4 ORE ME PARE Skandal te Liqeni Artificial/ Kanalet e bllokuara, rrjedhin ujërat e zeza, Bashkia e Tiranës pa planimetri Kontolli i Lartë i Shtetit në Auditimin Tematik të Përputhshmërisë “Ndotja e Liqenit Artificial të Tiranës” ka evidentuar se në Liqenin Artificial të Tiranës shkarkohen ujëra të ndotura.
Në raport theksohet se duke vlerësuar si shkaktare të ndotjes prurjet e ujërave të ndotura nëpërmjet kanaleve të ujërave të shiut, grupi i auditimit ka kërkuar një planimetri të shtrirjes së rrjetit të kanaleve, informacion mbi gjendjen e tyre si dhe procedurat përkatëse për pastrimin dhe mirëmbajtjen e tyre, nga strukturat e varësisë së Bashkisë Tiranë, si APR, UKT dhe DPN2.
KLSH ka arritur në përfundimin se asnjë nga këto institucione nuk kanë një planimetri të kanaleve të ujërave të shiut për të evidentuar shtrirjen dhe rrugën që kanalet ndjekin, për t’u derdhur në fund në liqen, njëkohësisht për të vlerësuar zonat urbane nëpërmjet së cilave këto kanale kalojnë dhe që mund të kenë ndërhyrje në mënyrë të jashtëligjshme duke lidhur kanalizimet e ujërave të zeza me kanalet e ujërave të shiut. “Duke vlerësuar si shkaktues potencial të ndotjes prurjet e ujërave të ndotura nëpërmjet kanaleve të ujërave të shiut/ të bardha që derdhen në liqenin artificial të Tiranës, grupi i auditimit ka kërkuar një planimetri të shtrirjes së këtij rrjeti, informacion mbi gjendjen e tyre, si dhe procedurat përkatëse për pastrimin dhe mirëmbajtjen e tyre, nga strukturat e varësisë së Bashkisë Tiranë, si APR, UKT dhe DPN2.
Për sa më sipër, APR bën me dije se nuk disponon planimetri të kanaleve të ujërave të shiut dhe se nga punonjësit e këtij institucioni, kryhet vetëm pastrimi fizik i mbetjeve të dukshme, si p.sh. gjethe, degë, materiale plastike/ plastmasi, kartona, letra, etj.
Ky lloj pastrimi kryhet rregullisht në mënyrë që ato të jenë të pastra dhe të mos krijojnë problematika me reshjet e dendura.
Gjithashtu edhe Drejtoria e Përgjithshme e Mirëmbajtjes, Rrugë, Ndriçim, Sinjalistikë (DNP 2), në përgjigjen e pyetësorit dërguar elektronikisht në datën 12.03.2025, bën me dije se nuk disponon hartë/ planimetri të kanaleve të ujërave të shiut, pasi liqeni i Tiranës nuk menaxhohet nga kjo drejtori.
Në shkresë citohet se “nga verifikimet e kryera nga një grup i ngritur për këtë çështje rezultoi që në liqenin artificial të Tiranës nuk ka asnjë pikë shkarkimi të ujërave të shiut, pasi ato shkarkohen në kolektorët e ujërave të zeza të cilat menaxhohen nga UKT sh.a”.
Ndërsa UKT, në përgjigjen e pyetësorit dërguar elektronikisht në datën 18.03.2024, shprehet se “Referuar rrjetit të largimit të ujërave të shiut ju informojmë se administrimi dhe mirëmbajtja e tyre nuk bëhet nga UKT, por nga Bashkia Tiranë nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik, si dhe APR që menaxhon territorin e PMLAT”.
