Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se ka përfunduar operacioni për riatdhesimin vullnetar nga Siria të pesë shtetasve shqiptarë, mes tyre gra dhe fëmijë.
Operacioni u finalizua më 26 gusht 2026, pas një procesi të gjatë dhe të kujdesshëm, që kërkoi bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm mes institucioneve shqiptare, përfaqësive diplomatike e konsullore dhe autoriteteve të vendeve të përfshira.
Sipas Ministrisë, kthimi i shtetasve shqiptarë nga zona të prekura nga konflikti përbën një shprehje të përgjegjësisë së shtetit për mbrojtjen e qytetarëve të tij, edhe në situata të vështira dhe komplekse. Pas mbërritjes në Shqipëri, pesë shtetasve të riatdhesuar do t’u ofrohet asistenca e nevojshme, ndërsa do t’i nënshtrohen edhe vlerësimeve shëndetësore dhe psikosociale.
Institucionet përgjegjëse do të vijojnë punën për akomodimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri.
Ministria e Jashtme ka falënderuar institucionet dhe strukturat shqiptare të përfshira në operacion, si dhe autoritetet e huaja, veçanërisht ato siriane, për mundësimin e përfundimit të procedurave dhe sigurimin e tranzitit të shtetasve.
Ministria thekson se Task-Forca ndërinstitucionale do të vijojë punën për ndjekjen e procesit të rehabilitimit dhe riintegrimit të personave të kthyer.
Në të njëjtën kohë, institucionet do të vijojnë përpjekjet për riatdhesimin e shtetasve të tjerë shqiptarë, sa herë që të krijohen kushtet e nevojshme për kthimin e tyre të sigurt në Shqipëri. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *Fokus*KryesoreAktualitet

