Media australiane “ABC Australia” i ka kushtuar një artikull të gjerë situatës në Shqipëri, duke u ndalur te protestat e zhvilluara në Tiranë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe debatet për zhvillimin turistik në zonat bregdetare. s “ABC Australia”, shkruan se në vend po rritet një pakënaqësi qytetare që lidhet me mbrojtjen e zonave natyrore, veçanërisht në zonën e Sazanit dhe Lagunës së Nartës. Lëvizja e njohur si “Revolucioni i Flamingove”, e cila nisi me shqetësimet mjedisore, sipas medias australiane është shndërruar në një protestë më të gjerë kundër mënyrës së qeverisjes. Artikulli i ABC Australia fokusohet te projekti për zhvillimin e një resorti luksoz në zonën e Sazanit dhe Zvërnecit, duke përmendur përfshirjen e kompanive të lidhura me Jared Kushner dhe Ivanka Trump.
Media australiane shkruan se projekti ka nxitur debate të forta mes mbështetësve të zhvillimit ekonomik dhe aktivistëve që paralajmërojnë për ndikimin në ekosistemin natyror. Ambientalistët e cituar në artikull shprehen se zonat si Laguna e Nartës dhe ishulli i Sazanit përfaqësojnë ndër pasuritë më të rëndësishme natyrore të Mesdheut dhe kërkojnë që çdo zhvillim të bëhet duke respektuar mbrojtjen e mjedisit.
“Flamingot” janë kthyer në simbolin e kësaj lëvizjeje, pasi Laguna e Nartës është një habitat i rëndësishëm për shpendët migratorë dhe specie të mbrojtura.
Në artikull përmenden edhe protestat e përditshme në Tiranë, ku qytetarë të shumtë kanë dalë kundër projekteve të mëdha turistike dhe kanë kërkuar më shumë transparencë nga institucionet.
Qeveria shqiptare ka deklaruar më herët se projektet turistike janë pjesë e strategjisë për zhvillimin ekonomik dhe se investimet duhet të shihen si një mundësi për rritjen e sektorit të turizmit.
Ndërkohë, sipas “ABC Australia”, debati për Sazanin dhe bregdetin shqiptar është kthyer në një nga çështjet më të diskutuara publike në vend, duke përballur dy qëndrime: mbrojtjen e zonave natyrore dhe nevojën për zhvillim ekonomik përmes investimeve. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: edi rama protesta

