Lajme Zone
Sa është pesha reale e Erion Veliajt dhe Elisa Spiropalit në PS-në e Tiranës?
PolitikëPamfleti

Sa është pesha reale e Erion Veliajt dhe Elisa Spiropalit në PS-në e Tiranës?

Sali Berisha, me logjikën e çdo kundërshtari politik, kërkon të përfitojë nga kjo çarje. Synimi i tij është i qartë: të dobësojë Ramën, të marrë vota nga socialistët e pakënaqur dhe, në rastin më të mirë, ta kthejë konfliktin brenda PS-së në një aleancë kundër kryeministrit.

Erion Veliaj dhe Elisa Spiropali / Zgjedhjet e vitit 2025 treguan se Veliaj mund t’i shkëpusë vota PS-së, por jo ta përçajë atë; ndërsa Spiropali ka profil publik, por ende nuk ka strukturë, deputetë dhe socialistë pas saj. Përplasja frontale mes Erion Veliajt, të mbështetur politikisht nga Elisa Spiropali, dhe Edi Ramës pritet të përshkojë gjithë ciklin e ardhshëm politik, nga zgjedhjet vendore të vitit 2027 deri te parlamentaret e vitit 2029.

Sali Berisha, me logjikën e çdo kundërshtari politik, kërkon të përfitojë nga kjo çarje. Synimi i tij është i qartë: të dobësojë Ramën, të marrë vota nga socialistët e pakënaqur dhe, në rastin më të mirë, ta kthejë konfliktin brenda PS-së në një aleancë kundër kryeministrit.

Pyetja që ende nuk ka marrë përgjigje lidhet me peshën reale të Erion Veliajt në Partinë Socialiste. A mund ta përçajë ai PS-në dhe të prodhojë një efekt të ngjashëm me atë që krijoi LSI-ja pas largimit të Ilir Metës?

Për ta matur këtë mundësi, duhet parë çfarë ndodhi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Veliaj u arrestua në shkurt 2025, vetëm tre muaj para zgjedhjeve. Ngjarja goditi mazhorancën dhe veçanërisht PS-në e Tiranës, të cilën kryebashkiaku e kishte drejtuar politikisht për vite.

Megjithatë, Partia Socialiste mori në qarkun e Tiranës rreth 207 mijë vota dhe 19 mandate. Opozita dhe partitë e reja siguruan së bashku 17 mandate: 13 Partia Demokratike, dy Partia Mundësia, një Lëvizja Bashkë dhe një Shqipëria Bëhet.

Rezultati 19 me 17 tregon se Tirana prodhoi një garë të fortë, por jo përmbysjen që mund të sillte teorikisht arrestimi i drejtuesit politik të socialistëve në kryeqytet.

Efekti Veliaj u ndie më shumë në njësitë tradicionale të Bashkisë së Tiranës, por nuk shkaktoi dëmtim fatal për PS-në dhe as fitore të opozitës. Në historinë elektorale të qarkut, diferenca mes dy kampeve kryesore ka qenë shpesh e ngushtë, ndërsa brenda territorit të bashkisë socialistët kanë ruajtur epërsinë, me përjashtime të njohura si njësitë 8 dhe 11.

Partia Mundësia e Agron Shehajt mori kryesisht vota nga elektorati demokrat, së bashku me një pjesë të zgjedhësve gri. Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit preku më shumë elektoratin e majtë, të rinjtë dhe votuesit e pakënaqur me dy partitë e mëdha. Edhe Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt hyri në të njëjtin rezervuar pakënaqësie.

Nëse mandatet e Qorit dhe Lapajt përkthehen si humbje e së majtës, atëherë bëhet fjalë për rreth 16 mijë vota. Kjo rrjedhje mund të jetë zgjeruar pas protestave dhe të ashtuquajturit Revolucion Flamingo.

A përbën kjo bjerrje një efekt të drejtpërdrejtë të Erion Veliajt?

Ka afërsi politike dhe rrjete të përbashkëta mes disa qarqeve që mbështesin Veliajn dhe segmenteve të opozitës së re. Megjithatë, protestat dhe shpërthimi i dhunshëm i tetorit nuk prodhuan “Big Bang”-un politik që prisnin organizatorët dhe mbështetësit e tyre.

