TIRANË- Gjykata e Posaçme nuk ka bërë asnjë hap pas sa i përket rregullores që censuron mediat pavarësisht reagimeve të shumta si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Në një reagim për Report Tv, rrjeti SafeJorunalists që përfaqëson organizatat e medias në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Bosnje e Hercegovinë, Kroaci, Serbi dhe Mal të Zi kërkon që GJKKO të nisë menjëherë një diskutim të gjerë me gazetarët dhe përfaqësuesit e organizatave. Rrjeti SafeJournalists thotë se ndalimi i celularit në sallat e gjyqeve, vështirëson raportimin e shpejtë dhe të saktë për çështje me interes të lartë publik. “SafeJournalists inkurajon GJKKO-në të nisë një dialog të strukturuar me gazetarët dhe organizatat e tyre përfaqësuese gjatë kësaj periudhe fillestare të zbatimit dhe të dakordësojë një rishikim të hershëm të rregullave që lidhen me median pas muajit të parë. LEXO EDHE:Avokatët bojkot gjyqeve pas rregullores së re të GJKKO-së? Dhoma Kombëtare e Avokatisë mbledhje më 8 shtator Gazetarëve, si rregull, u kërkohet të depozitojnë telefonat celularë, kompjuterët portativë dhe pajisjet e tjera elektronike përpara hyrjes në sallën e gjykimit. Këto janë çështje që meritojnë diskutim të mëtejshëm lidhur me domosdoshmërinë, proporcionalitetin dhe kushtet praktike që u nevojiten gazetarëve për të raportuar në mënyrë të shpejtë dhe të saktë”, thuhet në deklaratë. SafeJournalists ngre pikëpyetje edhe për procedurën e akreditimit. Formulari u kërkon gazetarëve të dhëna personale, përfshirë adresën e banimit, ndërsa gazetarët freelancer duhet të provojnë aktivitetin e tyre profesional gjatë 12 muajve të fundit. Rrjeti thekson se në këto momente është e rëndësishme që rregullorja t’i nënshtrohet një rishikimi. “Ky rishikim duhet të marrë në konsideratë përvojën konkrete si të gazetarëve, ashtu edhe të stafit të Gjykatës, veçanërisht sa u përket kërkesave për akreditim, përdorimit të pajisjeve elektronike të zakonshme të punës dhe komunikimit me median, me synim bërjen e rregullimeve proporcionale aty ku rezultojnë të nevojshme”, thuhet në deklaratë. Dokumenti i hartuar nga Erion Bani, i cili hyri në fuqi më 1 shtator, vendos kufizime dhe ndalime që e pamundësojnë mbulimin mediatik të proceseve gjyqësore në GJKKO. Prania e kamerave bëhet thuajse e pamundur, ndërsa gazetarëve, të cilët duhet të kërkojnë leje për ndjekjen e çdo seance, iu hiqet dhe përdorimi i telefonave celularë, si një mjet pune për transmetimin në kohë reale përmes mesazheve me tekst, të informacioneve nga seancat. Gjithashtu, rregullorja e re ka futur edhe mekanizmin e akreditimit të gazetarëve ku ata plotësojnë formularë e deklarata që nuk garantojnë nëse do të mund t’i ndjekin seancat, por as të raportojnë lirisht në redaksitë përkatëse për shkak të moslejimit të përdorimit të mjeteve të punës. Rregullorja e re e GJKKO-së nuk prek vetëm gazetarët. Këshilli i Dhomës Kombëtare të Avokatisë ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme që do të mbahet të martën e 8 shtatorit për të vendosur hapat që do të marrin në vijim, ku nuk përjashtohet as bojkoti i gjyqeve. Ditën që rregullorja hyri në fuqi kreu i Dhomës, Maks Haxhia i dorëzoi një kërkesë Gjykatës së Posaçme që të rishikonte dispozitat që prekin komunitetin e avokatëve. Sipas tij, moslejimi i celularit në seanca prek drejtpërdrejt punën e avokatëve. Deklarata e plotë e Rrjetit SafeJournalists Rrjeti SafeJournalists po ndjek zbatimin e rregullave të reja për aksesin e medias në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), të cilat hynë në fuqi më 1 shtator 2026. Gjykata trajton disa nga çështjet më të rëndësishme të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri dhe, për këtë arsye, ndiqet rregullisht nga gazetarët që raportojnë për çështje me interes të lartë publik. Më 7 gusht, Rrjeti SafeJournalists ngriti shqetësime lidhur me disa nga dispozitat e Rregullores së re të Brendshme që prekin median dhe kërkoi rishikimin e tyre përmes konsultimit me gazetarët dhe organizatat e medias. Përpara hyrjes së Rregullores në fuqi, GJKKO publikoi më 31 gusht një dokument me pyetje dhe përgjigje, i cili ofron sqarime të dobishme për disa nga çështjet e ngritura më parë. Në