Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas debatit të krijuar nga deklaratat e tij për “Bulevardin e Flamingove”, duke sqaruar se fjalimi i tij nuk ishte i drejtuar ndaj kritikëve, por lidhej me simbolikën e flamingove.
Në një postim në rrjetin social X, Rama iu përgjigj reagimeve që, sipas tij, ka marrë përmes mesazheve dhe komenteve pas deklaratës së tij. Ai tha se kërkesat për dorëheqjen e tij vijnë nga persona me të cilët nuk ka “kontratë politike”, duke theksuar se mandati i tij buron nga vota e rreth 800 mijë qytetarëve që e kanë mbështetur në zgjedhje.
Kryeministri përdori sërish krahasime metaforike, duke iu referuar kritikëve si “sorra e korba”. Sipas tij, ata përfaqësojnë një pjesë të protestës, por nuk kanë lidhje me mesazhin që ai synonte të përcillte përmes figurës së flamingove.
Rama deklaroi gjithashtu se protestuesit janë të lirë të vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen e tij, edhe deri në vitin 2029, duke e cilësuar këtë si një të drejtë që garantohet nga demokracia. Nga ana tjetër, ai theksoi se përgjegjësinë e tij politike e lidh me qytetarët që e kanë votuar dhe jo me ata që kërkojnë largimin e tij.
