Reforma e re territoriale nuk do t'u largojë qytetarëve shërbimet, por synon të krijojë bashki më të forta dhe më të afta për të përfituar fondet e Bashkimit Europian. Kështu u shpreh në emisionin 'Studio Live' në Report TV, deputeti i Partisë Socialiste, Ermal Elezi, i cili garantoi se zyrat e administratës dhe njësive administrative do të vijojnë të funksionojnë pranë qytetarëve, pavarësisht ndryshimeve që parashikon harta e re. Drafti i PS-së parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46. Sipas propozimit, 33 bashki mbeten të pandryshuara, 28 pësojnë ndryshime, ndërsa qarqet nuk preken. Një tjetër risi është krijimi i qyteteve me status të veçantë ligjor, të cilat do të kenë një nënkryetar përgjegjës për koordinimin administrativ. LEXO edhe...Ylli Pata: Kungulleshka politike me numrin e bashkive Sipas Elezit, reforma nuk lidhet me një kërkesë të Bashkimit Europian, por me nevojën që pushteti vendor të jetë më i përgatitur për të zbatuar legjislacionin europian dhe për të përthithur fondet që do të jenë në dispozicion pas anëtarësimit. “Ajo çka ne na shtyn të shohim këtë reformë është që t’i bëjmë bashkitë tona të gatshme për Bashkimin Europian. Është një proces intensiv nga pikëpamja legjislative. Rreth 70% e legjislacionit të BE-së zbatohet në nivel vendor dhe kemi parë që sa më të vogla janë bashkitë, aq më të mëdha janë vështirësitë në zbatimin e funksioneve të deleguara. Ky lloj bashkimi i propozuar ndihmon bashkitë të plotësojnë ofrimin e të gjitha shërbimeve dhe detyrimeve”, u shpreh deputeti socialist. Ai theksoi se ndryshimet nuk do të sjellin mbyllje zyrash apo largim të shërbimeve nga qytetet dhe njësitë administrative. Përkundrazi, sipas tij, synimi është që njësitë të kenë më shumë kompetenca, ndërsa bashkitë të fitojnë kapacitetet profesionale që u mungojnë sot. “Çdo shërbim që ofrohet sot nuk do të lëvizë nga aty ku ofrohet. Nuk lëvizin zyrat e administratës së bashkive dhe as zyrat e njësive administrative. Ne duhet t'u japim më shumë kompetenca atyre dhe të decentralizojmë. Bashkitë e vogla e kanë të vështirë të gjejnë arkitektë, urbanistë, inxhinierë apo studio avokatie. Janë pikërisht këta ekspertë që e bëjnë të suksesshme përthithjen e fondeve të Bashkimit Europian”, tha Elezi. Drafti ka sjellë reagime në disa qytete, ku janë zhvilluar edhe protesta kundër shkrirjes së bashkive. Për Elezin, një pjesë e këtyre kundërshtimeve lidhen me disinformacionin. Për këtë arsye ai insistoi sërish se qytetarëve nuk do tu largohet shërbimi. “Ka një pjesë që, për habinë time, janë po të njëjtët që kanë shprehur zhgënjim për reformën e vitit 2014 dhe sot bëjnë protesta për ta mbrojtur atë reformë. Janë të njëjtat debate që kemi edhe sot. Shqetësimi se do të largohen shërbimet nuk ekziston. Ne e garantojmë që nuk ka asnjë propozim për largimin e asnjë shërbimi që është në gjendje të ofrohet pranë qytetarëve”, deklaroi ai. Elezi gjithashtu sqaroi edhe se procesi i reformës nuk ka përfunduar. Sipas tij, pjesa që lidhet me aspektin administrativ do të vijojë deri në korrik të vitit 2027, ndërsa zbatimi i plotë do të jetë në 2028-ën. "Zemra e reformës që ka të bëjë me aspektin administrativ do të vazhdojë deri në korrikun e 2027. Nuk jemi në përfundim të konsultimeve dhe vendimeve. Procesi është në vazhdimësi. Realizohet me faza. Njësoj ka bërë Finlanda, Suedia, Irlanda. Konsolidimi është bërë hap pas hapi. Më pas zbatimi i plotë nis në 2028 në aspektin e buxhetit dhe kapaciteteve institucionale" tha ai. U.D/ReportTv.al reforma territoriale ermal elezi Komento Komente Sondazhi i ditës: Reforma territoriale, cili opsion iu pëlqen më shumë? 46 bashki (PS) 62.2% 100 bashki (PD) 15.2% 61 bashki (si sot) 22.6% Vota total: 690 Sondazhi i ditës: Reforma territoriale, cili opsion iu pëlqen më shumë?

