Siç pritej, madje edhe më keq nga sa ishte parashikuar. Projekti i dokumentit përfundimtar të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Klimën, COP31, nuk është miratuar. Në orën 4:30 të mëngjesit, sipas kohës lokale në Antalia të Turqisë, presidenca turko-australiane e COP31 publikoi draftin e tretë të dokumentit përfundimtar të kësaj konference jashtëzakonisht të brishtë. Pavarësisht emrit të bujshëm, “Marrëveshja e Antalias”, teksti është shumë i dobët. Në të nuk përmendet as edhe një herë fjala “fosile”, siç kishin kërkuar Arabia Saudite, Rusia dhe India. Ekziston vetëm një referencë e tërthortë ndaj shprehjes “transitioning away”, që nënkupton largimin gradual nga qymyri, gazi dhe nafta, përmes një rikujtimi të marrëveshjes së arritur tre vjet më parë në Dubai. LEXO EDHE:Europa hyn në një 'supercikël' zgjedhjesh kombëtare, analiza e 'The Guardian': Rezultatet mund të tronditin themelet e BE-së Dokumenti është aq i dobët, sa Bashkimi Europian, përmes ministrit irlandez të Mjedisit, Darragh O'Brien, e ka refuzuar draftin e paraqitur nga presidenca turke. “Bashkimi Europian shpreh zhgënjim të thellë, sepse në një moment kur bota ka nevojë urgjente për veprime që të shmangen nivele katastrofike të ngrohjes globale, vendimi që na propozohet është krejtësisht i pamjaftueshëm”, deklaroi përfaqësuesi europian. Ai shtoi se Europa e konsideron “të papranueshme një konferencë që bën ‘greenwashing’ me lëndët djegëse fosile”, duke iu referuar përpjekjeve për t'i paraqitur si miqësore ndaj mjedisit politika që në të vërtetë nuk sjellin ndryshime thelbësore. Përveç Bashkimit Europian, kundër dokumentit votuan edhe Panamaja, Ishujt Marshall, Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia. I vetmi rezultat i prekshëm, ai që që prej hapjes së punimeve ishte konsideruar shtylla kryesore e kësaj konference, është thirrja për elektrifikimin global. Dokumenti kërkon rritjen e pjesës së energjisë elektrike në konsumin përfundimtar të energjisë në nivel botëror në 35% deri në vitin 2035. Ky objektiv duhet të shoqërohet me përpjekje për shtimin e energjisë së pastër, përmirësimin e eficiencës energjetike, zgjerimin e përdorimit të teknologjive me emetime të ulëta, zhvillimin e sistemeve të ruajtjes së energjisë dhe modernizimin e rrjeteve elektrike, duke i bërë ato më të qëndrueshme dhe më fleksibël. Parashikohet gjithashtu përmirësimi i aksesit në energji. Megjithatë, thirrja për elektrifikim nuk kushtëzohet me përdorimin e burimeve të rinovueshme. Dokumenti thjesht kërkon që përdorimi i tyre të rritet. Gjatë paradites, hapja e diskutimeve në seancën plenare u shty për një kohë të gjatë. Nuk është aspak e sigurt se goditja përfundimtare e çekanit do të shënojë së shpejti mbylljen e COP31 dhe miratimin e një dokumenti që Bashkimi Europian nuk e pranon. Pak përpara fillimit të diskutimeve, delegacioni europian deklaroi se “teksti që u shpërnda këtë mëngjes tregon se po bëjmë hapa prapa”. Të shtunën, komisioneri europian për Klimën, Wopke Hoekstra, kishte paralajmëruar: “Më mirë të mos kemi fare marrëveshje, sesa të përfjmë një marrëveshje të keqe”. Bashkimi Europian nuk ka bërë lëshime për sigurimin e burimeve të reja financiare, por ka arritur një marrëveshje me vendet në zhvillim për paragrafët që lidhen me financimin e