Studentë dhe aktivistë kanë protestuar në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) në Tiranë, në momentin kur Kryeministri Edi Rama kishte mbërritur për inaugurimin e shërbimit të ri të Kardiokirurgjisë.
Protestuesit kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj kryeministrit përmes thirrjeve “Arrestoni Ramën”, duke krijuar tension në ambientet e QSUT-së. Situata ka sjellë ndërhyrjen e forcave të policisë për të menaxhuar protestën.
Sipas informacioneve paraprake, pas protestës një aktivist dhe një student janë shoqëruar në komisariat. Ende nuk ka të dhëna të plota lidhur me arsyet konkrete të shoqërimit apo nëse ndaj tyre do të merren masa të mëtejshme.

