Lajme Zone
Rriten importet e ushqimeve në Shqipëri, prodhimi vendas nuk po përmbush kërkesën
EkonomiJOQ Albania

Rriten importet e ushqimeve në Shqipëri, prodhimi vendas nuk po përmbush kërkesën

Rënia e prodhimit bujqësor në vend po shoqërohet me një rritje të vazhdueshme të importeve ushqimore. Sipas të dhënave të INSTAT për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, Shqipëria importoi rreth 716 mijë tonë ushqime, ose 14% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të dhënat tregojnë se kërkesa në rritje për produkte ushqimore po mbulohet gjithnjë e më shumë nga importet, ndërsa prodhimi vendas vijon të mos përmbushë nevojat e tregut. Rritja nuk është mbështetur vetëm te partnerët tradicionalë, por edhe te zgjerimi i furnizimeve nga vendet e Europës Lindore dhe rajonit.

Kroacia dhe Moldavia shënuan rritjen më të lartë të importeve, kryesisht për drithëra, ndërsa u shtuan edhe furnizimet nga Ukraina, Maqedonia e Veriut dhe Greqia, me produkte si drithëra, zarzavate dhe bulmet. Ndërkohë, u rritën edhe importet nga vende si Brazili, Argjentina dhe Ekuadori, të lidhura kryesisht me mishin, frutat dhe produkte të tjera bujqësore.

Edhe pse Serbia mbetet furnizuesi më i madh i ushqimeve për Shqipërinë, importet nga ky vend ranë me 15% krahasuar me një vit më parë. Italia dhe Greqia vijojnë të jenë ndër partnerët kryesorë tregtarë, ndërsa pesha e vendeve të tjera të rajonit dhe Europës Lindore po rritet gradualisht.

Ekspertët e lidhin këtë prirje edhe me zgjerimin e turizmit, i cili ka shtuar ndjeshëm kërkesën për ushqime dhe produkte të konsumit. Sipas Eurostat, konsumi dhe investimet në Shqipëri po gjenerojnë një ndikim gjithnjë e më të madh në ekonominë e Bashkimit Europian, ndërsa kapacitetet e kufizuara të prodhimit vendas po e bëjnë vendin më të varur nga importet për të përballuar kërkesën në rritje.