masave të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike. Për shembull, është përcaktuar një proces për të vendosur vitin bazë nga i cili do të llogaritet trefishimi i fondeve për përshtatjen klimatike, si edhe rrugët për arritjen e këtij objektivi. Megjithatë, në dokument nuk është përfshirë asnjë shumë konkrete, ndërkohë që vendet përfituese kishin kërkuar 120 miliardë dollarë në vit. Teksti përmban gjithashtu një referencë të qartë, megjithëse disi më të zbutur krahasuar me versionin e mëparshëm, për rolin e shkencëtarëve të Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), organit shkencor të OKB-së. Ata do të kontribuojnë me vlerësimet e tyre në procesin e dytë të Global Stocktake, mekanizmi pesëvjeçar i parashikuar nga neni 14 i Marrëveshjes së Parisit, përmes të cilit vlerësohet përparimi i përbashkët i vendeve të botës në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Ky cikël i dytë vlerësimi do të përfjë në vitin 2028. “Po shohim një konsensus të gjerë mes një shumice shumë të madhe, me vetëm disa çështje të vogla që mbeten për t'u zgjidhur. Tani topi është në fushën e qeverive”, deklaroi presidenti i COP31, ministri turk i Mjedisit, Murat Kurum. “Nëse ky vendim miratohet, do të kemi arritur objektiva shumë të rëndësishëm. Nëse nuk miratohet, besoj se ata që po e çojnë procesin e COP në një situatë bllokimi duhet të reflektojnë mbi qëndrimin e tyre”. Me pak fjalë, sipas kësaj logjike, përgjegjësia për bllokimin u mbetet atyre që kërkojnë që dokumenti të përmbajë një referencë të qartë për largimin nga lëndët djegëse fosile. Luca Bergamaschi, nga qendra studimore italiane Ecco, e komentoi kështu situatën: “Ajo që po shohim, nëse gjithçka përfn në këtë mënyrë dhe duke marrë parasysh edhe rezultatet jashtë negociatave, është se e vetmja risi që sjell kjo COP është konfirmimi i fillimit të epokës së elektrifikimit, si objektiv i përbashkët dhe kombëtar. Kjo është pozitive, sepse përbën rrugën më të sigurt dhe më ekonomike për të përballuar krizën klimatike dhe atë energjetike. Dhe kjo nuk ishte aspak e garantuar”. Të shtunën në mbrëmje, kukulla e maskotës Caretta, një breshkë e madhe blu me sytë e zgurdulluar, dergjej e copëtuar në dyshemenë e një korridori të COP31. Pak më tej, delegati i Nepalit shikonte përreth me një pamje të dëshpëruar. Fondi i Kombeve të Bashkuara për Humbjet dhe Dëmet ka akorduar vetëm 20 milionë dollarë për katastrofën e 26 gushtit në Nepal, kur shembja e një akullnaje mori 1.500 jetë njerëzish. Kjo shumë mbulon vetëm 0.7% të kostove të katastrofës. Janë dy pamjet simbolike të dështimit të kësaj konference për klimën, e cila po zvarritet tashmë në ditën e dytë përtej afatit të parashikuar. Pjesa më e madhe e punës mbetet e papërfunduar, si për dokumentin e shumëpremtuar dhe tashmë aq të shumëpritur të “Marrëveshjes së Antalias”, ashtu edhe për tryezat e shumta të negociatave që vazhdojnë të jenë të hapura ose janë shtyrë për “bisedime të ardhshme”. Gjatë natës, negociatat vazhduan pa ndërprerje, përmes asaj që njihet si “shuttle diplomacy”, diplomacia e vajtje-ardhjeve, me negociatorë që lëviznin nga një sallë në tjetrën në kërkim të një kompromisi. Një kompromis që do t'i lërë të gjithë të pakënaqur, por që ndoshta do të mundësojë të paktën mbylljen e konferencës dhe