Robotët humanoidë kinezë kanë tërhequr vëmendjen në World Humanoid Robot Games në Pekin, pasi kanë regjistruar rezultate që tejkalojnë disa prej rekordeve më të njohura të atletikës njerëzore.
Në garën e 100 metrave, roboti humanoid Tiangong Ultra, i prodhuar nga kompania kineze X-Humanoid, e përshkoi distancën për 9.39 sekonda. Rezultati është më i shpejtë se rekordi botëror i Usain Bolt, prej 9.58 sekondash, i vendosur në vitin 2009.
Një tjetër rezultat tërhoqi vëmendjen në kërcimin së larti nga vendi. Një robot i X-Humanoid arriti 2.88 metra, duke kaluar rekordin njerëzor prej 2.45 metrash, i vendosur nga kubanezi Javier Sotomayor në vitin 1993.
Megjithatë, këto rezultate nuk konsiderohen rekorde të reja të atletikës. Bëhet fjalë për performanca të robotëve që krahasohen me rekordet njerëzore, ndërsa kushtet dhe rregullat e garave nuk janë të njëjta me ato të sportit njerëzor.
Para nisjes zyrtare të lojërave, edhe një robot humanoid i kompanisë kineze Honor kishte përshkuar 100 metrat në 9.32 sekonda, me një shpejtësi maksimale të raportuar prej 14.5 metrash në sekondë.
Në World Humanoid Robot Games marrin pjesë më shumë se 2 mijë robotë humanoidë, me delegacione nga 16 shtete. Programi përfshin 51 disiplina dhe mbi 1 mijë gara, nga vrapimi dhe kërcimi te pingpongu, futbolli, peshëngritja dhe tërheqja e litarit.
Garat po zhvillohen në National Speed Skating Oval në Pekin, stadiumi i ndërtuar për Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2022.
Pavarësisht rezultateve spektakolare, ekspertët vlerësojnë se robotët humanoidë mbeten kryesisht në fazën e demonstrimeve teknologjike, kërkimit dhe zhvillimit. Sfida kryesore nuk është vetëm shpejtësia apo fuqia, por aftësia për të kryer detyra të ndërlikuara në mënyrë të qëndrueshme dhe autonome në mjedise reale.
Performancat në Pekin janë një tjetër tregues i ritmit me të cilin po zhvillohet industria kineze e robotikës humanoide, në një garë teknologjike që po përfshin gjithnjë e më shumë kompanitë kineze dhe amerikane.