Pavarësisht se në shkresat e institucioneve të varësisë së Bashkisë Tiranë dhe dokumentacionin e gjeneruar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit citohet se “është konstatuar se në 6 nga 8 pikat 15 e shkarkimit të ujërave të bardha kishte rrjedhje”, asnjë nga institucionet e varësisë së Bashkisë Tiranë (që drejtpërdrejt ose tërthorazi lidhen me administrimin e atij territori, pastrimin e mirëmbajtjen së kanaleve të ujërave të shiut apo të rrjetit të kanalizimeve), nuk administron një planimetri të këtyre kanaleve të ujërave të bardha që derdhen në liqen, për të evidentuar shtrirjen dhe rrugën që kanalet ndjekin, për t’u derdhur në fund në liqen, njëkohësisht për të vlerësuar zonat urbane nëpërmjet të cilave këto kanale kalojnë dhe që mund të kenë ndërhyrje në mënyrë të jashtëligjshme duke lidhur kanalizimet e ujërave të zeza me kanalet e ujërave të shiut.
Për këtë situatë, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar informacion nga Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, nëpërmjet shkresës nr. 1350/4 prot., datë 11.03.2025, për të cilën është kthyer përgjigje nga IKMT nëpërmjet shkresës administruar në KLSh me nr. 1350/6 prot., datë 21.03.2025, ku citohet se “grupi i punës kreu një verifikim më të hollësishëm në pikat e përcaktuara që krijoheshin ndotje, ku rezultoi se këto ndotje vijnë si rrjedhojë e përzierjes së ujërave të bardha me ujërat e ndotura urbane, për shkak të mosfunksionimit apo mungesës së kanalizimeve në këtë zonë.
Këto janë rrjedha të lira që vijnë nga tombinat e rrugëve, të cilat janë të përziera me ujërat e ndotur që vijnë nga pjesa e urbanizuar e zonës, përkatësisht zona e Liqenit të Thatë dhe shkarkohen në liqenin artificial të Tiranës, duke shkaktuar ndotjen e ujit”, për të cilën IKMT u është drejtuar me shkresën nr. 316/2 prot., datë 16.01.2025 UKT, si dhe për dijeni APR dhe ARM Tiranë, ku kërkohet “Marrja e masave të menjëhershme për diferencimin e ujërave të bardha dhe të ndotura, rehabilitimi i sistemit të kanalizimeve (ky është shkaku kryesor për ndotjen e liqenit), si dhe mbylljen/ izolimin e pikave që shkarkojnë ujëra të ndotura në liqen”, thuhet në raportin e KLSH-së. Sipas raportit, nga verfikimet që janë kryer në terren, janë konstatuar raste ku tombinat e kanaleve të ujërave të shiut ishin plotësisht të bllokuara ose kishte rrjedhje të ujërave të ndotura si dhe aromë të pakëndshme.
Për këtë KLSH ka publikuar edhe disa pamje ku evidentohen dhe gjetjet. Gjithashtu nga verifikimet e bëra në terren grupi i auditimit ka konstatuar raste të dëmtimit të tombinave të kanaleve të ujërave të shiut që derdhen në liqen, të cilat ishin të bllokuara ose kishte derdhje të ujërave të ndotura./ CNA 1 DITE ME PARE Ndotja në nivele alarmante/ Bashkia e Tiranës pa një plan menaxhimi të Liqenit Artificial Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar të dhëna shqetësuese për nivelin e ndotjes së Liqenit Artificial të Tiranës në raportin përfundimtar të auditimit “Auditim Tematik i Përputhshmërisë ‘Ndotja e Liqenit Artificial të Tiranës’”.
KLSH ka audituar veprimtarinë e institucioneve si Bashkia Tiranë dhe institucionet e varësisë, në lidhje me ndotjen e shfaqur në Liqenin Artificial të Tiranës, duke krahasuar me kriteret e vlerësimit, përfshirë aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë veprimtaritë e tyre.
