Lajme Zone
Sa na kushton krimi i organizuar?
BotëPamfleti

Sa na kushton krimi i organizuar?

Kjo shumë, përbën rreth 78 për qind të të gjitha shpenzimeve publike për arsimin në rajon.

Krimi i organizuar / Krimi i organizuar nuk matet vetëm me viktimat, frikën dhe pasigurinë që lë pas. Ai është gjithashtu një barrë e rëndë ekonomike, që largon investimet, frenon prodhimin dhe u heq vendeve vite të tëra zhvillimi. Në shtetet më të goditura, kostoja e tij mund të përkthehet në një humbje prej deri në 2 përqind të rritjes ekonomike çdo vit. Amerika Latine është ndoshta rajoni që paguan faturën më të lartë ekonomike në botë për shkak të krimit të organizuar. Sipas Bankës Ndër-Amerikane të Zhvillimit, krimi i kushton Amerikës Latine dhe Karaibeve mesatarisht 3.44 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vit.

Kjo shumë, përbën rreth 78 për qind të të gjitha shpenzimeve publike për arsimin në rajon.

Megjithatë, kjo kosto nuk shpërndahet në mënyrë të barabartë. Brazili, Kolumbia dhe Meksika dallohen si tre nga vendet më të goditura, si për përmasat e fenomenit ashtu edhe për mënyrën se si organizatat kriminale janë shndërruar në faktorë të mirëfilltë ekonomikë.

Por edhe këto shifra tregojnë vetëm një pjesë të realitetit. Analizat ekonomike llogarisin investimet e humbura, produktivitetin e dëmtuar dhe ngadalësimin e rritjes, por nuk mund të vendosin një çmim mbi jetët e humbura, familjet e shkatërruara apo komunitetet e detyruara të largohen nga shtëpitë e tyre.

Çdo përpjekje për t’i përkthyer këto tragjedi në shifra, do të ishte domosdoshmërisht e pamjaftueshme. Për këtë arsye, dëmi real i shkaktuar nga krimi i organizuar është shumë më i madh sesa tregojnë statistikat.

Kolumbia është ndoshta shembulli më i qartë i një vendi, ekonomia e të cilit është mbajtur peng për dekada nga një industri kriminale e ndërtuar rreth një produkti të vetëm: kokainës. Për më shumë se 40 vjet, rrjetet kriminale kanë krijuar një ekonomi paralele kaq të fuqishme, saqë trafiku i kokainës mund të krahasohet me një sektor të mirëfilltë eksporti.

Sipas një vlerësimi, vetëm tregtia e kokainës u solli organizatave kriminale rreth 16.5 miliardë dollarë në vitin 2024. Kjo shifër përfaqësonte afërsisht 4.4 për qind të PBB-së së Kolumbisë dhe ishte më e lartë se të ardhurat që vendi siguronte nga eksportet e naftës.

Kur kësaj i shtohen kostot e përgjithshme të krimit dhe dhunës, dëmi ekonomik bëhet edhe më i dukshëm. Banka Ndër-Amerikane e Zhvillimit dhe instituti Fedesarrollo vlerësuan se krimi dhe dhuna i kushtonin Kolumbisë rreth 3.6 për qind të PBB-së në vitin 2022.

Kolumbia ka kaluar dekada të tëra nën hijen e konfliktit të armatosur mes forcave paraushtarake të ekstremit të djathtë, gueriljeve të majta dhe karteleve kriminale. Industria e drogës, ka qenë vazhdimisht motori financiar që ka ushqyer këtë cikël dhune.

Qeveria kolumbiane luftoi për më shumë se gjysmë shekulli kundër Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë, FARC, përpara se të arrihej marrëveshja e paqes në vitin 2016. Një studim kishte vlerësuar se përfundimi i konfliktit të armatosur, mund ta shtonte me deri 4.4 për qind rritjen mesatare vjetore të ekonomisë.

Por paqja nuk prodhoi përfitimet ekonomike që priteshin. Ekonomia kriminale që marrëveshja synonte të çmontonte vazhdoi të zgjerohej dhe kultivimi i kokës arriti në nivel rekord, me rreth 230 mijë hektarë në vitin 2023.

