Një pedagog ka shprehur mbështetjen për studentët dhe kërkesat e tyre, duke kritikuar mënyrën se si institucionet kanë reaguar ndaj protestave që prej muajsh zhvillohen në Shqipëri. Në një prononcim për News24, ai u shpreh se të rinjtë kanë dalë në shesh me kërkesa të qarta për më shumë se tre muaj, por, sipas tij, nuk janë dëgjuar nga qeveria. Pedagogu theksoi se kjo situatë ka sjellë përshkallëzimin e protestave, ndërsa e cilësoi përdorimin e dhunës ndaj të rinjve si një fatkeqësi kombëtare. “Jam pro studentëve dhe kërkesave të tyre. Për mbi tre muaj, rinia ishte në shesh me kërkesa të qarta. Duhet të dëgjoheshin, por nuk u dëgjuan për kaq kohë dhe situata eskaloi në këtë gjendje. Është fatkeqësi kombëtare të përdoret dhunë dhe terror ndaj të rinjve kur kërkojnë vetëm dorëheqje”, u shpreh ai. Sipas pedagogut, në një vend demokratik, zgjidhja e krizave politike duhet të kalojë përmes zgjedhjeve, ku qytetarët vendosin nëse duan t’i japin sërish besimin një qeverie. Ai komentoi gjithashtu deklaratat e kryeministrit Edi Rama se protestat nxiten nga faktorë të huaj, duke thënë se këto pretendime nuk janë shoqëruar me prova.
“Fjalët e Ramës që protestat janë të nxitura nga të huajt më duken si fjalët e Vuçiçit. Nuk ka treguar asnjë provë. Në lagje janë të rinjtë, studentët dhe nxënësit. Ende nuk i kemi parë duart e errëta”, deklaroi pedagogu.
Duke u ndalur te skenat e një dite më parë, ai i përshkroi ato si të ngjashme me një skenar filmi me pengmarrje kriminale, duke kërkuar që organet e drejtësisë të mbledhin prova dhe të hetojnë veprimet e policisë.
Sipas tij, kur efektivët tejkalojnë kompetencat dhe përdorin forcë joproporcionale, duhet të ketë përgjegjësi dhe masa ndaj tyre. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
