriot të përdorë Uashingtoni në atë rajon, aq më pak i mbeten për t'ia dërguar Ukrainës.

Sa më shumë të konsumohet Marina Amerikane në luftimet me Iranin, aq më pak e gatshme do të jetë për një krizë të mundshme rreth Tajvanit. Një tjetër luftë e kushtueshme dhe pa rezultat vendimtar, e dobëson edhe imazhin e fuqisë amerikane në botë.

Në të ardhmen, kjo strategji mund të shtrihet edhe në rajone të tjera. Instituti kërkimor RAND, me lidhje të ngushta me Pentagonin, ka shqyrtuar skenarë në të cilët Rusia ose Kina mund të krijojnë probleme për Uashingtonin duke mbështetur qeveri apo aktorë joshtetërorë kundër interesave amerikane në Amerikën Latine.

Ky rrezik, është ndoshta një nga arsyet përse administrata Trump është përpjekur me kaq ngulm të mbyllë hapësirat për ndërhyrjen e fuqive të mëdha në këtë rajon. Po ashtu, ekziston mundësia që Uashingtoni dhe kundërshtarët e tij të mbështesin palë të kundërta në disa prej luftërave civile dhe konflikteve ndërkufitare në Afrikë.

Përplasjet në Etiopi dhe Sudan, kanë tërhequr tashmë një sërë aktorësh të jashtëm. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, janë përplasur për sigurimin e pranisë ushtarake në Niger, ndërsa Pekini dhe Uashingtoni kanë baza në Xhibuti. Strategët amerikanë, kanë hedhur madje idenë se prania e gjerë kineze në Afrikë mund të shndërrohet në një kurth për vetë Pekinin.

Pavarësisht samiteve të bujshme dhe diplomacisë së nivelit të lartë, rivaliteti gjeopolitik po bëhet gjithnjë e më i ashpër. Dhe luftërat me ndërmjetës po rikthehen edhe një herë, si arma e preferuar e fuqive të mëdha./Pamfleti nga “Bloomberg”samiti konfliktet e ardhshme Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Opinion Stina e re politike e Beogradit dhe nyja e vjetër e Kosovës 21 Nëntor 2026, 13:3613:36Opinion Nevoja për një kryebashkiak inxhinier të pa parti! 21 Nëntor 2026, 13:0013:00Opinion Elisa dhe dilema e trashëgimisë politike! 20 Nëntor 2026, 22:2022:20Opinion Bashkimi i rremë, pse e dëmton më shumë opozitën! 20 Nëntor 2026, 18:3118:31Opinion Pse çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë më të shtrenjta se në Europë apo Kosovë? 20 Nëntor 2026, 18:0718:07Opinion Integrimi evropian nuk është tepsi me pilaf, as tepsi me pushtet 20 Nëntor 2026, 17:5217:52Opinion