Më konkretisht nga auditimi ka rezultuar se Bashkia Tiranë nuk ka hartuar një plan menaxhimi të Liqenit Artificial të Tiranës, për ndarjen e detyrave, bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e institucioneve të qeverisjes qendrore dhe lokale, për të verifikuar e ndaluar të gjitha shkarkimet e ujërave të përdorura urbane, industriale që mund të vijnë si rrjedhojë e aktivitetit brenda territorit te Parkut të Madh të Liqenit Artificial të Tiranës (PMLAT) ose të përzierjes së jashtëligjshme të ujërave të zeza me kanalet e ujërave të bardha/ të shiut që shkarkojnë në liqen. “Mbështetur në ISSAI 4000 “Standardet Ndërkombëtare të Auditimit të Përputhshmërisë”, Rregulloren e Procedurave të Auditimit të KLSH-së dhe Manualin e Auditimit të Përputhshmërisë, audituam veprimtarinë e institucioneve, si Bashkia Tiranë dhe institucionet e varësisë dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në lidhje me ndotjen e shfaqur në Liqenin Artificial të Tiranës, duke krahasuar me kriteret e vlerësimit, përfshirë aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë veprimtaritë e tyre.
Nga auditimi në terren, referuar në evidencat e auditimit dhe dokumentacionin e vënë në dispozicion ka rezultuar se sistemi i menaxhimit, koordinimit institucional dhe infrastrukturës ekologjike në përgjithësi nuk ka funksionuar, duke e lënë hapësirën e LAT të pambrojtur ndaj ndotjes në mënyrë sistematike. Ne besojmë se dëshmitë e evidencës së auditimit që kemi marrë janë të mjaftueshme dhe të përshtatshme për të dhënë konkluzionet si vijojnë:
Parku i Madh i Liqenit Artificial të Tiranës përfaqëson një aset të rëndësishëm natyror dhe social për qytetin e Tiranës. Për të siguruar që ky aset (PMLAT së bashku me basenin e liqenit) të ruhet, pastrohet dhe të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme për gjeneratat e ardhshme, nevojiten masa urgjente dhe një strategji afatgjatë. Nga auditimi i KLSH-së ka rezultuar se:
Bashkia Tiranë, e cila është në rolin e administratores së PMLAT, nuk ka hartuar një plan menaxhimi të Liqenit Artificial të Tiranës, për ndarjen e detyrave, bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e institucioneve të qeverisjes qendrore dhe lokale, për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të Liqenit artificial të Tiranës, për të verifikuar e ndaluar të gjithë shkarkimet e ujërave të përdorura urbane, industriale, etj., që mund të vijnë si rrjedhojë e aktivitetit brenda territorit te PMLAT ose të përzierjes së jashtëligjshme të ujërave të zeza me kanalet e ujërave të bardha/ të shiut që shkarkojnë në liqen”, thuhet në raportin e KLSH-së. Një tjetër shqetësim i evidentuar në raportin e KLSH-së është mungesa e verifikimeve nga Bashkia Tiranë dhe institucionet në varësi të saj. Bëhet me dije se brenda territorit të Liqenit të Tiranës, bazuar në kontratat e lidhura me UKT operojnë 10 subjekte private, ndërsa sipas përgjigjeve të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit (APR) rezulton se operojnë 14 subjekte.
Këto biznese në mungesë të rrjetit të kanalizimeve brenda territorit të PMLAT, operojnë me zgjidhje individuale (si gropa septike), të cilat janë të pamonitoruara nga institucionet shtetërore dhe këto të fundit nuk kanë asnjë informacion për vendndodhjen dhe gjendjen e tyre. Pjesë nga raporti i KLSH-së:
Liqeni Artificial i Tiranës nuk ka një sistem qarkullues uji, por furnizohet vetëm me prurjen natyrore (ujërat e shirave);
Bashkia Tiranë dhe institucionet e varësisë (APR, UKT, DPN2) nuk disponojnë një hartë/ plan shtrirje të rrjetit/sistemit të kanaleve të ujërave të shiut, të cilat derdhen në liqen. Nga auditimi u konstatua se tombinat e këtyre kanaleve janë të dëmtuara dhe nëpërmjet tyre evidentohen shkarkime të ujërave të ndotura.