kthimin më në fund në shtëpi të delegatëve të 190 vendeve. Nga negociatat me dyer të mbyllura, presidenca turke kishte lënë të kuptohej se Arabia Saudite, Rusia dhe India “po pengojnë arritjen e konsensusit”, duke kundërshtuar çdo deklaratë që përmban shprehjen “transitioning away”, pra largimin gradual nga burimet fosile. Nga ana tjetër, Bashkimi Europian dhe vendet më të cenueshme ndaj ndryshimeve klimatike, përfshirë vendet afrikane dhe shtetet e vogla ishullore, duket se kishin gjetur gjuhën e përbashkët për financimin e përshtatjes klimatike. Nuk do të ketë para shtesë, por garanci që fondet e premtuara do të jepen. Kina, si gjithmonë, mban një qëndrim të paqartë. Pekini mbështet angazhimin për rritjen e elektrifikimit të konsumit të energjisë në 35% deri në vitin 2035, duke nxitur përdorimin e teknologjive të rinovueshme, një sektor në të cilin Kina është liderja e padiskutueshme botërore. Por, njëkohësisht, refuzon vendosjen e detyrimeve për përdorimin e burimeve të energjisë së pastër ndaj vendeve në zhvillim, të cilat vazhdon të këmbëngulë se i përfaqëson. Përplasja më e dukshme është ajo mes bllokut arab dhe Koalicionit të Ambicies së Lartë (High Ambition Coalition), ku bëjnë pjesë, ndër të tjera, Bashkimi Europian dhe shtetet ishullore të Paqësorit. Këto vende kërkojnë që dokumenti përfundimtar të përmbajë një referencë të qartë për largimin nga lëndët djegëse fosile, për të balancuar paragrafin që i kushtohet “kapjes dhe ruajtjes së karbonit”. Ky paragraf është kërkuar me ngulm nga Arabia Saudite, e cila po investon miliarda dollarë në këtë teknologji të debatueshme, që synon të pengojë çlirimin e dioksidit të karbonit në atmosferë. Kjo është një konferencë ku ka munguar udhëheqja politike. Përveç Europës, pjesa tjetër e Perëndimit ka qenë pothuajse e padukshme. Shtetet e Bashkuara të Donald Trumpit mungojnë prej dy vjetësh, ndërsa Japonia dhe Kanadaja kanë zgjedhur të qëndrojnë në hije. Nuk ka më protagonistë të mëdhenj. Në vend të tyre, ka kontradikta të mëdha. Panamaja, për shembull, paraqitet në këtë konferencë si kundërshtare e vendosur e lëndëve djegëse fosile, por njëkohësisht kundërshton transportin detar me emetime neto zero. Ose Arabia Saudite, mbretëria e naftës dhe e lëndëve fosile, e cila ndërkohë renditet mes dhjetë investitorëve më të mëdhenj në botë në energjitë e rinovueshme. Fjala e fundit i mbetet Vanuatus, arkipelagut të Paqësorit që po kërcënohet nga rritja e nivelit të detit. “A jemi gjendur ndonjëherë përtej kufirit të sigurisë prej 1.5°C? A kemi parë ndonjëherë mijëra njerëz të varrosur nën një akullnajë në Himalaje? Është e qartë që jo... Do të vazhdojmë përpara, aty ku është e mundur, së bashku me ata që janë të gatshëm të angazhohen”. Multilateralizmi po përçahet pikërisht në të vetmen betejë ku, megjithëse me shumë vështirësi, bota kishte arritur ende të ecte e bashkuar./CorrieredellaSera U.D U.D Shqiptarja.com TAG: BE klima konference turqi Antalia Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
21 Nëntor, 17:11
Cila mendoni se është rruga për zgjidhjen e kërkesave të studentëve? Dialogu 71.9% Protesta 22.3% Asnjëra 5.9% Vota total: 1393 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 21 Nëntor, 17:11 Cila mendoni se është rruga për zgjidhjen e kërkesave të studentëve?

