Në të gjithë Europën dhe në Shqipëri lindin më shumë meshkuj se femra, por kjo situatë përmbyset më vonë, duke bërë që raporti meshkuj femra të jetë në favor të femrave, kjo sipas ekspertëve është pasi femrat jetojnë më gjatë. Shqipëria është ndër vendet europiane ku diferenca mes numrit të grave dhe burrave është më e vogël. Për çdo 100 burra në vend, ka 102.2 gra, një raport pothuajse i njëjtë me Irlandën dhe më i ulët se mesatarja e Bashkimit Europian prej 104.2 grash për 100 burra. Të dhënat e Eurostat për vitin 2025 e rendisin Shqipërinë ndër shtetet me balancën më të afërt gjinore në Europë. Në rajon, vetëm Maqedonia e Veriut ka një raport pak më të ulët, me 101.9 gra për 100 burra. Në nivel europian, panorama ndryshon ndjeshëm. Letonia kryeson me 115.6 gra për 100 burra, e ndjekur nga Estonia dhe Lituania. Sipas Eurostat, kjo diferencë lidhet kryesisht me jetëgjatësinë më të lartë të grave, të cilat jetojnë më gjatë se burrat në të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Në Shqipëri, diferenca më e vogël mes gjinive lidhet me strukturën e popullsisë dhe faktorë demografikë. Ndërsa në pjesën më të madhe të Europës gratë janë më të shumta, vendet ku burrat dominojnë janë të rralla. Nga 41 shtete të raportuara nga Eurostat, vetëm gjashtë kanë më shumë burra se gra. Malta ka diferencën më të madhe, me 88.3 gra për çdo 100 burra, ndërsa në vende si Islanda, Norvegjia dhe Suedia raporti është pothuajse i balancuar.
