Rreth 350 demokratë nga bashkitë e qarkut Vlorë kanë mbërritur në Tiranë, në mbështetje të protestës që pritet të zhvillohet në orën 10:00. Sipas informacioneve, rreth 230 prej tyre janë regjistruar më herët në degën e Partisë Demokratike në Vlorë, rreth 80 në degën e PD-së në Selenicë dhe rreth 40 në degën e Himarës. Burime nga Partia Demokratike bëjnë me dije se nuk ka pasur një organizim të veçantë për transportin e protestuesve me furgona apo autobusë. Personat që kanë shprehur dëshirën për të marrë pjesë në protestë janë regjistruar paraprakisht në degët përkatëse dhe janë nisur drejt Tiranës me mjete private. Ndërkohë, degët lokale janë kujdesur edhe për simpatizantët që nuk dispononin automjet, duke i koordinuar me persona të tjerë për transportin drejt kryeqytetit. Sipas të njëjtave burime, përveç personave të regjistruar në degët lokale, ka edhe qytetarë të tjerë që janë nisur drejt Tiranës me dëshirën për të marrë pjesë në protestë, por pa u regjistruar paraprakisht në strukturat e PD-së. Numri i tyre ende nuk është i konfirmuar.
