Lajme Zone
Raundi i tretë i negociatave mes ekipeve të Eisenkot dhe Netanyahut, kushti i vështirë që mund të bllokojë marrëveshjen
BotëTop Channel

Raundi i tretë i negociatave mes ekipeve të Eisenkot dhe Netanyahut, kushti i vështirë që mund të bllokojë marrëveshjen

Bisedimet për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar përfunduan pa marrëveshje. Ekipi i Gadi Eisenkot kërkon përjashtimin e partisë së ekstremit të djathtë Otzma Yehudit nga koalicioni i mundshëm.

Bisedimet për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar përfunduan pa marrëveshje. Ekipi i Gadi Eisenkot kërkon përjashtimin e partisë së ekstremit të djathtë Otzma Yehudit nga koalicioni i mundshëm. Negociatat politike në Izrael mes përfaqësuesve të Gadi Eisenkot dhe kryeministrit Benjamin Netanyahu po vijojnë, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për formimin e një qeverie të unitetit kombëtar. Takimi i dytë mes ekipeve negociatore zgjati rreth katër orë dhe, pavarësisht zhvillimit të qetë të diskutimeve, nuk prodhoi një marrëveshje konkrete.

Sipas raportimeve të mediave izraelite, gjatë bisedimeve u diskutuan disa çështje të rëndësishme politike, përfshirë reformën në sistemin e drejtësisë, shërbimin e detyrueshëm ushtarak për hebrenjtë ultraortodoksë dhe ngritjen e një komisioni shtetëror hetimor për sulmin e Hamasit të 7 tetorit 2023.

Megjithatë, për asnjërën prej këtyre çështjeve nuk u arrit konsensus. Pika më e vështirë e negociatave lidhet me kërkesën e ekipit negociator të partisë Yashar, të drejtuar nga Eisenkot. Sipas televizionit izraelit Channel 12, përfaqësuesit e tij kërkojnë që partia e ekstremit të djathtë Otzma Yehudit (Fuqia Hebraike), e drejtuar nga Itamar Ben-Gvir, të përjashtohet nga çdo qeveri e mundshme e unitetit kombëtar.

Nga ana tjetër, partia Likud e Benjamin Netanyahut nuk ka pranuar deri më tani të angazhohet për plotësimin e këtij kushti.

Një tjetër çështje e ndjeshme lidhet me drejtimin e mundshëm të qeverisë së re. Sipas raportimeve të mediave izraelite, në takimin e fundit nuk u diskutua mundësia e rotacionit në postin e kryeministrit mes Eisenkot dhe Netanyahut.

Eisenkot, të paktën për momentin, kundërshton një skemë të tillë dhe synon që posti i kryeministrit t’i takojë ekskluzivisht atij në një qeveri të ardhshme të unitetit kombëtar. Në përfundim të takimit, të dyja palët konfirmuan se do të vijojnë bisedimet për çështjet e diskutuara. Megjithatë, ende nuk është bërë e ditur data e takimit të radhës.

Mbetet për t’u parë nëse palët do të arrijnë të kapërcejnë mosmarrëveshjet politike, veçanërisht kërkesën për përjashtimin e partisë së Ben-Gvir, e cila duket se përbën një nga pengesat kryesore për një marrëveshje. Top Channel