Pamje nga protestat në Sofie / Protestat masive të udhëhequra nga Gjenerata Z rrëzuan qeverinë, por nuk arritën të çmontojnë sistemin politik të zhytur në korrupsion. Një vit më vonë, zhgënjimi është rikthyer, ndërsa elita politike vazhdon të ruajë pushtetin. Përvoja bullgare tregon se rrëzimi i një qeverie, nuk do të thotë domosdoshmërisht edhe fundi i sistemit që e prodhoi atë… Është 29 tetor. Në Sofje ka rënë nata dhe dhjetëra njerëz janë mbledhur përpara ambasadës ruse për të protestuar kundër kryeministrit të vendit, të cilin e akuzojnë se është “shërbëtor i Putinit”. Kryeministri është Rumen Radev, i ardhur në pushtet pas zgjedhjeve të parakohshme të shkaktuara nga protestat masive të fundit të vitit të kaluar.
Tani, disa prej atyre që dolën në rrugë kundër qeverisë së mëparshme janë sërish në protesta, këtë herë duke kërkuar që Radev të dërgohet “në Siberi”. Shkak është qëndrimi i tij ndaj sulmeve të fundit me dronë në zonën detare bullgare të Detit të Zi. Protestuesit e akuzojnë për ngurrim në identifikimin e Moskës si autoren e mundshme të këtyre sulmeve.
Por ajo që bie në sy, është ngjashmëria e madhe me skenat e një viti më parë. Përbërja e parlamentit mund të ketë ndryshuar, por zemërimi qytetar ndaj korrupsionit të rrënjosur dhe mosbesimi ndaj elitës politike mbeten po aq të forta.
“Situata nuk është as më e mirë, as më e keqe. Është thjesht e njëjta!”, thotë Vesislava Tançeva, zëdhënëse e organizatës qytetare ‘Bullgarët të Bashkuar për një Qëllim”, e njohur me akronimin BOETS, që në bullgarisht do të thotë “luftëtar”.
Kjo organizatë organizoi protestën përpara ambasadës ruse dhe kishte qenë gjithashtu pjesë e demonstratave kundër qeverisë së mëparshme. Ka ndryshuar vetëm një gjë: përmasat e protestave.
Në nëntor dhe dhjetor 2025, dhjetëra mijëra bullgarë dolën në rrugë në të gjithë vendin.
Rënia e koalicionit qeverisës të drejtuar nga GERB, partia e qendrës së djathtë që dominon politikën bullgare që prej vitit 2008, u paraqit nga shumë media si një fitore e rëndësishme e qytetarëve. Aleksandar Tanev, atëherë 22 vjeç dhe student i drejtësisë, e përjetoi nga afër shpejtësinë me të cilën mund të mobilizohet Gjenerata Z.
Pas disa protestave, ai dhe një grup studentësh të tjerë themeluan lëvizjen “Studentët Kundër Mafies. Shumë shpejt, organizata nisi të merrte kërkesa nga të rinj në të gjithë vendin, të cilët dëshironin t'i bashkoheshin. Por, një vit më vonë, Tanev pranon se gjithçka që ndodhi nuk mjaftoi. “Kjo klasë e korruptuar drejtuese, që ka qeverisur Bullgarinë për më shumë se 15 vjet, mban përgjegjësi për gjendjen e qyteteve tona, rrugëve dhe sistemit arsimor. Ata janë fajtorë, por ne vazhdojmë t'i votojmë. Duhet të kuptojmë edhe përgjegjësinë tonë”, thotë ai për BIRN.
Të njëjtin shqetësim ndan edhe Asen Lazarov, 27 vjeç, një tjetër prej të rinjve që morën pjesë në protestat e vitit të kaluar dhe bashkëthemelues i organizatës joqeveritare “Politika Aktive”, e cila synon të afrojë të rinjtë me jetën politike.
“Protestat janë një mënyrë për të shprehur pjesëmarrjen demokratike, por nuk mund të jenë fundi i angazhimit qytetar. Duhet të kërkojmë më shumë nga politikanët që kemi zgjedhur”, thotë ai. Në një kohë kur lëvizjet qytetare në Francë, Shqipëri, Spanjë dhe Serbi po sfidojnë establishmentin politik, përvoja e Bullgarisë shërben si një paralajmërim për kufijtë e revoltës popullore.
Mund të rrëzosh një qeveri, por kjo nuk do të thotë se ke ndryshuar edhe mënyrën se si funksionon pushteti. Shkëndija që ndezi protestat në fund të vitit 2025 ishte një projektbuxhet. Por pakënaqësia shumë shpejt doli përtej çështjeve financiare dhe u shndërrua në një revoltë kundër vetë sistemit politik, shpjegon Dimitar Keranov, politolog dhe studiues vizitor në German Marshall Fund.