Dhe aty ku është zgjeruar kultivimi i kokës, janë rikthyer shpejt edhe vrasjet, zhvendosjet e detyruara dhe sulmet e grupeve të armatosura. Kjo tregon se një marrëveshje politike nuk mjafton për të shkatërruar një ekonomi kriminale që ka krijuar prej dekadash rrjetet, financat dhe strukturat e veta të pushtetit.

Ndërkohë dëmi shtrihet deri te bizneset individuale. Studimet mbi kompanitë kolumbiane, kanë treguar se rrëmbimet dhe kërcënimet ndaj sipërmarrësve i detyrojnë drejtuesit e tyre të reduktojnë investimet për vite me radhë. Frika shndërrohet kështu në një lloj takse të padukshme mbi ekonominë.

Ndërkohë, grupet kriminale kolumbiane kanë zgjeruar aktivitetin e tyre drejt zhvatjes dhe nxjerrjes së paligjshme të mineraleve. Në Meksikë, organizatat kriminale kanë vendosur një sistem të vërtetë taksimi paralel.

Bizneset e vogla dhe të mesme detyrohen të paguajnë të ashtuquajturin ‘derecho de piso’, ose “të drejtën për të ushtruar biznes”, thjesht për t'u lejuar të vazhdojnë aktivitetin. Kjo pagesë e paligjshme prek pothuajse çdo hallkë të zinxhirit ekonomik.

Për pasojë, kostot transferohen gradualisht te konsumatori. Një kilogram lime (një agrume e vogël, e gjelbër dhe e thartë) që del nga ferma me 13 peso mund të arrijë në treg me një çmim deri në 85 peso. Në këtë rast, krimi nuk krijon asnjë vlerë ekonomike.

Ai thjesht zhvendos para nga ekonomia formale drejt organizatave kriminale, duke shkatërruar konkurrencën dhe duke rritur çmimet. Vlerësimet sugjerojnë se zhvatja i kushton Meksikës rreth dy për qind të PBB-së çdo vit. Sipas ekonomistëve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, krimi i heq ekonomisë meksikane nga 1-2 përqind rritje në vit.

Kjo ndihmon në shpjegimin e arsyes pse ekonomia meksikane vazhdon të ketë ritme të dobëta rritjeje, edhe pse treguesit e saj makroekonomikë shpesh konsiderohen relativisht të qëndrueshëm. Problemi nuk qëndron vetëm te politikat ekonomike, por edhe te fakti se një pjesë e madhe e ekonomisë funksionon nën presionin e dhunës dhe pasigurisë.

Situata është ndërlikuar më tej nga përplasjet me administratën amerikane të Donald Trump, e cila i trajton kartelet meksikane njëkohësisht si problem sigurie dhe çështje tregtare. Kërcënimet me tarifa, sanksione dhe ndërhyrje të njëanshme ushtarake, kanë shtuar pasigurinë dhe kanë dëmtuar besimin e investitorëve.

Në Brazil, modeli është disi ndryshe. Organizatat kriminale nuk veprojnë më vetëm si banda që kërkojnë të kontrollojnë territore. Ato po shndërrohen gjithnjë e më shumë në aktorë të sofistikuar financiarë.

Organizata të tilla si Primeiro Comando da Capital, PÇ, dhe Comando Vermelho, CV, prej kohësh kanë dalë përtej trafikut të drogës. Aktivitetet e tyre tashmë përfshijnë shpërndarjen e karburanteve, minierat, pasuritë e paluajtshme dhe fondet e investimeve.

Operacioni i fundit policor “Karboni i Fshehur”, zbuloi një skemë të gjerë përmes së cilës mbi një mijë pika karburanti dhe kompani fantazmë përdoreshin për të futur para të paligjshme në sistemin financiar formal. Ky transformim shpjegon një paradoks të rëndësishëm.

Numri i vrasjeve në Brazil ra me rreth një të pestën mes viteve 2013-2023, por kostoja ekonomike e krimit të organizuar vazhdoi të rritej. Krimi mund të jetë bërë më pak i

dukshëm në rrugë, por është bërë më i sofistikuar në ekonomi. Organizatat kriminale po profesionalizohen, po diversifikojnë investimet dhe po ndërthuren gjithnjë e më shumë me sektorët formalë.

