Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e kaluar në Gjoricë të Bulqizës, ku një grup prej pesë personash, të afërm mes tyre, kanë hyrë në lumin Drin për t’u larë.
Situata ka ndryshuar papritur pasi niveli i ujit në lumë është rritur, dyshohet si pasojë e hapjes së portave të një hidrocentrali në Dibër të Madhe. Rrjedha e fortë e ujit ka marrë përpara personat që ndodheshin në lumë.
Familjarët kanë kërkuar ndihmën e Policisë rreth orës 21:00. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet policore kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur operacionin e kërkim-shpëtimit.
Pas rreth katër orësh ndërhyrje, katër prej personave janë nxjerrë të sigurt nga lumi.
Ndërkohë, vijojnë kërkimet për një vajzë rreth 7 vjeçe, e cila dyshohet se është marrë nga rrjedha e Drinit. Ekipet e kërkim-shpëtimit po punojnë për gjetjen e saj.