Bëhet fjalë për një sistem që e ka lënë Bullgarinë ndër vendet më të varfra dhe më të korruptuara të Bashkimit Evropian, siç dëshmojnë të dhënat e Komisionit Evropian dhe Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i Transparency International.
Kur qeveria e drejtuar nga GERB dha dorëheqjen më 11 dhjetor 2025, organizata BOETS paralajmëroi se beteja nuk kishte përfunduar. “Lufta nuk ka mbaruar. Pjesa më e vështirë sapo ka filluar…, deklaroi ajo.
Në prill të këtij viti, bullgarët votuan për herë të tetë në pesë vjet në zgjedhjet parlamentare. Fitorja dërrmuese i takoi partisë së sapokrijuar “Bullgaria Progresiste”, të drejtuar nga Rumen Radev. Ish-piloti ushtarak kishte qenë president që prej vitit 2017, por dha dorëheqjen në janar, përpara zgjedhjeve parlamentare.
Pas vitesh me koalicione të brishta dhe qeveri jetëshkurtra, ai arriti të krijonte një qeveri të qëndrueshme. “Strategjia e tij ishte shumë e zgjuar. Ai arriti të fitonte mbështetjen si të votuesve me prirje pro-ruse, ashtu edhe të atyre proevropianë, duke shmangur mbajtjen e qëndrimeve të qarta për shumë çështje”, shpjegon Keranov.
Ndërkohë, partitë opozitare, veçanërisht koalicioni proevropian “Vazhdojmë Ndryshimin - Bullgaria Demokratike”, i cili kishte qenë në radhët e para të protestave të vitit 2025, nuk arritën ta shndërronin mobilizimin qytetar në sukses elektoral.
“Radev e shfrytëzoi mobilizimin për të marrë pozicionin kryesor dhe shumë njerëz besuan tek ai”, thotë Tanev. Por sipas tij, problemi ishte se Radev nuk përfaqësonte një shkëputje të vërtetë nga establishmenti. ‘Radev është produkt i të njëjtit mjedis politik që pretendon se dëshiron të çmontojë. Në thelb, sistemi ka mbetur i paprekur!”, vëren Keranov.
Madje gjatë viteve në presidencë, ndonëse kompetencat e tij ishin kryesisht ceremoniale, paqëndrueshmëria politike i kishte dhënë mundësinë të emëronte disa qeveri të përkohshme. Një pjesë e konsiderueshme e njerëzve që drejtuan këto qeveri, përbëjnë sot bërthamën e kabinetit të tij si kryeministër.
Zhgënjimi me politikën u bë edhe më i dukshëm në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Iliana Jotova, e cila kishte qenë zëvendëspresidente e Radevit që prej vitit 2017, fitoi garën për postin e kreut të shtetit. Por pjesëmarrja në votime ra në vetëm 29,1 për qind, edhe më pak në raundin e parë.
Në zgjedhjet parlamentare të zhvilluara 6 muaj më parë, kishin votuar rreth 51 për qind e zgjedhësve. “Interesi për politikën ka filluar të bjerë”, thotë Tanev. Gjatë protestave të vitit të kaluar, kujton ai, njerëzit e kishin të qartë se duhej të dilnin në rrugë.
Motoja e lëvizjes “Studentët Kundër Mafies”, ishte që energjia e protestave të shndërrohej në pjesëmarrje elektorale. Por kalimi nga mobilizimi në rrugë te ndërtimi i një alternative politike, rezultoi shumë më i vështirë nga sa kishin menduar.
Për organizatën “Politika Aktive”, rënia e pjesëmarrjes në zgjedhje është veçanërisht shqetësuese. Lazarov paralajmëron se kur qytetarët largohen nga procesi politik, aktorët e përfshirë në korrupsion dhe ata që blejnë ndikim politik, fitojnë një pushtet shumë më të madh sesa pesha e tyre reale elektorale.
Përvoja e Bullgarisë ndryshon dukshëm nga ajo e Serbisë. Atje, studentët që udhëhoqën protesta për muaj të tërë pas shembjes tragjike të çatisë prej betoni në një stacion hekurudhor të saporinovuar, arritën t'i shndërronin kërkesat e tyre në një listë prej 250 kandidatësh të pavarur për parlament.
Lista i fitoi zgjedhjet e 25 tetorit, duke i dhënë fund 14 viteve të pushtetit të Partisë Progresiste Serbe. Aktualisht, përfaqësuesit e saj po zhvillojnë bisedime për zgjedhjen e kryeministrit dhe formimin e qeverisë së re.
