Një restorant në qytetin Hollywood, në Florida të SHBA-së, ka tërhequr vëmendjen me një koncept të pazakontë që po bën bujë në mediat ndërkombëtare. Bëhet fjalë për C.L.A.S.S. Soirée Steakhouse, i cili organizon një herë në muaj darka ku mysafirët mund të hanë plotësisht të zhveshur.
Ideja lindi pasi një grup nudistësh rezervoi restorantin për një darkë private. Suksesi i asaj mbrëmjeje e shtyu pronarin dhe shefin e kuzhinës, Maurad Ali, ta shndërrojë eksperiencën në një aktivitet të rregullt, që zhvillohet të hënën e parë të çdo muaji.
Pjesëmarrësit shijojnë një menu me çmim fiks, e cila përfshin meze, pjata të para, kombinim mishi dhe ushqimesh deti, si dhe një dolli me shampanjë. Numri i vendeve është i kufizuar për të krijuar një atmosferë më intime.
Ajo që ka ngjallur më shumë debat është politika e çmimeve. Burrat paguajnë 250 dollarë për pjesëmarrje, gratë 150 dollarë, ndërsa çiftet 300 dollarë.
Sipas autoriteteve lokale, aktiviteti është i ligjshëm, pasi stafi që shërben klientët mbetet i veshur gjatë gjithë kohës. Në hyrje, mysafirëve u jepet një mantel, si dhe peshqir për prehër dhe mbulesë për ulëse, për të respektuar standardet e higjienës.
Shefi i kuzhinës, Maurad Ali, ka deklaruar se synimi i këtij koncepti është ta bëjë restorantin të dallohet në një treg shumë konkurrues. Sipas tij, interesi për këto darka ka qenë i madh që nga organizimi i parë dhe rezervimet plotësohen shpejt./ Burimi: People

