Më në fund Rama lëshon pak pe për të mos lëshuar frerët e pushtetit. Ai pranon logjikën e referendumit për krizën e Zvërnecit. Kjo zbrapsje dihej dhe pritej që do të ndodhte, dhe jo nëse do të ndodhte. Ky fillim kapitullimi ishte edhe më i pritshëm kur fqinji i tij Vuçiç lëshoi llokmën e madhe, zgjedhjet e parakohshme. Si në një lojë shahu, Rama pranon të lëshojë linjën e parë të ushtarëve, para se të detyrohet të sakrifikojë një ditë tjetër figurat deri tek mbretëresha. Ekzaktësisht si Vuçiç, që sakrifikoi deri tek kryeministri Vuçeviç para se të detyrohej të pranonte zgjedhjet legjislative të parakohshme.Por Rama i ka bërë sërish llogaritë gabim. Problemi është se edhe referendumi që ai pranon tani, në vetvete është zgjedhje. Por në Shqipëri zgjedhjet manipulohen, siç thonë të gjitha raportet ndërkombëtare, me anë të shtetit që favorizon pushtetin. Me propozimin e ri që bën Rama jemi vendnumëro, sepse edhe rezultatet e referendumit supozohen të manipuluara si ato të zgjedhjeve të njëpasnjëshme të deritanishme. Rama krijon me këtë propozim një rreth vicioz.Konkluzion: vetëm dorëheqja e Ramës dhe krijimi i një qeverie tranzitore do të krijonin besimin e duhur në çdo proces të ardhshëm votimi, si për referendume ashtu edhe për zgjedhje. Maqedonia e Veriut e ka eksperimentuar këtë me sukses. Rama nuk do të mund t’i shpëtojë kësaj logjike të nevojës për rikthimin e besimit te institucioni i zgjedhjeve, çfarëdo shpikjeje të gjejë si kjo e sotmja për të dalë nga kriza ku është zhytur prej 3 muajsh. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

