Një interpelancë me Ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, e kërkuar nga opozita, është bërë shkak për pëplasje dhe kundërshti mes saj dhe deputetit të PD-së, Luçiano Boçi.
Në fjalën e saj, Kumbaro deklaroi se rezulatet e gjeneruara nga PISA 2025 janë një tregues për nivelin e arsimit në vend dhe hodhi akuza se mohimi i tyre vjen vetëm si një skemë dezinformuese dhe keqdashëse nga Partia Demokratike. “PISA nuk është një provim që Ministria e Arsimit e organizon sipas dëshirës së vet, ashtu siç nuk është as një listë shkollash që një zyrtar shqiptar mund ta shkurtojë apo ta zgjerojë sipas interesit politik të momentit. Është një vlerësim ndërkombëtar, me rregulla kampionimi të përcaktuara nga OECD-ja dhe nga konsorciumi ndërkombëtar që e drejton këtë proces në më shumë se 90 vende të botës, dhe këto rregulla zbatohen njësoj, pavarësisht se cila qeveri qëndron në pushtet kur zhvillohet testimi. Prandaj, kur dëgjoj të thuhet se "dikush ka vendosur të përjashtojë shkolla" nga ky proces, në mos qoftë dezinformim me dashakeqësi që s’dua ta besoj, e kuptoj menjëherë se po ngatërrohen dy gjëra thelbësisht të ndryshme: një procedurë statistikore ndërkombëtare, e vendosur shumë kohë para se testimi të fillojë, dhe një supozim politik për ndërhyrje të qëllimshme. Dhe më vjen shumë keq për banalizimin e këtij diskutimi, ku respektin për një testim të OECD – për të cilin tanimë po flet e gjithë bota, sepse të gjitha sistemet arsimore marrin mësimet e tyre nga këto rezultate - e nëpërkëmbni me dritshkurtësinë e allishverishteve tuaja politike a thua se bëhet fjalë për rezultatet e zgjedhjeve në godinën e SHQUP-it ku i plotësoni shifrat me rrumbullakosje sipas direktivave nga lart-poshtë”, theksoi Kumbaro. Në përgjigje të këtij qëndrimi, Boçi u shpreh se rëndësia e investimit të arsim duhet të ketë vetëm fitues përmes rezultateve arsimore të brezit të ri, ndërsa e konsideroi reagimin e Kumbaros si teatral. “Në këtë fushë ka humbës dhe fitues. Në arsim, ose humbasim ne ose fitojnë fëmijët tanë. Prandaj kam kërkuar që të jepni përgjigje për 12 pyetje dhe nuk dhatë asnjë përgjigje. Kjo është detyra jote. Është sjellje teatrale. Na keni akuzar se nuk vlerësojmë punën e mësuesve dhe nxënësve. Do shoh çfarë thotë OECD dhe jo PD. Ju pretendoni se Shqipëria është përmirësuar dhe se jemi ngritur në renditje. Na ato parrullat e dikurshme”,-tha Boçi./CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

