Kryeministri Edi Rama e ka nisur Asamblenë e Partisë Socialiste, mesazhe të forta drejtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Erion Veliajt, por edhe duke lëshuar sinjale ndaj dy figurave të tjera të përjashtuara së fundmi nga strukturat e partisë, Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca. Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te situata në Bashkinë e Tiranës ku prej dy vitesh Veliaj ndodhet pas hekurave, duke e cilësuar si një “absurditet antidemokratik”.
“Ky absurditet antidemokratik, që e ka 2 vjet kryeqytetin e Shqipërisë me kokë të prerë, është i pashoq në historinë e Europës demokratike. Nuk ishte në dorën tonë ta ndalim dhe ta zhbëjmë, pavarësisht se haraçin e këtij absurdi e paguajnë çdo ditë qytetarët e Tiranës. Në dorën tonë është t’i tregojmë qytetarëve sesi do ta rifitojmë kohën që humbi Tirana në këto 2 vite”, deklaroi Rama.
Por mesazhi më i fortë për Veliajn erdhi kur Rama foli për largimet nga puna në Bashkinë e Tiranës dhe akuzoi për ndërhyrje të lidhura me mbështetjen publike ndaj kryebashkiakut.
“Si mund të largohet nga puna arbitrarisht një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak, dhe të tjerë drejtues e punonjës të bashkisë së Tiranës pse nuk u bëjnë like dhe share dorëshkrimeve të Lalit, nga burgu imagjinar politik apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij”, tha Rama.
Ai iu referua gjithashtu avokatit të Veliajt,Palrent Ndreca i cili, sipas kryeministrit, i drejtohet Bashkisë së Tiranës me shkresa duke firmosur si drejtues politik, ndonëse është “thjesht një nga 2 të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi”.
Në deklaratë Rama lëshoi edhe një mesazh të tërthortë për Elisa Spiropalin. Rama paralajmëroi se nuk do të tolerojë më sjellje që, sipas tij, bien ndesh me detyrimet ndaj partisë dhe qytetarëve.
“Nuk do të tolerohet më askush që flet dhe sillet me detyrat ndaj popullit dhe kësaj familje si e ëma e Zeqos në majë të thanës”, deklaroi kryeministri.
Në përfundim, Rama iu drejtua sërish personalisht Veliajt, duke thënë se nuk e gjykon për atë që thotë dhe bën, por shprehu shpresën se ai do të kuptojë gabimin në raport me të dhe Partinë Socialiste.
“E përsëris, nuk e gjykoj dot Erionin për çfarë ai thotë dhe bën, por uroj me gjithë zemër që të kuptojë që është në gabim ditë e natë në raport me mua dhe PS-në”, përfi Rama. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

