Një incident i pazakontë në një dyqan teknologjie në qytetin Saratov të Rusisë është bërë viral në rrjetet sociale, pasi një robot humanoid duket se ka reaguar ndaj një klienti që e shtyu.
Në pamjet e filmuara brenda dyqanit, një burrë me bluzë të zezë afrohet pranë robotit dhe e shtyn atë. Vetëm pak çaste më vonë, roboti lëviz njërën këmbë në drejtim të tij, në atë që duket si një tentativë për ta goditur me shkelm. Reagimi i papritur i robotit i ka habitur personat që ndodheshin pranë.
Situata duket se përshkallëzohet më tej, pasi roboti vazhdon të lëvizë, përpara se të fiket. Sipas postimit që shoqëronte videon, roboti u nxor jashtë funksionit pasi ishte bërë i vështirë për t'u kontrolluar dhe më pas u dërgua për rinisje.
Videoja ka tërhequr menjëherë vëmendjen e përdoruesve në rrjetet sociale, të cilët kanë reaguar me humor, duke bërë shaka se robotët po fillojnë të “hakmerren” ndaj njerëzve. Disa e kanë krahasuar skenën me momente nga filmi fantastiko-shkencor “The Terminator”.
Ngjarja ka rikthyer edhe një herë diskutimet mbi sigurinë dhe kontrollin e robotëve humanoidë në ambiente publike.

