Zjarret e fuqishme që vijojnë prej disa ditësh në jugperëndim të Francës dhe në Spanjën qendrore kanë detyruar rreth 300 mijë njerëz të largohen nga banesat dhe zonat turistike. Në Francë është angazhuar edhe ushtria për të ndihmuar në përballimin e situatës, ndërsa Spanja ka shpallur gjendje emergjente kombëtare. Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, paralajmëroi për orë të vështira në vijim, ndërsa të dyja vendet kanë marrë ndihmë edhe nga Bashkimi Evropian.
Disa helikopterë nga Portugalia, Suedia, Gjermania, Republika Çeke, Sllovakia e Zvicra po ndihmojnë në situatën me flakët në Francë dhe Spanjë.
Autoritete në Spanjë raportuan për një person të vdekur në Valencia dhe disa të terë janë dërguar me urgjencë në spital me djegie dhe probleme në frymëmarrje.
Qeveria franceze zbriti në terren mijëra ushtarë dhe shpërndau 1.5 milionë maska për të ndihmuar njerëzit nga tymi. Autoritetet urdhëruan banorët e turistët të largoheshin menjëherë nga shumë zona në jugperëndim, të cilat tashmë janë boshatisur, për shkak të rrezikut.
Deri më tani, autoritetet raportojnë për më shumë se 200 mijë njerëz të evakuuar nga Franca dhe mbi 70 mijë nga Spanja, ndërsa lufta me flakët vazhdon. Top Channel

