Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot reformën e re të administratës publike, të quajtur “Shkalla e Meritës”, duke shpjeguar mënyrën se si do të funksionojë dhe ndryshimet që synon të sjellë në sistemin e administratës shtetërore. Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te tre shtyllat kryesore të reformës, hyrja në administratë përmes testimit kombëtar, përparimi në karrierë bazuar në meritë dhe përgjegjshmëria në drejtimin e institucioneve. Kreu i qeverisë foli gjithashtu për procesin e vlerësimit të drejtuesve dhe dorëheqjet e disa prej tyre nga postet që mbanin pak ditë më parë.
“Me Shkallën e Meritës po futemi te një element që i ndikon të gjithë të tjerët: njerëzit e administratës dhe mënyra se si menaxhohet dhe vlerësohet ky kapital njerëzor i Republikës së Shqipërisë.
Kur ishim duke hyrë në këtë proces, thosha gjithmonë ‘OK, po shtyjmë dhe këto drejtime negociatash do të hapen, por pastaj si do t’ia bëjmë kur të ulemi në tryezë?’, sepse kisha merak për nivelin e përgatitjes dhe disiplinës që kërkon një proces i tillë.
Sot konfirmohet hap pas hapi nga Brukseli dhe partnerët europianë se administrata jonë ka, fatmirësisht, njerëz që njohin në detaje fusha shumë komplekse, që gëzojnë respekt dhe janë të përkushtuar me jetën e tyre profesionale në shërbim të Republikës së Shqipërisë. Flas për qindra njerëz që ekzistojnë në Shqipëri dhe që kemi detyrimin t’i njohim dhe t’i vlerësojmë me shumë më tepër kujdes.
Një nëpunës mund të punojë me përkushtim për vite me radhë dhe përsëri të mos ketë fatin të rritet në karrierë, sepse mund të ketë një drejtues që nuk ia çmon vlerën. Dhe kjo është e padrejtë.
Kjo bëhet e padrejtë edhe për qytetarët që shërbehen, sepse krijon brenda organizimit të administratës një mpirje dhe demotivim, duke prishur atë shkallë të meritës që ne do ta vendosim në qendër të vëmendjes sonë dhe që do të jetë prioriteti i ministrisë së re.
Një pagë më e mirë dhe kushte më të mira pune nuk e zgjidhin problemin themelor, meritën. Dallimin nuk do ta lëmë në dorën e një drejtuesi apo të një tjetri, por do të bëhet në mënyrë sistemike.
Këtu merr rëndësinë themelore Shkalla e Meritës. Së pari, hyrja në administratë përmes testimit kombëtar për dëshmi të njohurive. Ky testim do të bëhet në bashkëpunim me Qendrën e Shërbimeve Arsimore, e cila po adopton modelin e provimeve të Kembrixhit. Ata që e kalojnë me sukses pajisen me certifikatë për katër vite dhe vazhdojnë konkurrimin.
Së dyti, përparimi gjatë karrierës. Ka shumë ankesa për meritokracinë, por nuk duhet të jetë vetëm kërkesa që shteti u bën nëpunësve, por edhe garancia që shteti u jep atyre, duke afirmuar se merita njihet.
Së treti, përgjegjshmëria për drejtimin e institucioneve.
Dhjetë ditë më parë, qindra drejtues iu nënshtruan një procesi vlerësimi të rezultateve në punë. Nuk është garë për të parë sa drejtues largohen apo për të ndryshuar emra, hiq Colin dhe sill Lolin. Është kërkesë për të parë ku ka çaluar puna dhe ku ka prodhuar më keq rezultate për shtetin. Aty ku problemet përsëriten duhet të ketë pasoja, pa cenuar kapacitetet dhe procesin e negociatave me BE-në”, tha Rama.
“Ajo e Administratës do të jetë një ministri që do të vijojë reformën e administratës. Shkalla e meritës do të ketë katalogun e kompetencave, regjistrin kombëtar të talenteve dhe MeritAI. Ata që duan të kontribuojnë në administratë do të regjistrohen dhe sipas profesionit dhe fushës së dijes do të informohen në kohë reale për të gjitha konkurset dhe do të kenë mundësi të jenë aktivë me këto mundësi. Do të identifikojmë më mirë potencialin funksional.
E di që ka skepticiziëm dhe tani që flas dikush thotë se kjo është periudhë për të shtyrë kohën qeverisëse. Në vitin e parë tonin hyja në Universitet dhe shihja njerëz “të shpejtë” që kapërcenin ata që nuk kishin një lidhje, baba të famshëm apo mbështetje partie. Tani në universitet hyn kush mëson. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në administratë. Nuk vendos AI kush largohet e afrohet, por falë saj gjithçka do të jetë transparente dhe çdo lëvizje do të jetë e bazuar te standardet e Shkallës së Meritës. Kjo do të ndodhë gradualisht. Kemi hyrë në një fazë vendimtare, nuk po ndërtojmë administratë europiane vetëm për ditën kur hyjmë në BE, por edhe për sot”, shtoi kreu i qeverisë. Top Channel

