32 milionë persona që jetojnë me HIV në botë po marrin trajtim, por 9 milionë të tjerë ende nuk kanë akses në terapinë që u shpëton jetën. Ndërkohë, hepatitet virale vazhdojnë të shkaktojnë rreth 1.3 milionë vdekje në vit, ndërsa rastet e infeksioneve seksualisht të transmetueshme po rriten në disa vende. Kjo është panorama që paraqet raporti më i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Sipas OBSH-së, këto sfida po vënë në rrezik arritjen e objektivit global për eliminimin e HIV-it, hepatiteve virale dhe infeksioneve seksualisht të transmetueshme deri në vitin 2030. Organizata paralajmëron se ulja e financimeve, pabarazitë në aksesin ndaj shërbimeve shëndetësore dhe emergjencat humanitare po ngadalësojnë përparimin. Raporti tregon se që nga viti 2010 infeksionet e reja me HIV kanë rënë me 42%, ndërsa vdekjet e lidhura me AIDS-in janë ulur me 57%. Gjithashtu, që nga viti 2015 infeksionet me hepatit B kanë rënë me 32% dhe vdekjet nga hepatiti C me 12%. Megjithatë, OBSH thekson se progresi mbetet i pamjaftueshëm dhe u bën thirrje vendeve të forcojnë kujdesin shëndetësor parësor, të zgjerojnë testimin dhe trajtimin, si dhe të investojnë në shërbime të integruara për të arritur objektivat deri në vitin 2030.

