Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, u ndal te çështja e paraburgimit dhe ndryshimet ligjore që po diskutohen, duke theksuar nevojën për të ruajtur balancën mes hetimeve të pavarura dhe të drejtave të personave nën hetim.
Rama e cilësoi Shqipërinë një vend absurd sa i përket masave të paraburgimit, ndërsa theksoi se personat nën hetim duhet të konsiderohen të pafajshëm deri në momentin kur shpallen fajtorë nga gjykata.
“Me gjithë paketën e masave për paraburgimin, jemi vendi më absurd i Europës. Patjetër, jemi për hetime e gjykime të pavarura, por ka edhe disa balanca. Nuk jemi në Mesjetë, ku turma kërkon gjak. Ligji ka lidhje me shumë e shumë bij nënash atje, që janë të pafajshëm deri kur gjykohen. Po pse? Ky ka qenë qëndrimi dhe ky është qëndrimi, të tjerat janë dokrra hini”, u shpreh Rama. Kryeministri bëri të ditur se paketa ligjore është në konsultim, ndërsa falënderoi ish-ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila aktualisht kontribuon si këshilltare ligjore pranë tij, duke mos kursyer edhe ‘shigjetimet’ për Erion Veliajn.
“E falënderoj Etildën. Në këtë drejtim punon me mua si këshilltare ligjore dhe është si të kesh një komision ligjesh në godinën e qeverisë, pa orar. Nuk nguron asnjëherë për t’i kthyer kësaj familjeje politike sa më shumë nga ai besim e mbështetje që i ka dhënë edhe kur ishte e re”, deklaroi Rama.
Në vijim, kreu i qeverisë u ndal edhe te debatet brenda Partisë Socialiste, duke ironizuar ata që vënë në pikëpyetje përkatësinë politike të anëtarëve të tjerë të kësaj force.
“Sepse të gjithë ata që sot thonë: ‘Po nga vijnë këta?’, këta janë fiks ata për të cilët është thënë ‘nga vijnë’. Nuk çohet as ai shoku im atje, as ai atje, të thonë ‘nga vijnë këta’. Jo, këta që kanë ardhur pikërisht nga e njëjta rrugë, tani thonë: ‘Jemi socialistë, nga vijnë këta të tjerët?’”, tha Rama.
/abcnews.al/ Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet Edi Rama

