Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me debatet dhe kundërshtimet për projektin e reformës së re territoriale, duke i cilësuar protestat dhe qëndrimet kundërshtuese si pjesë normale të procesit të konsultimit publik.
Rama hodhi poshtë pretendimet se protestat e disa përfaqësuesve socialistë janë shenjë e një krize brenda Partisë Socialiste, duke theksuar se, me përjashtim të disa rasteve që i cilësoi si të papërshtatshme, shprehja e mendimeve të ndryshme është e mirëpritur.
Sipas tij, dokumenti i reformës ndodhet aktualisht në fazën 60-ditore të konsultimit publik, periudhë gjatë së cilës çdo qytetar, institucion apo përfaqësues vendor ka të drejtë të japë opinionin e tij. Kryeministri theksoi gjithashtu se, sipas ligjit, kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë duhet të paraqesin me shkrim qëndrimet e tyre, ndërsa ata që kundërshtojnë reformën mund të protestojnë në mënyrë paqësore, për sa kohë nuk pengojnë jetën normale të qytetarëve dhe respektojnë ligjin.
Në reagimin e tij, Rama u shpreh se “as në Shqipëri nuk ka regjim dhe as në Partinë Socialiste”, duke garantuar se nuk do të ketë asnjë vendim që të pengojë shprehjen e lirë të mendimeve mbi reformën. Ai nënvizoi se vendimi përfundimtar do t’i takojë Parlamentit, por deri atëherë të gjitha palët do të dëgjohen.
Kreu i qeverisë shtoi se gjatë periudhës së konsultimit do të shpjegohen më gjerësisht arsyet mbi të cilat është hartuar propozimi, duke theksuar se në përcaktimin e hartës së re nuk janë marrë në konsideratë argumente historike apo emocionale, por kritere objektive dhe funksionale.
Reagimi:
Vazhdon qarja e hallit të kalorësit se po i varen këmbët, së fundi edhe me një agjitim të madh nga vajtorët e vajtojcat, pse tanimë po protestohet edhe “brenda PS” dhe kjo qenka një shenjë tmerrsisht e keqe për “regjimin”. Në fakt jo, përjashto aktin e turpshëm të djegies së teserave të PS në një rast, nga disa individë që as vetë s’kanë ditur tamam ç’kanë bërë apo ndonjë rast kur deputetë tanët kanë bërë “tribunin e vegjëlisë” pa ditur tamam çfarë thonë, gjithçka tjetër është jo vetëm normale po edhe e mirëseardhur Një, sepse dokumenti i reformës së propozuar është pikërisht në fazën e vet të konsultimit publik ligjor prej 60 ditësh dhe kjo fazë do të thotë pikërisht, bujrum gjithkush të shprehet lirisht për propozimin Dy, sepse sipas ligjit kryetarët e bashkive e këshillat bashkiakë duhet të shprehen me shkrim për qëndrimet e tyre dhe është krejt e kuptueshme që ata që janë kundër të shprehen edhe me forma të tjera paqësore – për sa kohë nuk bllokojnë rrugë e nuk pengojnë të tjerët të bëjnë jetën e tyre, duke u futur vetë në konflikt me ligjin dhe me PS bashkë Tre, sepse as në Shqipëri nuk ka regjim, as në PS nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë vendim për të shkurajuar askënd që të shprehë opinionin e vet për këtë reformë, për të cilën sigurisht do të vendosë parlamenti, por deri atëherë të gjithë do të dëgjohen, përfshirë edhe bashkitë që mund të duan të integrojnë tek vetja bashki më të vogla që në propozimin aktual mbeten siç jan. Nga ana tjetër të gjithë do të informohen shumë më tepër përgjatë këtyre 60 ditëve lidhur me arsyet logjike të propozimeve – ku nuk ka pasur si të merren parasysh reputacioni i zonës bashkiake që nga koha e antikitetit, numri i të rënëve në luftrat e 2000 vjetëve të fundit apo të tjera të dhëna e gojëdhana të kësaj natyre, të cilat s’kanë qenë dhe s’mund të jenë farë argumenta në këtë debat. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! -Politikë*KryesoreAktualitet