Problemi kryesor i Veliajt ndodhet brenda vetë PS-së. Ai ka drejtuar strukturat socialiste të Tiranës, ka kontrolluar emërime dhe ka shpërndarë poste, por nuk ka ndërtuar kurrë një marrëdhënie të fortë me anëtarësinë tradicionale. Raporti i tij me militantët ka qenë më shumë administrativ sesa politik.

Veliaj krijoi rrjete interesi rreth bashkisë, bizneseve dhe administratës, por nuk krijoi një rrymë ideologjike brenda PS-së. Kjo e dallon nga Ilir Meta, i cili kur u largua kishte deputetë, ministra, drejtues lokalë dhe një strukturë politike të gatshme për t’u kthyer në parti.

Një afrim i Veliajt me Sali Berishën do t’i jepte Edi Ramës armën që kërkon. Kryeministri mund t’i bashkojë kundërshtarët e brendshëm dhe të jashtëm nën etiketën e “frontit kundër integrimit europian”, duke e kthyer konfliktin personal me Veliajn në betejë politike për fatin e vendit.

Veliaj nuk humbet shumë nga kjo përplasje. Avokatët e tij ndërkombëtarë mund ta përdorin konfliktin me Ramën për të forcuar tezën e të burgosurit politik, veçanërisht në një proces të ardhshëm në Strasburg.

Edhe Rama përfiton. Ai zhvendos vëmendjen nga protestat, qeverisja dhe akuzat ndaj kabinetit, duke krijuar një kundërshtar të ri që vjen nga brenda PS-së dhe që mund ta lidhë lehtësisht me Berishën.

A janë koordinuar?

Nuk ka prova për një marrëveshje të tillë. Megjithatë, të dy po lëvizin në një gjatësi vale që u shërben interesave të tyre. Veliaj kërkon statusin e viktimës politike. Rama kërkon një komplot të brendshëm që ta përdorë për të disiplinuar partinë dhe elektoratin.

Deri tani, “efekti LSI” nuk është shfaqur. Synimi ka qenë largimi i deputetëve socialistë drejt një poli të ri rreth Veliajt dhe Spiropalit, por grupi parlamentar nuk është çarë.

Marjana Koçeku është e vetmja deputete që ka lëvizur hapur, megjithëse qëndrimet e saj e afrojnë më shumë me opozitën e Berishës sesa me një projekt të qartë të Veliajt. Elisa Spiropalin, nga ana tjetër, nuk e largoi ndonjë kryengritje e organizuar. Edi Rama e nxori nga rrethi i pushtetit.

Sipas informacioneve që qarkullojnë brenda mazhorancës, projekti për një parti të re të Veliajt dhe Spiropalit ka hyrë në fazën e organizimit dhe mund të formalizohet së shpejti. Shpresa e tyre është të tërheqin deputetë që nuk e kanë të sigurt rikandidimin, si dhe ish-ministra e ish-deputetë socialistë që prej kohësh janë rreshtuar kundër Ramës.

Deri atëherë, kemi më shumë një koalicion të pakënaqurish sesa një LSI të re. Veliaj ka para, lidhje dhe rrjete interesi. Spiropali ka profil publik dhe ambicie. Ajo që u mungon është pjesa vendimtare: socialistët./Pamfletierion veliaj elisa spiropali pesha reale ps e tiranës Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike 120-vjetori i Shoqatës “Tomorri”, Presidenti Begaj: Urë e fortë lidhëse mes brezave, diasporës dhe atdheut 22 Nëntor 2026, 12:1312:13Politike Veliaj shpërthen kundër Ramës: Nuk ia besoj jetën atij që më internoi 22 Nëntor 2026, 11:5411:54Politike A do t’i shesë Berisha zgjedhjet e Tiranës në këmbim të kullës së Shkëlzenit? Alimehmeti prova e pazarit 22 Nëntor 2026, 11:2511:25Politike Venecia në mes, Rama e Berisha në Pazar; kush do ta paguajë faturën e Reformës Zgjedhore? 22 Nëntor 2026, 09:3009:30Politike "CNN": Demokratët hapin 9 dosje për Trumpin, në krye Kushner dhe Guilfoyle 21 Nëntor 2026, 22:5822:58Politike Veliaj sfidon Ramën, nis “fshesën” në Bashkinë e Tiranës; ikin kreu i IMT-së dhe drejtoresha e Kopshteve 21 Nëntor 2026, 22:2822:28Politike