Një “investim” i ri në rrugët e Kukësit ka shkaktuar reagime dhe komente nga qytetarët. Bëhet fjalë për një rrethrrotullim të ndërtuar së fundmi në zonën e Shotës vetëm me asfalt dhe ngjyra orientuese.
Por ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen është mënyra se si është realizuar. Qytetarët e kanë cilësuar si një “gungë me asfalt” dhe pyesin me ironi: “Jemi në Indi apo në Shqipëri?”
Në denoncimin e mbërritur pranë JOQ, ngrihet edhe pyetja se përse nuk investohet më shumë në kamera dhe masa për kontrollin e shpejtësisë, në vend të ndërhyrjeve të tilla.
Qytetarët i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të japin një shpjegim për këtë rrethrrotullim që po bën xhiron e Kukësit.
Denoncimi i qytetarit:
Përshëndetje JOQ! Kjo që po ndodh në Kukës është për të ardhur keq. Nuk po kuptojmë më nëse jemi në Indi apo në Shqipëri, me këto rrethrrotullime dhe ndërhyrje që po bëhen nëpër rrugë. A ka shtet apo jo? Ju lutem, shpërndajeni anonim, që ndoshta ta shohin edhe ata që kanë përgjegjësi për Kukësin. Fatkeqësisht, duket sikur vetëm kur denoncohen publikisht problemet merren më seriozisht. Në zonën e Shotës në Kukës është bërë së fundmi një rrethrrotullim i ri, me asfalt të ngritur si një lloj gunge, bordura dhe ngjyra për orientim. Në vend që rruga të jetë e rregullt dhe e përshtatshme për qarkullim, është bërë një tjetër pengesë për drejtuesit e automjeteve. Ironia është se thuhet gjithmonë se nuk ka fonde për kamera për kontrollin e shpejtësisë dhe për të gjobitur ata që shkelin rregullat, ndërkohë që për bordura dhe ndërhyrje të tilla në rrugë duket se gjenden para. Kukësi nuk është fshat. Qytetarët meritojnë rrugë të sigurta dhe infrastrukture të bërë siç duhet, jo ndërhyrje që ngrejnë më shumë pikëpyetje sesa zgjidhin probleme.