Territori i PMLAT nuk mbulohet nga rrjeti i kanalizimit, rrjedhimisht subjektet që operojnë brenda territorit të PMLAT-së e zgjidhin individualisht largimin e ujërave të ndotura urbane (p.sh. nëpërmjet gropave septike). UKT dhe institucionet e tjera të varësisë së Bashkisë Tiranë nuk kanë informacion mbi mënyrën e operimit të këtyre subjekteve lidhur me largimin e ujërave të ndotura urbane;
Brenda territorit të Liqenit të Tiranës bazuar në kontratat e lidhura me UKT operojnë 10 subjekte private. Ndërkohë sipas përgjigjeve të APR rezulton se operojnë 14 subjekte, pra ndërmjet institucioneve nuk ka një evidencë të saktë të numrit të subjekteve të cilat operojnë në zonën e PMLAT, gjithashtu nga verifikimet në terren i grupit të auditimit rezultoi se brenda PMLAT ka më shumë se 14 subjekte, të cilat, në mungesë të rrjetit të kanalizimeve brenda territorit të PMLAT, operojnë me zgjidhje individuale (si gropa septike), të cilat janë të pamonitoruara nga institucionet shtetërore; Asnjë nga institucionet e varësisë së Bashkisë Tiranë, përfshirë APR-në që administron PMLAT, nuk kanë informacion mbi vendndodhjen dhe gjendjen teknike të gropave septike
Sipas raportit të KLSH-së, në Liqenin Artificial bëhet me dije se nuk janë kryer asnjëherë analiza mikrobiologjike, por vetëm analiza fiziko-kimike. Ndërkohë edhe pse është evidentuar se në Liqen ka shkarkime të ujërave të ndotura urbane të patrajtuara, nuk është marrrë asnjë masë konkrete për evidentimin e shkaqeve dhe shkaktarëve të ndotjes, marrjen e masave për ndërprerjen e menjëhershme të shkaqeve që shkaktojnë ndotje, si dhe përmirësimin e situatës mjedisore në liqenin artificial të Tiranës.
Në lidhje me ndotjen e shfaqur në Liqen nuk janë kryer asnjëherë analiza mikrobiologjike, por vetëm analiza fiziko-kimike;
Edhe pse nga strukturat shtetërore është evidentuar që në muajin tetor 2024 (pra rreth 6 muaj më parë) se në Liqenin Artificial të Tiranës ka shkarkime të ujërave të ndotura urbane të patrajtuara, aktualisht përveç korrespondencave shkresore, nuk janë marrë masa konkrete për evidentimin e shkaqeve dhe shkaktarëve të ndotjes, marrjen e masave për ndërprerjen e menjëhershme të shkaqeve që shkaktojnë ndotje, si dhe përmirësimin e situatës mjedisore në liqenin artificial të Tiranës. Bashkëpunimi ndërinstitucional për zgjidhjen e problematikës nuk ka funksionuar, fakt i shprehur edhe nga vetë strukturat e APR gjatë auditimit.
Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, si struktura e varësisë së Bashkisë Tiranë që menaxhon parkun, nuk ka një strukturë në përmbushje të funksioneve kontrolluese, inspektuese, evidentuese të veprimtarive të jashtëligjshme brenda territorit të PMLAT-së;
APR-ja në asnjë rast nuk ka evidentuar problematika që mund të shkaktonin ndotje dhe nuk ka kërkuar bashkëpunim nga strukturat e qeverisjes qendrore për analizimin e cilësisë së ujit në liqenin e Tiranës, përpara shfaqjes në sipërfaqe të ndotjes dhe marrjes së vëmendjes mediatike të situatës.
Për periudhën objekt auditimi 2021–2024, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ka shpenzuar 10,665,000 lekë për pastrimin e basenit të Liqenit Artificial të Tiranës. Ky 10 pastrim ka konsistuar vetëm në pastrim mekanik, pra heqje e plastikave nga sipërfaqja e liqenit, e bimësisë së tepërt, etj., por jo i lidhur me reduktimin/ eliminimin e elementëve që shkaktojnë ndotje në ujin e liqenit, të cilët janë në nivele të larta.
Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ka realizuar procedurën e blerjes së mallrave me vlerë nën 100,000 lekë, për 10,000 copë rasat peshku, duke cituar “...në funksion të përmirësimit të ekosistemit ujor...”. Për të iniciuar këtë blerje, në dokumentacionin e vënë në dispozicion nuk administrohej një relacion teknik nga specialistë të fushës. Nga një verifikim rutinë i grupit të auditimit në datën 06.01.2025, rreth një muaj pas depozitimit të rasatit të peshkut në liqen (referuar PV të datës 04.12.2024), u konstatuan në brigjet e liqenit tufa peshqish të mbledhur në sipërfaqe (pasqyruar në fotot 10-11), çka mund të jetë pasojë e mungesës së oksigjenit në trupin ujor të Liqenit Artificial të Tiranës.
AKM-ja nuk ka përmbushur detyrimin e monitorimit të treguesve të cilësisë së ujit në Liqenin Artificial të Tiranës, edhe pse ky stacion është i përfshirë në rrjetin e stacioneve të monitorimit, në Programet Kombëtare të Monitorimit të Mjedisit./ CNA 4 DITE ME PARE SKANDALI/ Në Liqenin Artificial të Tiranës shkarkohen ujëra të ndotura urbane të patrajtuara Pas zbërthimit të raportit të KLSH-së për lumin Lana ku u evidentua se niveli i ndotjes ishte i lartë dhe sipas klasifikimeve ishte në klasën V, që përkthehej gjendje e keqe, CNA zbardh një tjetër raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit që tregon ndotjen e Liqenit Artificial të Tiranës.
KLSH ka kryer auditimin Tematik të Përputhshmërisë “Ndotja e Liqenit Artificial të Tiranës” ku ngrihet alarmi për ndotjen e Liqenit Artificial të Tiranës në të cilin janë zhvilluar disa alga me ngjyrë të gjelbër dhe të verdhë duke mbuluar sipërfaqe të konsiderueshme dhe që emetojnë në ajër një aromë të pakëndshme dhe shqetësuese për qytetarët që e frekuentojnë.
Auditimi ka si objekt vlerësimin dhe analizimin e masave të marra nga institucionet përgjegjëse për problematikën e evidentuar mbi ndotjen ujore dhe dëmtimin e botës së gjallë, në basenin e Liqenit Artificial të Tiranës dhe mbuloi periudhën e viteve 2021-2024.
Në lidhje me ndotjen e Liqenit Artificial të Tiranës, një ekspert i fushës është shprehur se përmbajtja e rritur e nutrientëve (fosfateve etj.) si dhe saturimi i vogël me oksigjen, tregon se ky liqen është në gjendje eutrofike (“I sëmurë”). Përkeqësimi i kësaj gjendjeje do ta bëjë të pamundur jetesën e gjallesave në këtë trup ujor. “Gjatë vrojtimit të liqenit, është vënë re një popullatë shumë e madhe e shpendëve, që tregon se në liqen shpendët kanë gjetur ushqim të bollshëm (biomasë e bollshme). Përmbajtja e rritur e nutrientëve (fosfateve etj.) si dhe saturimi i vogël me oksigjen, tregon se ky liqen është në gjendje eutrofike ('I sëmurë'). Përkeqësimi i kësaj gjendjeje do ta bëjë të pamundur jetesën e gjallesave në këtë trup ujor. Dukuria e ngordhjes së peshqve në mënyrë masive, dalja e tyre në sipërfaqe për shkak të mungesës së oksigjenit e konfirmon gjendjen e degraduar dhe praninë masive të shpendëve. Përmbajtja e lartë e nutrientëve dhe e ulët e oksigjenit tregon se në liqen ka derdhje të shumta, qoftë të substancave të pasura me azot dhe fosfor, qoftë edhe të substancave reduktuese, të cilat konsumojnë oksigjenin. Gjithashtu, kur ka një akumulim të biomasës (bimësisë), pas 'vdekjes' së bimëve ose algave, fillon procesi i dekompozimit, i cili kërkon oksigjen dhe çon në një ulje të përmbajtjes së oksigjenit të tretur në ujë, veçanërisht në orët e errësirës, kur fotosinteza ndalon dhe ndodh respiracioni. Kjo e bën ekuilibrin e oksigjenit një faktor delikat të cilin duhet ta monitorojmë në liqen”, ka deklaruar eksperti B.B. Në këtë raport ngrihet alarmi se, në liqen shkarkohen ujëra të ndotura urbane të patrajtuara.
