Pas disa ditësh diskutimesh dhe negociatash të vështira, samiti i OKB-së për klimën, COP31, i mbajtur në Turqi, është mbyllur pa arritur një marrëveshje të re madhore për përballimin e ndryshimeve klimatike. Përplasjet mes shteteve për të ardhmen e karburanteve fosile dhe ndihmën financiare për vendet më të varfra penguan arritjen e një kompromisi, raporton BBC. Negociatat duhej të përfnin të premten, por vijuan deri të dielën, duke e kthyer këtë konferencë në më të gjatën e zhvilluar ndonjëherë në kuadër të samiteve klimatike të Kombeve të Bashkuara. Një nga pikat kryesore të debatit ishte mungesa e një angazhimi të drejtpërdrejtë për reduktimin e përdorimit të karburanteve fosile në dokumentin përfundimtar. Bashkimi Evropian, vendet ishullore të Paqësorit dhe disa shtete të tjera kundërshtuan këtë formulim. Në të njëjtën kohë, vendet në zhvillim shprehën pakënaqësi për mungesën e garancive konkrete financiare nga shtetet e pasura, të cilat duhet t’i ndihmojnë të përballojnë pasojat e ndryshimeve klimatike. Një situatë e ngjashme, ku konferenca nuk arriti një marrëveshje kryesore politike, ishte regjistruar për herë të fundit në vitin 2009, gjatë samitit të Kopenhagës. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u shpreh i zhgënjyer nga rezultati, duke kritikuar ndikimin e industrisë së karburanteve fosile në negociatat ndërkombëtare. Ai akuzoi kompanitë e këtij sektori se po përdorin taktika për të vënë në dyshim shkencën dhe për të vonuar politikat klimatike, ndërsa përfitimet e tyre ekonomike rriten dhe kostot e krizës i përballojnë qytetarët. Nga ana tjetër, kryeministri australian Anthony Albanese ia atribuoi vështirësitë e negociatave situatës së ndërlikuar gjeopolitike ndërkombëtare, e cila, sipas tij, e bëri edhe më të vështirë arritjen e një qëndrimi të përbashkët. Përfundimi i COP31 pa një marrëveshje të re madhore rikthen në vëmendje përçarjet mes vendeve për mënyrën se si duhet të financohet lufta kundër ngrohjes globale dhe sa shpejt duhet të largohet bota nga karburantet fosile. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: klima samiti