Instituti Igarapé vlerësoi se në vitin 2025 vlera e përgjithshme e ekonomisë kriminale në Brazil arriti në 10.24 për qind të PBB-së, ose rreth 1.3 trilionë realë ose afro 250 miliardë dollarë. Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se, nëse Brazili do të arrinte ta ulte nivelin e kriminalitetit në mesataren botërore, ekonomia e tij mund të rritej me rreth 0.5 për qind më shumë çdo vit.

Krimi i organizuar është kthyer ndërkohë në një nga temat më të rëndësishme politike në të tre vendet. Në Kolumbi, qeveria përballet me presionin për të çmontuar ekonominë kriminale, ndërsa në Brazil siguria publike po fiton gjithnjë e më shumë peshë në përplasjen politike.

Edhe në Meksikë, presidentja Claudia Sheinbaum përballet me akuza dhe dyshime gjithnjë e më të forta për infiltrimin e krimit të organizuar në strukturat politike dhe financiare të pushtetit. Presioni nga Shtetet e Bashkuara është rritur ndjeshëm dhe çështja e karteleve po bëhet një faktor qendror në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Por problemi i vërtetë shkon përtej Amerikës Latine. Historia e këtyre vendeve, tregon se krimi i organizuar nuk është thjesht një çështje rendi publik apo drejtësie penale. Ai është një faktor ekonomik që mund të deformojë tregun, të largojë kapitalin, të frenojë investimet dhe të ulë perspektivën e zhvillimit të një vendi për breza të tërë.

Në vendet më të goditura, krimi i organizuar mund të ulë rritjen vjetore të PBB-së nga 0.5-2 përqind. Në pamje të parë kjo mund të duket si një diferencë e kufizuar, por efekti bëhet dramatik kur llogaritet në një periudhë afatgjatë.

Gjatë dy dekadave, një ekonomi që humbet vazhdimisht 1-2 përqind rritje çdo vit, mund të jetë 15-30 për qind më e vogël sesa do të ishte në kushte normale. Kjo është kostoja e fshehur e krimit të organizuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për paratë që vidhen, zhvatën apo pastrohen.

Fjala është për fabrika që nuk ndërtohen, vende pune që nuk krijohen, investime që nuk vijnë dhe breza të tërë që trashëgojnë një ekonomi më të varfër. Dhe edhe kjo faturë ekonomike mbetet vetëm një pjesë e dëmit.

Pas çdo përqindjeje të humbur të PBB-së qëndrojnë jetë të shkatërruara, familje të shpërngulura dhe shoqëri që mësohen të jetojnë nën pushtetin e frikës. Në fund, krimi i organizuar nuk e vjedh vetëm pasurinë e sotme të një vendi. Ai i vjedh atij edhe të ardhmen./Pamfleti nga “Project Syndicate”

Shënim: Guillermo Ortiz është ekonomist dhe ish-ministër i Financave të Meksikës, si edhe ish-guvernator i Bankës Qendrore të Meksikës.sa na kushton krimi i organizuar Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Ekonomi Mars-korrik, shqiptarët shpenzuan 80 milionë euro më shumë për të blerë naftë, për konsum të njëjtë 2 Shtator 2026, 07:3307:33Ekonomi Këmbimi valutor 2 Shtator 2026! Mësoni me sa shiten e blihen monedhat e huaja sot 2 Shtator 2026, 07:1707:17Ekonomi Turizmi ngadalëson ritmin, Shqipëria zbret në vendin e tretë në Europë 1 Shtator 2026, 19:0819:08Ekonomi Zbehet turizmi, Shqipëria humb kurorën për kryesimin e net-qëndrimeve në Europë 1 Shtator 2026, 12:5112:51Ekonomi Euro këmbehet me 92 lekë, mësoni çfarë ndodh me paundin dhe dollarin 1 Shtator 2026, 07:1407:14Ekonomi Çmimet e ushqimeve/ Shqipëria më e shtrenjta, në korrik u rritën pesë herë më shpejt se në BE 31 Gusht 2026, 07:4407:44Ekonomi