veçanti, Gjykata konfirmoi se gazetarët e paakredituar mund të ndjekin seancat publike në të njëjtat kushte si publiku, në varësi të vendeve të disponueshme. Gjithashtu, sqaroi se gazetarët e akredituar, në kushte normale, nuk kanë nevojë për autorizim paraprak për të ndjekur seancat publike dhe se procedurat e posaçme për administrimin e aksesit duhet të zbatohen vetëm kur rrethana të tilla si kapaciteti i kufizuar i sallës, kërkesat e sigurisë apo interesi i lartë publik e bëjnë këtë të nevojshme. SafeJournalists i mirëpret këto sqarime. Megjithatë, mbeten disa çështje lidhur me mënyrën se si sistemi i ri do të ndikojë në praktikë në punën e gazetarëve. Formulari i akreditimit kërkon të dhëna personale dhe profesionale, përfshirë adresën e banimit të aplikantit, ndërsa gazetarët freelancer duhet të paraqesin prova të veprimtarisë profesionale gazetareske gjatë 12 muajve të fundit. Deklarata shoqëruese konfirmon gjithashtu se gazetarëve, si rregull, u kërkohet të depozitojnë telefonat celularë, kompjuterët portativë dhe pajisjet e tjera elektronike përpara hyrjes në sallën e gjykimit. Këto janë çështje që meritojnë diskutim të mëtejshëm lidhur me domosdoshmërinë, proporcionalitetin dhe kushtet praktike që u nevojiten gazetarëve për të raportuar në mënyrë të shpejtë dhe të saktë. SafeJournalists inkurajon GJKKO-në të nisë një dialog të strukturuar me gazetarët dhe organizatat e tyre përfaqësuese gjatë kësaj periudhe fillestare të zbatimit dhe të dakordësojë një rishikim të hershëm të rregullave që lidhen me median pas muajit të parë. Ky rishikim duhet të marrë në konsideratë përvojën konkrete si të gazetarëve, ashtu edhe të stafit të Gjykatës, veçanërisht sa u përket kërkesave për akreditim, përdorimit të pajisjeve elektronike të zakonshme të punës dhe komunikimit me median, me synim bërjen e rregullimeve proporcionale aty ku rezultojnë të nevojshme. Rrjeti mbetet i gatshëm të kontribuojë në mënyrë konstruktive në këtë dialog dhe do të vijojë të ndjekë zbatimin e Rregullores. Rrjeti SafeJournalists do të informojë aktorët përkatës kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këtë çështje dhe do të vazhdojë të monitorojë zbatimin e Rregullores. Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 5 shtator 2026 Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë Shoqata BH Gazetarët Shoqata e Gazetarëve Kroatë Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë Sindikata e Medias e Malit të Zi Rendit zhvillimet sipas orarit: Të Fundit Të Parat Ora 12:08 Avokatët bojkot gjyqeve pas rregullores së re të GJKKO-së? Dhoma Kombëtare e Avokatisë mbledhje më 8 shtator Këshilli i Dhomës Kombëtare të Avokatisë ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme që do të mbahet të martën e 8 shtatorit për të vendosur hapat që do të marrin në kundërshtim të rregullores së GJKKO-së që përveç censurës ndaj mediave, prek edhe avokatët të cilëve nuk do t’iu lejohen celularët në gjyqe.Një ndër kundërshtuesit më të mëdhenj të kësaj rregulloreje është kreu i Dhomës së Avokatisë Maks Haxhia. Më 1 shtator, ditën që rregullorja hyri në fuqi, ai i dorëzoi një kërkesë Gjykatës së Posaçme që të rishikonte dispozitat që prekin komunitetin e avokatëve.Sipas avokatëve, moslejimi i celularit në seanca prek drejtpërdrejt punën e tyre. Por, nisur nga mungesa e një përgjigjeje nga ana e kësaj gjykate, do të jetë mbledhja e këshilli drejtues ajo ku do të vendosen hapat e mëtejshëm për t’i bërë rezistencë rregullores. Një ndër masat që është paralajmëruar nga avokatët nëse GJKKO nuk do të tërhiqet është edhe bojkoti i seancave gjyqësore.Edhe mediat si dhe organizatat ndërkombëtare të tyre kanë kundërshtuar këtë rregullore që cenon të drejtën e informimit. SI.E./Shqiptarja.com Share SI.E./Shqiptarja.com TAG: dhoma e avokatise rregullorja e GJKKO safejournalist Erion Bani Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
2 Shtator, 23:22
Qeveria bllokon pagat e magjistratëve pasi KLGJ e KLP i rritën vetë, si e vlerësoni? Të drejtë 75.6% Të gabuar 20.3% Nuk e di 4.1% Vota total: 2425 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 2 Shtator, 23:22 Qeveria bllokon pagat e magjistratëve pasi KLGJ e KLP i rritën vetë, si e vlerësoni?