KLSH thekson se për këtë fenomen Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk ka realizuar asnjëherë monitorime, si dhe nuk ka marrë asnjë masë konkrete për evidentimin e shkaktarëve të ndotjes, marrjen e masave ndaj tyre si dhe zgjidhjen e problematikës. “Për periudhën objekt auditimi 2021-2024, por edhe përtej kësaj periudhe (minimalisht që nga viti 2015), AKM nuk ka realizuar asnjëherë monitorime vjetore për Liqenin Artificial të Tiranës. Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, pavarësisht se ka evidentuar dhe faktuar edhe nga rezultatet e analizave të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, se në liqen shkarkohen ujëra të ndotura urbane të patrajtuara (që në muajin tetor 2024), përveç korrespondencave shkresore, nuk ka marrë asnjë masë konkrete për evidentimin e shkaktarëve të ndotjes, marrjen e masave ndaj tyre si dhe zgjidhjen e problematikës”, thuhet në raport. Nga inspektimi është zbuluar se janë konstatuar 8 pika aktive ku kryhej shkarkimi i ujërave në liqen nga subjektet me veprimtari ekonomike.
KLSH në raport evidenton se kemi të bëjmë me një situatë kritike mjedisore dhe se inspektimi i kryer nga Agjencia Rajonale Mjedisore Tiranë nuk ka qenë i plotë dhe nga ana e institucioneve nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret mbi identifikimin e ndotësve. “Pavarësisht se kemi pasur të bëjmë me një situatë kritike mjedisore, inspektimi i kryer nga ARM Tirana nuk ka qenë i plotë, si dhe nga ana e institucioneve nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për identifikimin e ndotësve, për të vlerësuar nëse ka edhe subjekte që disponojnë leje mjedisore, për të vijuar më tej me marrjen e masave për eliminimin e shkarkimeve të ujërave të patrajtuar/ të ndotur (urbane/ industriale, etj.) drejtpërdrejt në liqen”. LIQENI ARTIFICIAL NUK MBULOHET NGA NJE RRJET KANALIZIMESH PËR UJËRAT E NDOTURA URBANE, BASHKIA E TIRANËS ASNJË VERIFIKIM NË TERREN
Një tjetër problematikë që evdientohet në raportin e KLSH është sipas të dhënave të vendosura në dispozicion zona brenda Parkut të Madh të Liqenit Artificial nuk mbulohet nga rrjet kanalizimesh për ujërat e ndotura urbane.
Për këtë, KLSH thotë se Bashkia Tiranë dhe institucionet e varësisë nuk kanë asnjë informacion, si dhe nuk kanë kryer asnjë verifikim në terren, mbi metodat e trajtimit individual të ujërave të ndotura nga subjektet që operojnë brenda territorit të PMLAT. Po ashtu theksohet se institucionet në varësi të Bashkisë së Tiranës nuk kanë informacion mbi gropat septike të subjekteve që ndodhen në territorin e PMLAT, mbi vendndodhjen e tyre apo mbi menaxhimin/pastrimin e tyre.
KLSH thotë se gjithashtu nuk ka një numër të saktë të subjekteve që operojnë në këtë territor. “Institucionet në varësi të Bashkisë Tiranë (APR, UKT Sh.a, etj.) nuk kanë informacion mbi gropat septike të subjekteve që ndodhen në territorin e PMLAT, mbi vendndodhjen e tyre apo mbi menaxhimin/pastrimin e tyre, në mospërputhje me funksionet e bashkisë të përcaktuar në Ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i ndryshuar, neni 23, pika 2 “Në fushën e 7 infrastrukturës dhe shërbimeve publike, bashkitë janë përgjegjëse në territorin e juridiksionit të tyre për mbledhjen, largimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura”, gjithashtu nuk ka një numër të saktë të subjekteve që operojnë në këtë territor”, nënvizon raporti./ CNA LinkedIn Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