Në Bullgari ndodhi e kundërta. Energjia që rrëzoi qeverinë në dhjetor nuk arriti të krijonte një përfaqësim të qëndrueshëm politik. “Shumë prej atyre që u mobilizuan dhe u përfshinë për herë të parë në politikë po rikthehen te zhgënjimi. Të tjerët, nuk besojnë më se vota mund ta ndryshojë gjendjen”, thotë Keranov.
“Njerëzit këtu zhgënjehen shumë shpejt nga politikanët, sepse nuk shohin asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit apo në ndryshimin e rregullave të lojës”, shpjegon Tançeva e BOETS. Sipas Keranov, Bullgaria tregon njëkohësisht forcën dhe kufijtë e lëvizjeve qytetare.
“Mund ta rrëzosh qeverinë, por sfida e vërtetë është sistemi që qëndron pas saj"", thotë ai për BIRN. Tanev e shpreh këtë dilemë edhe më drejtpërdrejt: “Së bashku jemi shumë të fuqishëm. Problemi fillon kur duhet ta shndërrojmë këtë fuqi në ndryshim konkret”.
Megjithatë, Keranov, Lazarov dhe Tanev këmbëngulin se protestat e fundit të vitit 2025 nuk shkuan dëm. Ato ndryshuan në njëfarë mase mënyrën se si shoqëria bullgare e sheh politikën dhe pjesëmarrjen qytetare, veçanërisht brezi i ri. “Njerëzit janë të zhgënjyer, por energjia e protestave nuk është zhdukur”, thotë Keranov.
Megjithatë për të rikthyer në rrugë turma të tilla si ato të vitit të kaluar, do të duhej një ngjarje e re që të shkaktonte të njëjtën pakënaqësi. Projektbuxheti i vitit 2025 ishte shkëndija që bashkoi zemërimin e qytetarëve dhe i nxori ata në protesta masive.
Edhe sot bullgarët vazhdojnë të protestojnë, ndonëse në numër shumë më të vogël. Janë organizuar demonstrata kundër planit të shpenzimeve publike të qeverisë për vitin 2027, për të cilin kundërshtarët pretendojnë se do të rëndojë më tej standardin e jetesës.
“Po shohim se si paratë e bullgarëve po shpërdorohen çdo ditë”, thotë Lazarov. “Këtë vit kostoja e jetesës është dyfishuar, ndërsa pagat tona kanë mbetur po ato”, shprehet Viktoria, 32 vjeçe, banore e Sofjes. Por pakënaqësia nuk lidhet vetëm me ekonominë.
Edhe politika e jashtme e qeverisë po shkakton shqetësim. Organizata BOETS ka udhëhequr disa protesta javët e fundit, duke kundërshtuar mënyrën se si Radev dhe Jotova kanë reaguar ndaj sulmeve me dronë në Detin e Zi dhe afrimin e tyre me Moskën.
Pavarësisht zhgënjimit, Tanev, bashkëthemeluesi i lëvizjes “Studentët Kundër Mafies”, thotë se nuk e ka humbur optimizmin. “Tani njerëzit e kuptojnë më mirë se përse është e rëndësishme të protestosh”, shprehet ai.
I pyetur se çfarë do të bëjnë nëse drejtuesit e vendit nuk sjellin ndryshimin e shumëpritur, përgjigjja e tij është e prerë: “Ne do të vazhdojmë betejën tonë!”./Pamfleti nga “BIRN”rasti bullgar ndryshimi i qeverisë Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Përplasja Netanyahu-Eisenkot pas dyerve të mbyllura, Bibi nuk arriti ta bindë për të sulmuar Iranin 13 Nëntor 2026, 10:5410:54Rajoni dhe Bota Si u “dorëzua” njeriu që ndërtoi perandorinë Nvidia, Bloomberg zbulon prapaskenat e rënies së Jensen Huang 13 Nëntor 2026, 10:5110:51Rajoni dhe Bota Trump jep sinjale për ndërhyrje ushtarake në Kubë: Dua ta zgjidh këtë çështje para se të largohem nga Shtëpia e Bardhë 13 Nëntor 2026, 10:3110:31Rajoni dhe Bota 'Ndizet' lufta në Lindjen e Mesme, Irani shkatërron radarin amerikan në Bahrein 13 Nëntor 2026, 09:0509:05Rajoni dhe Bota Kaliningradi, pika e dobët dhe arma strategjike e Putinit që mund të shkaktojë luftë me Evropën 13 Nëntor 2026, 09:0409:04Rajoni dhe Bota Negociatat SHBA-Rusi për Ukrianën; pse udhëheqësit e BE-së zihen për emrin që do të flasë me Putin? 13 Nëntor 2026, 09:0009:00Rajoni dhe Bota

